1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Detyrë e vështirë - Serzh Bramerc zëvendëson Karla Del Ponte-n

Gjykata e Hagës për krime lufte në ish Jugosllavi ka një kryeprokuror të ri. Belgu 46-vjeçar Serzh Bramerc (Brammertz) mori të martën në dorëzim detyrën nga Carla Del Ponte.

Serzh Bramerc, kryeprokurori i ri i Tribunalit të Hagës

Serzh Bramerc, kryeprokurori i ri i Tribunalit të Hagës

Arritja më e madhe e Karla Del Ponte-s ishte nxjerrja përpara Gjykatës e ish presidentit jugosllav Sllobodan Millosheviç. Bramerc duhet të bëjë shumë për të arritur suksesin e paraardhëses në detyrë, por ai ka fituar mjaft përvojë si prokuror në hetimet për krimet e kryera në shumë vende afrikane dhe në Liban. Kur është fjala për t'u marrë me krime lufte Serzh Bramerc ka përvojën e një veterani. Rasti i fundit i rëndësishëm që ia ka drejtuar, ishte hetimi i Kombeve të Bashkuara mbi rrethanat e vrasjes së ish kryeministrit libanez Rafik Hariri. Brammertz gjithashtu ka punuar në Gjykatën Ndërkombëtare të Krimeve në Hagë ku ka qenë i ngarkuar me hetimin e krimeve të kryera në Republikën Demokratike të Kongos, Darfur dhe Ugandë. Tani ai ka marrë detyrën e kryeprokurorit të Kombeve të Bashkuara në Gjykatën për krime lufte në ish Jugosllavi. Një detyrë e madhe po të mbahet parasysh se gjykata do të përfundojë misionin e saj për dy vjet dhe dy të akuzuarit kryesorë për krime lufte në ish Jugosllavi janë ende të lirë: komandanti i milicisë së serbëve të Bosnjës Ratko Mlladiç dhe shefi i tij politik Radovan Karaxhiç. Gazetari belg Stefan Blommaert prej vitesh ndjek zhvillimet në Gjykatën e Hagës dhe shpjegon përse detyra e re e Brammertz do të jetë e vështirë : "Sfida kryesore për Bramerc-in dhe për Gjykatën është mbijetesa e vetë këtij institucioni pasi dy të dyshuarit kryesorë nuk janë ende përpara saj. Në parim puna e Gjykatës së Hagës për krime lufte përfundon në vitin 2010. Pra nëse dy të dyshuarit kryesorë Karaxhiç dhe Mlladiç nuk janë në Hagë deri atëherë, imazhi i Gjykatës me siguri do të dëmtohet." Gazetari Blomert (Blommaert) thotë se shumë varet nga bashkëpunimi i Serbisë e cila deri tani nuk ka treguar se ku ndodhen Mlladiç dhe Karaxhiç. "Bashkëpunimi u bë më i mirë por ata nuk e kanë kapur ende Mlladiçin. Nëse Mlladiç duhet të dalë përpara Gjykatës në Hagë atëherë nevojitet bashkëpunimi i plotë i Beogradit dhe gjithë institucioneve në Beograd. Pra jo vetëm i atyre politike por edhe i ushtrisë dhe ky është sigurisht problemi kryesor." Ndërkohë që Del Ponte kishte ngritur një rrjet të gjerë kontaktesh gjatë vizitave të saj të shpeshta në Ballkan, Serzh Bramercit do t'i duhet të punojë shumë që të bëhet i njohur. Ai gjithmonë ka thënë se e konsideron veten më shumë një gjykatës se sa një diplomat. Krejt e kundërta e Karla Del Pontes e cila dinte t'i shfrytëzonte mediet në funksion të detyrës së saj, dhe që me këmbënguljen e karizmën e saj u bë në një farë mënyre një simbol gjatë tetë viteve në detyrë. Bramerc i konsideruar më shumë si burokrat synon të shënojë pikë me ekspertizën e tij. Ai njihet në plan ndërkombëtar si ekspert në luftimin e krimit të organizuar përtej kufinjve dhe ka fituar reputacion në bashkëpunimin ndërkombëtar ligjor në luftën kundër terrorizmit, trafikut të armëve dhe shkeljes së të drejtave të njeriut.
  • Data 03.01.2008
  • Autor Kerstin Vinter
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/Cjr8
  • Data 03.01.2008
  • Autor Kerstin Vinter
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/Cjr8