1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Demonstrata në Kisinau- Opozita proteston kundër fitores së komunistëve në zgjedhje

Presidenti Voronin akuzoi Rumaninë për tentativë për puç. Ambasadori i Rumanisë shpallet person i padëshirueshëm. Menjëherë hyn në fuqi detyrimi për vizë për shtetasit rumunë në Moldavi.

default

Protesta pas zgjedhjeve në Moldavi

Në kryeqytetin e Moldavisë, Kishinau, të mërkurën (08.04) disa mijëra njerëz protestuan nëpër rrugë kundër fitores rishtaz të komunistëve në zgjedhje. Demonstruesit lëshonin parulla si: "Poshtë komunistët!", "Liri!" dhe "Ne duam të shkojmë në Evropë!" Edhe të martën (07.04) pati trazira, opozitarët pushtuan përkohësisht parlamentin dhe zyrën presidenciale, gjatë përleshjeve në rrugë mes demonstruesve dhe policisë u plagosën mbi 100 vetë, një grua gjeti vdekjen prej plagëve të marra. Rreth 200 Demonstrues u arrestuan. Demonstruesit në përgjithësi janë të rinj - nxënës e studentë -, që akuzojnë komunistët nën presidentin Vladimir Voronin për manipulim të zgjedhjeve. Krahas flamurit të Moldavisë në protestë valëviteshin edhe flamuri i vendit fqinj Rumanisë dhe ai i BE-së. Disa demonstrues kërkonin bashkimin me Rumaninë. Në Moldavi rumanishtja është gjuhë zyrtare, por zyrtarisht ajo emërtohet si "moldavisht". Deri në Luftën e Dytë Botërore ky vend i përkiste Rumanisë dhe u aneksua nga Bashkimi Sovjetik në vitin 1940.

Moldau Unruhen in Chisinau Demonstration Flagge

Protesta në Kisinau

Në zgjedhjet parlamentare të së dielës (5.4.) partia komuniste në pushtet fitoi gati 50% të votave. Vëzhguesit ndërkombëtarë të OSBE-së nuk i kontestuan zgjedhjet direkt, por u shprehën për parregullësi, që janë vërejtuar qysh përpara zgjedhjeve.

Moldau Unruhen in Chisinau Demonstration

Demonstratë në Kisinau

Në bazë të rezultateve partia komuniste do të ketë 61 nga 101 mandatet parlamentare e si rrjedhojë ajo nuk varet nga mbështetja e partive të tjera për zgjedhjen e presidentit. Presidenti Voronin pas dy mandatesh nuk lejohet të rikandidojë.

Politikanë drejtues të opozitës liberale morën pjesë me qëllim në demonstratë. Kryetari i liberal-demokratëve, Vladimir Filat, me pjesëmarrjen e tij donte të vendoste theksin:

"Unë e kam kuptuar domosdoshmërinë të jem përkrah të rinjve të mrekullueshëm, të cilët e kanë kuptuar, se përse është e rëndësishme të veprojmë dhe ta artikulojmë qëndrimin e tyre lidhur me rezultatin e zgjedhjeve."

Presidenti i Moldavisë: Demonstruesit duan të destabilizojnë vendin

Moldawien vor der Wahl Präsident Voronin

Presidenti i Moldavisë Voronin para zgjedhjeve

Në një fjalim në televizionin shtetëror të Moldavisë presidenti Voronin akuzoi demonstruesit, se duan të destabilizojnë vendin. Ai i cilësoi ata si një hordhi fashistësh të dehur, që vihet në shërbim të fuqive perëndimore dhe të Rumanisë. Rumania është përgjegjëse për tentativën për puç, shtoi presidenti. Ambasadori i Rumanisë u shpall person i padëshirueshëm. Menjëherë hyn në fuqi detyrimi për vizë për shtetasit rumunë në Moldavi. As studentët moldavë, që studiojnë në Rumani, nuk lejohen të kthehen në atdheun e tyre. Disa televizione private u ndaluan të transmetojnë. Eshtë vështirësuar gjithashtu aksesi në internet dhe në telefonat celularë. Voronin hodhi poshtë kërkesat e opozitës për rinumërimin e votave.

Rumania zyrtarisht dhe në mënyrë kategorike i hodhi poshtë akuzat. Presidenti i senatit Mircea Geoana deklaroi:

"Dhuna pjell dhunë. Republikës së Moldavisë tani nuk i duhet dhuna. Por Republika e Moldavisë e ka të nevojshme, që Evropa të mos jetë indiferente. Mesazhi ynë drejtuar Evropës, mesazhi i politikanëve nga Rumania - pavarësisht nga përkatësia partiake - është, që të mos heqin dorë nga e ardhmja evropiane, që ka Republika e Moldavisë. Pushtetarëve në Kishinau dhe të gjithë atyre, që duan ta mbajnë Moldavinë larg Evropës, ne u themi që të mbajnë përgjegjësinë për zhvillimet në këtë shtet.“

BE-ja u shpreh me shqetësim për trazirat në Moldavi. I ngarkuari i poliitkës së jashtme, Javier Solana, e quajti të papranueshëm pushtimin e godinave qeveritare, por nga ana tjetër theksoi se qeveritarët duhet të respektojnë të drejtën e demonstruesve për protesta paqësore.

Autor: Robert Schwartz/Vilma Filaj-Ballvora

Redaktoi: Angjelina Verbica

  • Data 09.04.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/HTUN
  • Data 09.04.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/HTUN