1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Deri ku ka shkuar Kosova në procesin e liberalizimit të vizave?

Qeveria e Kosovës thonë se vendi ka përmbushur kriteret bazë dhe pret të marrë udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave. Kurse Komisioni Evropian thotë se Kosova ka bërë përparime, por nuk i ka përmbushur ende kriteret.

Pasaporta kosovare.

Pasaporta kosovare.

Përfaqësuesit e ministrisë së Brendshme të Kosovës, thonë se ata janë duke pritur nga Komisioni Evropian udhërrëfyesin që specifikon obligimet që Kosova duhet të përmbushë në mënyrë që të përfshihet në procesin e liberalizimit të vizave. Ministri i punëve të brendshme, Bajram Rexhepi, thotë për programin tonë se i është premtuar nga Komisioni Evropian që në muajin shtator Kosova do të marrë udhërrëfyesin e saj, pasi të përmbushë të paktën tri kritere bazë që kërkohen nga Komisioni Evropian.

“Ligji për ripranimin i cili është miratuar në parlament, është nënshkruar nga Presidenti dhe tashti është në fazën e implementimit. Ka qenë strategjia për riintegrimin e cila është aprovuar nga qeveria dhe për të cilën janë ndarë 500 mijë euro. Dhe për këto dy çështje është hartuar po ashtu plani i veprimit i cili obligon secilën minsitri dhe secilën komunë që ta zbatojnë atë. Të tri këto kushte janë plotësuar nga qeveria dhe ne tashti me të drejtë presim udhërrëfyesin”, thotë Bajram Rexhepi.

Riintegrimi i të kthyerve kërkon ende punë

Mirëpo, zyrtarë të Komisionit Evropianë, thonë se qeveria e Kosovës fillimisht duhet të përmbushë kriteret e kërkuara dhe asaj nuk i është premtuar që në muajin shtator do të marrë udhërrëfyesin. Kështu i tha DW-së, zëdhënësja e Komisionit Evropian në Prishtinë, Maja Pavlloviq. “Komisioni Evropian vazhdimisht e ka përsëritur se strategjia e cila shtyn përpara procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën, mund t'i jepet Kosovës kur të jetë gati, kur të plotësojë kërkesat e Komisionit Evropian. Qeveria e Kosovës ka bërë disa punë, por akoma nevojitet të punojë në planin e veprimit për riintegrimin e të kthyerve. Ne asnjëherë nuk kemi thënë që do të jetë muaji shtator kur Kosova do ta ketë udhërrëfyesin, por kemi thënë se do ta ketë udhërrëfyesin kur ajo të plotësojë kërkesat e Komisionit Evropian”, thotë Maja Pavlloviq.

Symbolbild EU und Slowenien, Kroatien, Bosnien-Herzegowina, Serbien Montenegro, Mazedonien, Kosovo Flash-Galerie

Ministri i punëve të rendshme të Kosovës, Bajram Rexhepi, thotë se nuk është e drejtë që vetëm Kosova të mbetet jashtë procesit të liberalizimit të vizave, ku tashmë të gjitha vendet fqinjë të Kosovës disa më herët e disa pak më vonë mund të lëvizin lirshëm në Zonën Shengen. Ai thotë se kjo gjendje mund të prodhojë një kundërefekt të asaj që është arritur. “Rreziku do të jetë që qytetarët tonë do të paguajnë para, do të provojnë të bëjnë falsifikim të dokumenteve të tregohen si shtetas të Shqipërisë, Serbisë apo Maqedonisë dhe këtu dëmi është i dyfishtë dhe atëherë ne si Kosovë do të jemi në një pozitë të keqe, sepse shumë gjera shkojnë në drejtim të gabuar”, thotë Bajram Rexhepi.

Serbët e Kosovës kanë nevojë për viza

Procesi i liberalizimit të vizave ka përfshirë prej një viti Serbinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë. Në fund të këtij viti e njejta gjë pritet të ndodhë më Shqipërinë dhe Bosnjen e Hercegovinën. Megjithë faktin që Serbia u përfshi në procesin e liberalizimit të vizave, kjo marrëveshje nuk vlen për serbët e Kosovës, thotë zëdhënësja e komisionit evropian, Maja Pavlloviq. “Marrëveshja e dialogut për procesin e liberalizimit të vizave ndërmjet Serbisë dhe Komisionit Evropian, nuk mbulon territorin e Kosovës dhe kjo do të thotë se marrëveshja nuk vlen për serbët që kanë vendqëndrim jashtë territorit të Serbisë. Ata mund të udhëtojnë në zonën e Shengenit por duhet të pajisen më viza”, thotë Maja Pavlloviq.

Qeveria e Kosovës ka kohë që ka hartuar një udhërrëfyes së saj dhe është duke punuar që të përmbushë kriteret që kërkohen nga Komisioni Evropian. Kriteret që kërkohen nga Komisioni Evropian janë, hartimi i regjistrave civilë, integrimi i menaxhuar i kufijve, lufta kundër korrupsionit, riintegrimi i të kthyerve dhe në fund, pasaportat biometrike. Pasportat biometrike sipas ministrit të punëve te brendshme Bajram Rexhepi, do të fillojnë të prodhohen në fillim të vitit të ardhshëm.

Autor: Bekim Shehu

Redaktoi: Aida Cama

DW.COM

  • Data 22.09.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/PJEC
  • Data 22.09.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/PJEC