1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Dera për Ukrainën mbetet e hapur

Ministri suedez Bildt kritikoi ashpër Rusinë që bën presion ekonomik ndaj Ukrainës për ta penguar atë në rrugën për në Evropë. Dera për Ukrainën mbetet e hapur, ajo duhet të vendosë vetë nëse do ta kalojë këtë derë.

Ftesa për Ukrainën që të nënshkruajë Marrëveshjen e Asocimit me BE, ende qëndron. "Nëse Presidenti i Ukrainës Viktor Janukoviç plotëson kërkesat, ne mund ta nënshkruajmë marrëveshjen gjatë takimit të BE në fund të kësaj jave," - tha ministri i Jashtëm suedez Karl Bildt në një takim të ministrave të Jashtëm të BE-së në Bruksel. Ministrat e Jashtëm të BE-së korrigjuan edhe deklaratat e komisionerit të zgjerimit të BE-së Stefan Fule, i cili kishte përhapur me anë të twitter një mesazh që do ta ngrinte tani marrëveshjen. MPJ britanik William Hague tha se "Ditët e fundit ka pasur disa zhvillime të reja dhe se dera për Ukrainën mbetet e hapur. Por Ukraina duhet të vendosë vetë nëse do ta kalojë këtë derë."

Ministri suedez Bildt kritikoi ashpër Rusinë që bën presion ekonomik ndaj Ukrainës për ta penguar atë në rrugën për në Evropë. Ministri i Jashtëm suedez tha në Bruksel se marrëdhëniet me Rusinë janë të ngarkuara. "Rusët kanë nisur një fushatë intensive propagandistike kundër marrëveshjes, bazuar në informacione mashtruese dhe nganjëherë gënjeshtra të drejtpërdrejta."

Urë për rusët

Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov mori pjesë gjatë drekës në diskutimet e BE-së për të përgatitur samitin e ardhshëm BE-Rusi në janar 2014. Lavrov dhe kolegët e tij evropianë këmbyen sulme gojore. Ndonjë pajtim pozicionesh nuk mund të shihej, thanë diplomatët e BE-së.

Ministri i Jashtëm gjerman Guido Westerwelle, i cili është në ditët e fundit në këtë post, tha se BE nuk ka për t'i kërkuar askujt leje nëse do ta ftojnë Ukrainën të nënshkruajë një marrëveshje partneriteti. "Ne kemi ndërtuar një urë dhe i kemi pasur shumë para sysh interesat ruse. Por në fund të fundit vendimi është i Ukrainës. Ky nuk është një vendim që mund të merret në Moskë, por duhet të merret në Kiev."

Lavrovi e kishte akuzuar BE-në në një intervistë për televizionin rus, se BE-ja përzihet në punët e brendshme të Ukrainës dhe se pas demonstratave qëndronin provokatorë. Ndërsa Ministri i Jashtëm suedez Carl Bildt i hodhi poshtë këto ide të Lavrovit, ministri i Jashtëm gjerman Guido Westerwelle përdori tone pajtimi, duke sjellë shembuj të bashkëpunimit me rusët, si në rastin e programit atomik me Iranin dhe duke thënë se Rusia mbetet partner strategjik për BE-në.

Problemet e Ukrainës mund të zgjidhen

Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Catherine Ashton qe takuar javën e kaluar në Kiev si me presidentin ukrainas Janukoviç edhe me protestuesit dhe politikanët e opozitës. Ajo u shpjegoi kolegëve të saj ministra kërkesat financiare të bëra nga udhëheqja e Ukrainës. Shifra prej 20 miliardë euro, që kërkon Ukraina refuzohet nga Bashkimi Evropian. Por zonja Ashton tha se është e gatshme për bisedime, edhe pse është e shqetësuar për disa deklarata. "Në bisedat e mia me presidentin Janukoviç kam kërkuar të gjej se cilat janë problemet ekonomike afatshkurtra që e kanë penguar atë për nënshkrimin e marrëveshjes. Unë besoj se ne mund të gjejmë së bashku me të një zgjidhje."

Sot (17.12.13), presidenti ukrainas do të udhëtojë për bisedime në Moskë. Ai do të nënshkruaj me homologun e tij rus Vladimir Putin një numër marrëveshjesh për të siguruar fleksibilitetin financiar shumë të nevojshëm për Kievin. Kryeministri ukrainas Mikola Azarov tha në një intervistë televizive se shpreson para së gjithash për një reduktim të çmimit të gazit. Ukraina paguan për gazin rus në këtë moment rreth 400 dollarë për 1.000 metra kub, kurse për në Evropë Rusia e shet gazin e saj për 370-380 dollarë.

Takimi i fundit për Westerwellen

Për Guido Westerwelle ky qe takimi i fundit si ministër i Jashtëm gjerman. Pas humbjes së partisë së tij FDP ai nuk ka më mandat si deputet dhe sot i mbaron edhe mandati. Për të ardhmen e tij profesionale Westerwelle nuk tha gjë dhe as nuk sqaroi nëse do të kandidojë vitin e ardhshëm si euro-deputet. Pasardhësi i Westerwelles do të jetë Frank-Walter Steinmeier (SPD), i cili ishte edhe në periudhën 2005-2009 ministri i Jashtëm i Gjermanisë.