1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Demokraci beduine apo teokraci islame? Nevoja e kushtetutës së re për Libinë

Pas përmbysjes së Muamar al-Gadafiit Libia ka nevojë për një kushtetutë të re - dhe kjo mund të jetë një sipërmarrje e vështirë. Ajo është e nevojshme për të krijuar një demokraci moderne me karakteristikat libiane.

Brohoritje në Tripoli

Brohoritje në Tripoli

Shoqëria libiane është një shoqëri fisnore, fiset e së cilës duhet të merren parasysh si në Kushtetutën e re, ashtu edhe në qeveri, në bazë të madhësisë së tyre. Sipas vlerësimeve të analistit politik, Hans Peter Mattes, nga Instituti gjerman i Studimeve Globale në Hamburg, aktualisht Libia ka rreth 130 fise dhe familje të mëdha. Klanet familjare jetojnë më shumë në qytetet e mëdha, fiset nga ana tjetër janë të vendosura në zonat më pak të populluara të vendit.

Këshilla rajonalë, apo parti politike?

Gëzimi i fitores ndaj Gadafit

Gëzimi i fitores ndaj Gadafit

Në mënyrë që këto fise të marrin pjesë sipas madhësisë së tyre në vendimet politike të vendit në të ardhmen, Mattes mbron në një intervistë me edicionin online të gazetës ditore "Die Welt" idenë e "demokracisë beduine, direkte." Ajo do të kishte pak gjëra të përbashkëta me modelet e demokracisë të praktikuar në Evropë, por do të merrte në konsideratë strukturën fisnore të Libisë. Pjesëmarrja demokratike, mund të organizohej nëpërmjet këshillave rajonale, ndërsa në Evropë ajo është e garantuar nga partitë e ndryshme.

Në anën tjetër Tilmann Roder nga Instituti Max Planck për ligjin e huaj publik dhe ligjin ndërkombëtar në Heidelberg sheh në Libi edhe mundësitë e një demokracie partiake. Në një intervistë në Radion Mitteldeutsche Rundfunk ai thekson se krijimi i partive mund të zgjasë disa vite.

Përzierje të ideve perëndimore të demokracisë dhe të traditave arabe

Koncepti i një "demokracisë beduine, të drejtpërdrejtë" më kujton më tepër "Loja xhirgën" afgane "mbledhjen e madhe", në të cilën anëtarët e fiseve të ndryshme sqarojnë çështje të rëndësishme kombëtare dhe etnike të përbashkëta. Kalimin e modelit gjerman, apo europian të demokracisë në Libi, Hardy Ostry, që kryeson sektorin për Afrikën në fondacionin Konrad-Adenauer, e konsideron të pakuptimtë. 

Pllakatë e Muamar al Gadafit e shpuar nga plumbat

Pllakat i Muamar al Gadafit e shpuar nga plumbat

E imagjinueshme megjithatë, do të ishte një formë e përzier, ku idetë perëndimore të demokracisë dhe traditat arabe të qëndronin përkrah njëra-tjetrës. Një vështrim në vendet e tjera në tranzicion të Afrikës Veriore tregon se kjo është e mundur, për shembull, në Tunizi. Në këtë rast sipas mendimit të Tilmann Roder edhe parimet si liria fetare për jo-muslimanët, apo barazia e gruas mund të integrohen në kushtetutë.

Ndihma e ekspertëve ligjorë nga Gjermania e mundur 

Këshilli kombëtar kalimtar planifikon që pas disa muajsh të mbahen zgjedhjet në Libi. Anëtarët e zgjedhur më pas do mbledhin një asamble, e cila të përgatisë një kushtetutë moderne për Libinë.

Në qoftë se këtu janë të dëshiruara fjalët dhe veprat, Gjermania do të jetë një adresë e mir. Në Tunizi dhe Egjipt juristët gjermanë ndihmojnë për të hartuar një kushtetutë të re. Nga Libia deri tani nuk ka ardhur ndonjë kërkesë, thotë Hardy Ostry. Ekspertiza dhe përvoja gjithsesi është në dispozicion. Së fundi eskpertët gjermanë të kushtetutës kanë ndihmuar në zhvillimin e ligjit tatimor kroat. Nga motive në shërbim të vetvetes juristët gjermanë kanë ndihmuar edhe në zhvillimin e ligjit të patentimit në Kinë.

Kontraste midis Lindjes dhe Perëndimit

Kreu i Këshillit Kombëtar Kalimtar, Mustafa Abdul Xhalil

Kreu i Këshillit Kombëtar Kalimtar, Mustafa Abdul Xhalil

Rruga drejt një kushtetute të re të Libisë sipas mendimit të Hans Peter Mattes mund të jetë e gjatë. Sipas tij është shumë e rëndësishme të parandalohet "skenari më i keq", një ndarje e vendit. Në kushtetutë duhet gjetur një kompromis midis perëndimit laik të Libisë dhe lindjes shumë të islamizuar.

Sa më shumë të zgjasë gjetja e këtij kompromisi, aq më shumë mund të dëmtohet stabiliteti i vendit. Marrëveshja ndërmjet fiseve dhe pjesëmarrja e tyre në zhvillimin e politikave publike janë themelet e Kushtetutës së re të Libisë.

Libia një teokraci e re?

Kreu i Këshillit Kombëtar Kalimtar, Mustafa Xhalil, flet për një "kthim në islam." Skeptikët perëndimorë kanë frikë tashmë, se Libia mund të bëhet një shtet islamik.

Por eksperti i Libisë, Hanspeter Mattes, nuk sheh rrezikun e një shteti të stilit teokratik iranian. Shoqëria libiane është gjithsesi konservatore fetare, prandaj në mënyrë të pashmangshme disa komponentë fetarë duhet të gjendjen edhe në kushtetutë, si në ligjin e martesës edhe në të drejtën familjare. Është e rëndësishme që kushtetuta të garantojë nevojat e popullit për liri dhe vetërealizim.

Autor: Matthias von Hellfeld/Angjelina Verbica

Redaktoi: Lindita Arapi

DW.COM