1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Depopullimi i fshatrave kosovare në kufi me Serbinë

Si pasojë e ngjarjeve të viteve të fundit të cilat edhe përfunduan me luftë, shumë fshatra të kësaj zone janë boshatisur. Ajete Beqiraj vizitoi këto fshatra dhe solli prej atje këtë reportazh:

Pamje nga fshati Reqicë në brezin kufitar Kosovë-Serbi

Pamje nga fshati Reqicë në brezin kufitar Kosovë-Serbi

Podujeva, në verilindje të Kosovës është komunë me 92 kilometra brez kufitar. Mirëpo, të veçantën e shndërron në sfidë fakti se kjo zonë kufitare shtrihet mes Kosovës dhe Serbisë. Se sfidat vazhdojnë, dëshmon arrestimi i tre banorëve të Pollatës nga policia kufitare e Serbisë, në korrik të këtij viti, me akuzën për „shkelje ilegale të kufirit“. Sabri, Nexhip dhe Riad Dema nga fshati Pollatë i Podujevës, u arrestuan, teksa po punonin tokat e tyre në fshatin Bellush, rrëzë brezit kufitar, Kosovë-Serbi.

“Jo vallahi nuk asht livadhi i serbise! Le t'i sjellin skicat. N´daltë livadhi andej kufirit, le t´na marrin edhe neve! ... Ata, e kanë marrë një hoxhë n´tokë t´vet e e kanë nguju pa iu ba kurrgja hiç. Ata po na marrin kur po dojne!- thotë Idriz Dema, duke aluduar në njërin ndër të arrestuarit, imam në xhaminë e këtushme.

Në Pollatë, pikërisht në këtë fshat ku jeton familja Dema ndahen dy krahë rrugësh të cilat bashkohen në brezin kufitar Kosovë-Serbi. Peisazhe të mrekullueshme na përcjellin teksa përshkojmë rrugën rurale të krahut të djathtë, e cila përfundon në fshatin Reqicë, pika më e largët e këtij krahu të kufirit. Prej këtu shihet edhe livadhi në fshatin kufitar Belush, ku u arrestuan tre kosovarët, teksa qetësinë absolute të këtyre venbanimeve të bukura e të braktisura, e trazon vetëm cicërima e zogjve e gërshetuar me këngë gjinkallash.

Megjithë kushtet e mira nuk është e lehtë të jetosh në këto mjedise

Dhe, banoret e fshatit Perpelac ishin ata që filluan braktisjen e këtyre venbanimeve që në vitet 90-të, thotë kryetari i komunës së Podujevës, Iljaz Pireva.

„Ndoshta vet pozita e tij rrëzë kufirit me Serbinë ka bërë që njerëzit në vitet 90-të të mos ndjehen të sigurt. Eshtë e vërtetë se kur shikon nga këndi ynë, kushtet janë të mira, një ambient i qetë e i bukur. Mirëpo, në një aspekt tjetër nuk është e lehtë të jetosh në këto mjedise“:

Në fshatin Muhazog tashmë nuk ka asnjë familje; në fshatin Rakinicë ka mbetur vetëm një familje; në Bllatë janë vetëm dy familje; në Murgull dy familje; në Tërnavicë tri- katër familje, përderisa në fshatin Reqicë janë vetëm tri familje, me tendencë të rikthehen edhe të tjera, thotë kryetari Pireva.

„Në kohët e fundit janë kthyer edhe dy familje. Ndërsa, është karaktersitke që është kthyer një familje prej Obrancës, paralagje e Podujeves dhe atje ka hapur një fermë me dele e dhi“.

Disa i braktisin pronat e veta - të tjerë i marrin ato me qira

Dhe, përderisa banoret e Reqicës kanë braktisur vatrat e veta dhe këtu nuk kanë mbetur më shumë se dy tri familje, Zeqir Kastrati nga Obranqa, pikërisht këtu po ndërton një jetë të re. Tashmë, vapa e ditës është në pikën më të lartë dhe atë nuk e zbusin as kurorat e dendura të drunjve. Mirëpo, kjo nuk e pengon këtë blegtor te vazhdojë punën në ndërtimin e stallës për kopenë me afro 200 krerë dhenë e dhi.

„Po e ndërtojmë stallën për dhen e dhi. Tokë s´kemi tonen, por e kemi marrë nga dajat, do e kemi marrë me qira e pak e kemi ble dhe tash kemi ardhë këtu të punojmë. Së shpejti do të bëjmë edhe bagëti të trashe“, thotë Zeqiri.

Autore: Ajete Beqiraj

Redaktoi: Esat Ahmeti

  • Data 15.08.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/JBl4
  • Data 15.08.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/JBl4