1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Dervishi: Reforma është fjala kyç për drejtësinë!

Analisti Lutfi Dervishi në intervistë për DW: Marrja e statusit do të thotë futja e vendit në korsinë e BE pa kthim prapa. Por procesi i kthimit të besimit të publikut te drejtësia do të jetë i gjatë dhe me shumë sfida.

DW: Statusi i kandidatit për Shqipërinë është hapi i parë drejt BE, por deri në hapjen e negociatave duhet më tej pune. Kroacisë iu deshen 9 vjet për të nisur negociatat, ndër të tjera edhe për shkak të korrupsionit në nivelet më të larta. Një nga kushtet e BE ndaj Shqipërisë është reforma e gjyqësorit dhe luftimi i krimit e korrupsionit. Si duhet vepruar, nga duhet filluar për ta larguar këtë fenomen?

Dervishi: "Reforma është fjala kyç për drejtësinë. Një reformë që të synojë një drejtësi eficente dhe që nis punën me pastrimin e radhëve të saj. Reforma në drejtësi duhet të bëhet në bashkëpunim me misionin Euralius, që është prezent prej disa vitesh në Shqipëri. Sinjalet e para janë dhënë, heqia e imunitetit për zyrtarët e lartë dhe punonjësit e drejtësisë është fakt i kryer. Për herë të parë kemi gjykatës dhe prokuror nën akuzë dhe në bankën e drejtësisë. Procesi i kthimit të besimit të publikut te Drejtësia do të jetë i gjatë dhe me shumë sfida. Reforma duhet të bëjë kujdes që politika dhe Parlamenti me dëshirën për ta pastruar nga korrupsioni, të mos tundohen për ta vënë nën kontroll. Kultura e pandëshkueshmërisë në Shqipëri ka hedhur rrënjë të forta. Kur në rrjetën e drejtësisë të bien peshq të mëdhenj - mund të themi se të gjithë janë të barabartë para ligjit."

Nuk ishte rastësi që një javë para pritjes së vendimit për statusin e vendit kandidat forcat policore kryen operacionin e shkatërrimit të qendrës së kultivimit të drogës në Lazarat. Përfaqësues të opozitës e quajtën show për të marrë statusin. Në fakt drejtësisë do t'i duhet guxim të përballet me krimin, sa e përballueshme është një sfidë e tillë?

Dervishi: "Lazarati ishte një gangrenë që në fillim molepsi imazhin e vendit dhe pastaj edhe pjesë të tjera të vendit! Eshtë për t'u përshëndetur fakti që policia e mori nën kontroll një zonë, që ishte prej dekade jashtë kontrollit. Operacioni policor vijon dhe duhet të presim të shohim listën e personave përgjegjës, krerët e trafikut, ata që kanë qëlluar mbi policinë. Pas kësaj mbetet radha e prokurorisë dhe gjykatës. Ka një ndenjë lehtësimi se hapi i parë, marrja nën kontroll është realizuar pa viktima."

Korrupsioni, rryshfeti është një dukuri, që është ngulitur e bërë mendësi, si mund të ndryshohet nje mentalitet i tillë? Si do të bëhet që qytetari të ketë besim te shteti, te drejtësia?

Dervishi: "Korrupsioni është një sfidë për shtetin ligjor. Përvoja në tranzicion ka dëshmuar se mënyra më e mirë për ta luftuar janë reformat, modernizimi dhe Transparenca. Dëmi vjen sa nga institucionet e dobëta aq edhe nga politizimi i antikorrupsionit. Anti-Korrupsioni nuk duhet të shihet si flamur që mbahet në duart e qeverisë, por si një mekanizëm, që duhet të ketë gjithëpërfshirje, - partitë politike, media, shoqëria civile, përfaqësues të komuniteteve fetare, shkollat, organizatat ndërkombëtare etj..."

Ndarja e gëzimit per statusin e kandidatit sikur ka paqëtuar edhe politikën, por ky trend duhet të vazhdojë, që Shqipëria të plotësojë kërkesën për një kulturë të lartë të dialogut politik ndërmjet pozitës dhe opozitës. Sa i mundshëm është zhvillimi i dialogut konstruktiv politik?

Dervishi: "Dialogu politik është gjithmonë i mundur. Beteja pozitë opozitë, megjithëse e ashpër në retorikë zhvillohet në institucione dhe jo në rrugë e sheshe. Ky është përparim për Shqipërinë. Vendi në të shkuarën ka vuajtur nga mungesa e stabilitetit politik dhe gjuha e urrejtjes. Vënia e interesave personale e partiake mbi ato të vendit është shfaqur shpesh..., por publiku është i ngopur me këtë show.... është sfidë për shumicën, por edhe opozitën të japin shembullin civil në betejën e tyre parlamentare."

Çfarë do të sjellë praktikisht për vendin dhe qytetarët marrja e statusit të vendit kandidat?

Dervishi: "Çdo maratonë nis me hapin e parë. Marrja e statusit do të thotë se vendi është futur në korsinë drejt BE pa kthim prapa. Eshtë një hap i vonuar dhe hapi i radhës do të jetë hapja e negociatave. Pavarësisht se tonet e fitores po theksohen nga zyrtarët dhe politikanët, në të vërtetë janë qytetarët shqiptarë të fituar, sepse me procesin e integrimit do të ndodhë edhe tranformimi i vërtetë i vendit, pra më shumë rregulla loje, shtet ligjor, media të lirë, gjykata të pavarura etj....".