1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Deputetë të Bundestagut shprehin shqetësim për lirinë e shtypit në Turqi

Një javë para fillimit të procesit kundër dy gazetarëve të njohur turq, deputetë të të gjitha grupeve parlamentare gjermane i drejtuan një letër Presidentit të Turqisë, Erdogan. 135 deputetë e nënshkruan letrën.

"Ne deputetët e Bundestagut Gjerman jemi të shqetësuar thellë për situatën në Turqi", thuhet në letër. Shqetësimi ka të bëjë "me marrjen fund të procesit të paqes dhe me gjendjen e lirisë së shtypit dhe të medieve në Turqi." Mënyra e veprimit kundër raportimit kritik në rastin e kryeredaktorit Can Dündar (të gazetës kombëtare "Cumhuriyet") si dhe ndaj korrespondentit të kryeqytetit të gazetës, Erdem Gül është "sipas pikëpamjes sonë të paktën joproporcionale".

Letrën e nënshkruan fillimisht Sevim Dagdelen (E Majta), Frank Heinrich (CDU), Cansel Kiziltepe (SPD) dhe Tom Koenigs (Të Gjelbrit).

Erdogani personalisht i padit reporterët

Prokuroria kompetente për akte terroriste, ai akuzon dy gazetarët për spiunazh, për shpërndarjen e sekreteve shtetërore dhe për një përpjekje për të rrëzuar qeverinë. Gazeta "Cumhuriyet" pati zbuluar se si Shërbimi i Fshehtë Turk MIT i furnizon me armë kryengritësit islamikë në Siri dhe pati publikuar fotografi të tilla. Zyrtarisht mallrat e transportuara qenë deklaruar si ndihma.

Ishte vetë kryetari i shtetit Recep Tayyip Erdogan që ngriti aktpadi kundër reporterëve. Pala e akuzës kërkon burgim të përjetshëm. "Këto masa të drejtësisë dhe autoriteteve në Turqi kundër medieve dhe gazetarëve janë të papajtueshme me respektimin e lirisë së mendimit dhe të shprehjes, në mbështetje të të cilave është deklaruar dhe shprehur i detyruar shpesh shteti turk", thuhet më tej në letrën e deputetëve gjermanë. Ata shprehin shpresën për pushimin së shpejti të procesit të nisur dhe për lirimin pa kushte të dy gazetarëve.

Parlamentarët paralajmërojnë veç kësaj që të mos harrohen edhe gazetarët e tjerë të arrestuar për arsye politike në Turqi. "Proceset që respektojnë shtetin ligjor dhe lirinë e shtypit dhe të mendimit vetëm mund ta forcojnë shoqërinë turke", theksojnë ata.

Procesi do të nisë në 25 mars në Stamboll

Can Dündar dhe Erdem Gül u futën në burg në nëntor 2015. Pas një arresti hetimor prej tre muajsh, gjykata kushtetutese e Turqisë hë për hë i liroi. Gjykata vendosi në shkurt se arrestimi i Dündarit dhe Gülit kishte shkelur të drejtat e tyre kushtetuese. Erdogani e kritikoi ashpër këtë vendim. Në 25 mars, para një gjykate në Stamboll do të ngrihet aktpadija.