1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Demonstruesit në Bosnje luftojnë për "revolucion"

Pas trazirave të rënda në Bosnje, aktivistët kanë paraqitur një katalog kërkesash. Protestat kundër papunësisë së lartë dhe politikanëve të paaftë dhe të korruptuar, shkallëzuan të premten (07.02.).

Tymi nga ndërtesat, të cilave iu vu zjarri, qendron ende pezull mbi Sarajevë dhe Tuzla, shumë ndërtesa në të dy qytetet janë në gjendje të shkatërruar. Spitalet bënë publik një bilanc të ri, sipas të cilit në përleshjet e ashpra mes demonstruesve dhe policisë të premten janë lënduar më shumë se 150 vetë.

Plan me pesë pika

Ndërtesa në flakë në Sarajevë

Ndërtesa në flakë në Sarajevë

Drejtuesit e protestave kundër situatës së mjeruar ekonomike dhe mjerimit në Bosnje-Hercegovinë, kanë paraqitur tani një katalog kërkesash me pesë pika. Objektivi i tyre është një "revolucion politik". Ata kërkojnë një qeveri të re rajonale në Tuzla, të përbërë vetëm nga ekspertë. Të ardhurat e të gjithë politikanëve duhet të orientohet te pagat mesatare në vend, të cilat janë në nivel shumë të ulët. Privatizimi i ndërmarrjeve shtetërore duhet të kthehet mbrapsht, politikanët e korruptuar dhe të tjerë "kriminelë të ekonomisë" duhet të nxirren para drejtësisë.

Qyteti industrial Tuzla në veri të Bosnje-Hercegovinës, të premten ishte qendra e dhunës. Njerëz të maskuar sulmuan selinë e administratës rajonale dhe i vunë zjarrin ndërtesës. Mijëra demonstrues duartrokitën vënien e zjarrit dhe penguan punonjësit e zjarrfikësit në shuarjen e flakëve. Një nga drejtuesit e protestave në Tuzla, Aldin Siranoviç, shprehu mllefin e protestuesve: "Kanë 25 vjet që nga vjedhin dhe shkatërrojnë të ardhmen tonë."

Në kryeqytetin e vendit Sarajevë, protestues të inatosur i vunë zjarrin një krahu të ndërtesës presidenciale. Nga flakët u shkatërruan pjesë të çmuara të arkivit të shtetit. Edhe një ndërtesë e administratës rajonale u përfshi nga flakët.

Dhjetëra mijëra vetë kanë dalë në rrugë në gjithë vendin ditët e fundit, për të protestuar kundër korrupsionit të lartë dhe politikanëve sipas tyre të paaftë.

"Goditja e popullit kundër mafias"

Trazirat nuk janë "puç shtetëror" por një "goditje e popullit kundër mafias shtetërore", i analizoi protestat ministri i Brendshëm Fahrudin Radoncic. "Këta janë fëmijët e prindërve që nuk kanë para për bukë".

Demonstrime pjesërisht të dhunshme pati edhe në Zenica, Bugonjo, Cazin, Bihac dhe shumë qytete të tjera.

Mitingjet dhe trazirat e ditëve të fundit janë më të mëdhatë që prej luftës së Bosnjes (1992-95). Pjesë të gjera të popullsisë jetojnë në varfëri ekstreme. Një në tre vetë është i papunë në Bosnje, e cila ka një popullsi prej 3,8 milionë banorësh.