1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Demonstruesit pengojnë "kongresin kundër islamizimit" - Policia ndalon mitingun

Përballë protestave masive të dhjetëra mijëra demonstruesve policia ndaloi të shtunën (20.9.) një miting të planifikuar të zhvillohej në qendër të qytetit të Këlnit nga radikalët e djathtë të lëvizjes "Pro Köln".

default

Dhjetëra mijëra demonstrues kundër aktivitetit të lëvizjes së djathtë "Pro Köln".

Pasi demonstruesit kishin rrethuar hermetikisht vendin ku do të mbahej aktiviteti i lëvizjes së djathtë "Pro Köln", policia e anulloi mitingun pasi nuk mund të garantohej siguria e pjesëmarrësve.

Organizatorët e të ashtuquajturit "kongresi kundër islamizimit" kishin njoftuar ardhjen e rreth 1.500 pjesëmarrësve nga e gjithë Europa. Por në fund u paraqitën vetëm disa dhjetëra vetë ndërkohë që qendra e qytetit mbizotërohej nga rreth 30.000 ose 40.000 kundër-demonstrues:

"Ne jemi mbledhur këtu në shesh: të krishterë, socialistë, myslimanë, hebrenj, sindikalistë, demokratë nga të gjitha anët e Këlnit, për t'u bashkuar kundër mitingut të ekstremistëve të djathtë në qytetin tonë."

Në katedralen e Këlnit kundër-demonstrata e parë filloi qysh në mëngjes. Për të kishte bërë thirrje kryebashkiaku i Këlnit, Fritz Schramma. Aktivitete raciste si kongresi i planifikuar nga "Pro Këln" nuk ka vend në një qytet si Këlni, ishte mendimi i përbashkët i pjesëmarrësve në protestë. Në skenë u ngjitën artistë nga Këlni që në vitin 1992 patën dhënë një koncert me jehonë në gjithë Gjermaninë kundër armiqësisë ndaj të huajve.

Koncerti kryesor këtë herë u zhvillua në afërsi të vendit të planifikuar për mitingun. Syninimi ishte të mbytej zëri i oratorëve të djathtë, por ata nuk patën mundësi të merrnin fjalën pasi demonstruesit kishin bllokuar të gjitha hyrjet për në vendin ku do të zhvillohej aktiviteti. Askush nuk kishte mundësi të hynte.


"Këtu kemi bllokuar. Bllokadë. Askush nuk mund të hyjë. OK? Atëherë largohu!"

Në shesh të djathtët kishin ndërtuar një skenë por nuk ia dolën të arrinin deri atje në orën kur duhej të fillonte aktiviteti i tyre. Një pjesë mesa duket nuk arritën të dilnin as nga aeroporti ndërsa të tjerët nuk mundën t'i çajnë bllokadat në rrugë. Ashtu siç ndodhi edhe të premten (19.9) kur iu desh të hiqnin dorë nga turi në qytet në lagjet që ata i quajnë problematike dhe më pas u nxorrën në rrugë nga hotelet e tyre.

"Do t'ju kapim të gjithë, do t'ju kapim të gjithë", bërtisnin demonstruesit në sheshin e mitingut dhe pjesëtarë të grupeve autonome në disa raste sulmuan vërtet pjesëmarrës të të ashtuquajturit kongres. Kështu policia vendosi të ndalonte aktivitetin e "Pro Këln". Pjesëmarrësit e paktë nga rradhët e lëvizjes së djathtë u larguan nën shoqërimin e policisë dhe skena që ata kishin ndërtuar në mëngjes u çmontua sërisht e papërdorur. Sheshi mbeti i bllokuar për disa orë ndërkohë që dy rrugica më tutje akvitetiti me muzikantë dhe kabaretistë nga Këlni mori plotësisht vrull. Në vitin 1992 nuk ishin ftuar qëllimisht politikanë, u tha nga shumë oratorë.Por këtë herë ishin politikanët që dhanë shtysën për qëndresë.

Në bashkinë aty pranë u lidhën në orët e pasdites martesat e fundit. Çiftet e sapo martuar dhe të ftuarit u shoqëruan në largim nga policia por në shenjë zhdëmtimi morën nga policët si dhuratë një kukull police dhe një kartolinë me urime zyrtare.


  • Data 20.09.2008
  • Autor Peter Philipp (DW)
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/FLyc
  • Data 20.09.2008
  • Autor Peter Philipp (DW)
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/FLyc