Denoncuesi „Voicu” dhe laureatja e çmimit Nobel Herta Müller | Evropa | DW | 13.01.2010
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Denoncuesi „Voicu” dhe laureatja e çmimit Nobel Herta Müller

Televizioni gjerman në emisionin "Report Mainz" emitoi një kronikë, në të cilën pohohet se nobelistja, Herta Müller është spiunuar prej kolegëve të dikurshëm. Përsoni, që ka spiunuar nobelisten tani jeton në Gjermani.

Laureatja e çmimit Nobel për letërsinë, Herta Müller

Laureatja e çmimit Nobel për letërsinë, Herta Müller

„Ajo kritikon dhe kritikon, kritikon në një mënyrë destruktive, sa që shtrohet pyetja se çfarë kuptimi kanë këto tekste!?“ Me këto fjalë përfundon analiza sekrete e veprave të nobelistes Hertha Müller, e kryer prej bashkëpunëtorit jozyrtar të Sekuritates „Voicu", me 16 mars 1982. Kjo fjali është cituar të hënën edhe kanalin e parë televiziv gjeman ARD, në emisionin politik „Report Mainz“, ku u trajtua puna e bashkëpunëtorit jozyrtar të Sekuritates, i cili tani si pensionist jeton në Gjermani, ndërsa në vitet 80-të spiunonte Herta Müller-in.

Dëftesë shkolle e Herta Müllerit

Dëftesë shkolle e Herta Müllerit

"Ekspertiza letrare" e bashkëpunëtorëve të Sekuritates merret me veprën e parë të nobelistes Müller „Niederungen“, e cila në Bukuresht është botuar në vitin 1982. Herta Müller në këtë analizë vlerësohej prej "Vojcut" me këto fjalë: „Herta Müller i përket një grupi të ri shkrimtarësh, që botojnë në gjuhën gjermane, të cilët janë të njohur për nga qëndrimet e tyre armiqësore ndaj shtetit". Me këtë shpjegim ai kërkonte hapjen e një "procedure operative" kundër shkrimtares.

Historiani dhe njohësi i mirë i rrethanave në Rumani, Georg Herbstritt, nga zyra Birthler, konfirmoi në një intervistë për „Report Mainz“ se pas kësaj analize të „Voicut" ka filluar përndjekja operative e Herta Müllerit. „Raporti ishte shkas që shërbimi sekret dhe oficerët kryesorë të hapin një dosje për Herta Müllerin dhe ta përndjekin atë.“ Shkrimtari rumun Horst Samson, një ish-shok i atyre, që furnizonin Sekuritaten me informacione, shpjegon në këtë emision se në bazë të shënimeve ai ka deshifruar se pas pseudonimit "Voicu" fshihet Franz Thomas Schleich:

Fshati Nitchidorf në Rumani, ku ka lindur autorja Herta Müller

Fshati Nitchidorf në Rumani, ku ka lindur autorja Herta Müller

Edhe vetë Herta Müller e njeh identitetin e plotë të bashkëpunëtorit të shërbimit sekret. „Po, ai është Franz Schleich.“ Deklaratat e Müllerit dhe Samsonit konfirmohen edhe prej ekspertëve gjermanë, të cilët e kanë analizuar dorëshkrimin e „Voicut“.

Franz Schleich, i lindur më 1948, ka punuar si redaktor në gazetën lokale të Timisoarës në gjuhën gjermane „Neue Banater Zeitung“ dhe ishte anëtar i rrethit të shkrimtarëve lokalë, ashtu si dhe Herta Müller. Në mars të vitit 1983 ai ka ardhur të jetojë në Gjermani. Më 1985 shkoi për një udhëtim në Rumani, si reporter i revistës "Stern", për të raportuar për gjendjen e ish-kolegëve shkrimtarë. Në tetor të këtij viti botoi tekstin "Vetëm të vjetrit duan të mbeten", ndërsa në pranverën e vitit 1986 shkoi sërish në Rumani, ku është takuar me oficerin e Sekuritates Nicolae Pădurariu.

Schweden Nobelpreistägerin Herta Müller in Stockholm

Autorja Herta Müller fituesja e çmimit Nobel për letërsinë 2009

Një një raport të mëvonshëm të oficerit, ku Schleich paraqitet me emrin „Schneider“, thuhet se ai sërish ka marrë për detyrë të spiunojë kolegët shkrimtarë. Schleich e ka kryer këtë punë me përkushtim dhe për punët e mëhershme ka marrë lëvdata. Franz Schleich nuk deshi të deklarohet për këto kritika. Përmes postës elektronike ai i shkruan emisionit „Report Mainz“ se ekizston dyshimi që dokumentet janë manipuluar prej Sekuritates.

Herta Müller lidhur me këtë pohon: „Shumë vite kam menduar në këtë rreth miqsh nuk ka pasur spiunime. Tani e kam vërejtur se kjo nuk ishte e vërtetë. Janë këto gjëra... për të cilat kur i zbulon mendon se nuk kanë qenë të mundura. Gjithmonë hapin plagë të reja.“ Ajo shpreson se në bazë të të dhënave të fundit do të hapet një debat i gjërë për bashkëpunëtorët e Sekuritates, si „Voicu“, se këto raste do të zbardhen dhe se ata do të përgjigjen.

Autor: William Totok/Bahri Cani

Redaktoi: Angjelina Verbica

  • Data 13.01.2010
  • Autor Angelina Verbica
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/LUoT
  • Data 13.01.2010
  • Autor Angelina Verbica
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/LUoT