1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Demokracia në Rumani në bankën e provës

Rumania zgjedh një president të ri. Në garë janë katër kandidatë. Sipas sondazheve do të ketë balotazh. Vendi ndodhet para një udhëkryqi.

Në zgjedhjet presidenciale në Rumani (02.11.2014) në kohën e krizës ekonomike dhe politike dhe kërcënimin e putinizimit të Evropës Lindore bëhet fjalë para së gjithash për sistemin e vlerave evropiane, shtetin ligjor dhe pyetjen nëse demokracia e re rumune është e kërcënuar.

Shoqëria rumune është edhe 25 vjet pas rrëzimit të komunizmit ende e përçarë. Nga njëra anë të rinj të kualifikuar me bindje liberale dhe pro-eropiane, nga ana tjetër elektorati konstant i socialemokratëve ish-komunistë (PSD).

Nga 14 kandidatët sipas sondazheve vetëm kryeministri i tanishëm socialdemokrat Victor Ponta dhe Klaus Johannis nga Aleanca Kristiano-Liberale kanë shanse për një fitore në zgjedhje.

Një gjerman kandidat për president

Johannis i cili është shumë i suksesshëm si kryetar bashkie në Sibiu (Hermannstadt) bën pjesë në pakicën gjermane në vend. Ai angazhohet para së gjithash për qendrimin e Rumanisë në bashkësinë e vlerave evropiane dhe për „një Rumani të punës së bërë mirë“. Në fushatën e tij elektorale ai bën përgjegjës para së gjithash kryetarët rajonalë socialdemokratë, të ashtuquajturit „baronë“ për mjerimin ekonomik dhe politik.

Ekonomia e Rumanisë sipas Eurostatit shënoi në dy tremujorët e fundit 2014 një minus (0,2 dhe 1 për qind) duke rrëshqitur në recesion. Veç kësaj vendi është tronditur nga një numër skandalesh korrupsioni, qarqet e të cilave arrijnë deri tek krerët e PSD dhe në mjedisin familjar të kryeministrit.

Edhe një urdhëresë e jashtëzakonshme e papritur e qeverisë rumune e ka dobësuar edhe më tej besimin e qytetarëve tek politika, i cili është ndërkohë i ulët. Politikanëve në qytete dhe komuna iu lejohej për një kohë të shkurtër të ndërronin partinë pa e humbur mandatin. Përfituese e kësaj urdhërese ishte PSD në qeveri, e cila pranoi qindra kryetarë bashkish dhe këshilltarë të qytetit. Ponta akuzohet se me ndihmën e „të larguarve“ po ndikon sjelljen elektorale në komuna.

Putin si model

Për të lënë pas kandidatin Johannis i cili paraqitet me profesionalizëm, Ponta mbështetet në tone të majta nacionaliste dhe fondamentaliste. Duhet të jetë e lejuar që të kandidojë në vendin „e tij“ si rumun ortodoks, thotë Ponta për t‘u distancuar qartë nga Johannis që është protestant. Ai është krenar që është është rumun - me këtë slogan elektoral ai nxit emocione kundër pakicave etnike dhe fetare.

Në të njëjtën kohë në mediet e afërta me Pontan dhe partinë e tij zhvillohet një fushatë negative kundër konkurrentëve të padëshëruar. Kështu pa asnjë provë Johannis akuzohet se „është i implikuar në tregti organesh“ dhe se është një „mashtrues imobiljesh“, „një agjent i shërbimit sekret gjerman“ dhe së fundi „një kalë i Trojës i Angela Merkelit“.

Veç kësaj Ponta është për një rivlerësim të marrëdhënieve me Kinën, Rusinë dhe Turqinë dhe propozon një riorientim fillimisht „ekonomik“ të vendit drejt Lindjes. Politikanë si Putin në Rusi, Erdogani në Turqi apo Orban në Hungari i shërbejnë atij shpesh si modele.

Shteti ligjor i rrezikuar

Edhe në plan ndërkombëtar politika e qeverisë rumune has në kritika. Kështu zv/sekretarja e SHBA Victoria Nuland kritikoi „kancerin e kthimit prapa të demokracisë dhe korrupsionin“ në vende të Evropës Qendrore dhe Juglindore dhe përmendi konkretisht ata politikanë që „mbrojnë zyrtarë të korruptuar nga ndjekja penale dhe anashkalojnë parlamentin sa herë duan.“

Jo vetëm kandidatët konkurrentë të Pontas por edhe anëtarë të shoqërisë civile paralajmërojnë me forcë për triumfin e socialdemokratëve. Një fitore elektorale e Pontas partia e të cilit dominon që prej 2012 parlamentin me një shumicë cilësuese, do t‘i jepte atij praktikisht pushtet të pakufizuar. Kryetari i shtetit nuk ka vetëm kompetenca në politikën e jashtme dhe të sigurisë, ai është përgjegjës edhe për emërimet në poste kyçe në prokurori dhe kontrollon si ekzekutivin dhe legjislativin ashtu edhe shërbimet sekrete dhe drejtësinë.

Shteti ligjor do të merrte fund nëse Ponta do të fitonte, mendon Mircea Vasilescu, gazetar i pavarur dhe kryeredaktor i revistës së përjavshme „Dilema“. Kryeministri aktual Ponta është një populist i rrezikshëm, thotë ai. „Jo vetëm që ai nuk posedon pjekurinë e nevojshme dhe çdo lloj vizioni për postin e presidentit si dhe shifra të dobëta ekonomike. Ai është veç kësaj edhe një mjeshtër i propagandës dhe e shtyn partinë e tij të marrë masa që vënë në pikëpyetje shtetin ligjor“, thotë Vasiliescu.