1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

"Der Spiegel": Arrestimi hapë pyetje të shumta

Der Spiegel1 Dhjetor 2008

Për BND-në që prej kësaj ngjarjeje fatale shtrohen një sërë pyetjesh turpëruese, pohon kjo gazetë.

https://p.dw.com/p/G71I
Fotografi: AP

Lirimi i tre gjermanëve është fundi i ecejakeve të pazakonshme ndërmjet Gjermanisë dhe shtetit të ri të vogël në Ballkan. Toni ndërmjet të dy partnerëve të pabarabartë ka rënë nën nivelin e zakonshëm diplomatik, ankohet një anëtar i qeverisë së Kosovës. Së fundi ministri në zyrën e kancelares, Thomas de Maiziere, në një telefonatë me kryeministrin Hashim Thaçi ka aluduar për heqjen e mbështjetjes financiare. Policia e tij arrestoi para dy javësh tre gjermanët me akuzën se janë përgjegjës për sulmin me bombë ndaj misionit të BE-së në Kosovë. Se si do të shkojë puna ndërmjet Berlinit dhe Prishtinës, do të tregohet muajt e ardhshëm. Një gjë është e sigurtë megjithatë që tani: Shërbimi informativ gjerman për jashtë përmes sjelljes së mefshtë të agjentëve të tij e ka dëmtuar në mënyrë ndoshta të pariparueshme njërin nga operacionet e tij më të rëndësishme. Prej vitesh Kosova është një nga rajonet centrale të veprimtarisë së BND-së.

Rajoni është politikisht jo stabil, nuk ndodhet larg Gjermanisë, është vatër e kriminalitetit të organizuar me lidhje të shumëfishta në Gjermani, private dhe biznesi dhe përveç kësaj vend misioni për policët dhe ushtarët gjermanë.

Me 14 nëntor, një të premte, shpërthen rreth orës 17:30 një eksploziv para qendrës së misionit evropian Eulex. Shpejt agjensitë e lajmeve njoftojnë për shpërthimin. Qendra e BND-së dhe sektori 1 në Pullach afër Mynihut, bëhen të vemendshëm. Ata i kërkojnë trios në Prishtinë të sqarojë se çka ndodhur për mbledhjen tjetër të "situatës së shërbimit informativ" në zyrën e kancelares në Berlin.

Kështu që të tre në atë të premte në mbrëmje u nisen me makinën e tyre Mitsubishi. Andreas J. zbret pak para orës 21:00 në afërsi të vendit të ngjarjes, ai do të fotografojë. Të dy kolegët e tij presin në makinë, agjenti hip në ndertesën fqinje të EULEX-it, nga e cila shihet shumë mirë vendi i ngjarjes. Ai nuk është atje i vetëm, siç duket edhe shërbime të tjera sekrete kryejnë observime.

Kur ai del nga ndërtesa, ndalohet nga një ushtar danez, që do të dijë se çfarë bën ai atje. Andreas J. mundohet të shfajësohet, duke thënë se ka dashur vetëm të hedhë shpejt një sy në vendin e shpërthimit. Një punonjës gjerman i Kombeve të Bashkuara afrohet pak më vonë, dhe thotë se J. duhet të dorëzojë pasaportën dhe atij i bëhet kontroll. Hetuesit i sekuestrojnë edhe një bllok shënimesh.

Për BND-në që prej kësaj ngjarjeje fatale shtrohen një sërë pyetjesh turpëruese. Përse shërbimi ka dërguar në vendin e ngjarjes pikërisht agjentët, që veprojnë në konspiracion të rreptë, kur çdo diletant duhej ta dinte, se rreziku për të rënë në një kontroll policie atje ishte shumë i madh? Përse këtë detyrë nuk e mori ta kryente punonjësi i BND-së zyrtarisht rezident? Dhe përse J. e kishte marrë me vete bllokun e shënimeve, që e tradhëtonte, duke cënuar kështu çdo rregull të veprimtarisë konspirative?

Në dokumentet e konfiskuara hetuesit ndeshën në emrin e kryeministrit të Kosovës Thaçi dhe në shënime për situatën në Kosovë. Për Berlinin blloku i shënimeve të BND-së është një pjesë qëndrore e rebusit, për të kuptuar rastin. A ngjallën shënimet interesin e rretheve politike përqark kryeministrit Thaçi?

Rrjeti i burimeve të BND-së, që në Kosovë është i ndërtuar aq mirë si në pak vende të tjera, është tani shumë i rrezikuar. Punonjësit e shërbimit sekret të Berlinit druhen se qeveria kosovare mund të bëjë tani publikë një sërë informantësh, që e kanë furnizuar BND-në me informacione të vlefshme.