1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Demarkacioni me Malin e Zi ndan edhe më tej politikën kosovare

Në Kosovë janë shtuar zërat që marrëveshja e demarkacionit me Malin e Zi, para ratifikimit në parlament duhet diskutuar me qytetarët.

Qeveria e Kosovës është e vendosur që marrëveshjen e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi ta procedojë në Kuvendin e Kosovës për ratifikim, ndonëse akoma nuk ka caktuar datë se kur do të ndodhë kjo. Sokol Havolli, këshilltar i kryeministrit Isa Mustafa, thotë se qeveria e ka për detyrë që ta dërgojë në Kuvend marrëveshjen, ndërsa, është Kuvendi i Kosovës ai që vendos për procedurat e mëtutjeshme.

“Pastaj varet nga dinamika e Kuvendit se si do të rrjedhë ky proces. Marrëveshja duhet t'i kalojë të gjitha procedurat e nevojshme si nëpër komisione, po ashtu edhe në debat në seancë”, tha Havolli.

Në anën tjetër janë shtuar zërat që kjo çështje është mirë fillimisht të debatohet me qytetarët dhe atyre t'u paraqiten faktet e Komisionit Shtetëror Kosovar që përcaktoi vijën kufitare me Malin e Zi. Është ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë Ruari O'Connell dhe një rrjet i gjerë i organizatave të shoqërisë civile (KDI) që i kërkojnë qeverisë së Kosovës që ta shqyrtojë opsionin e debatit për këtë çështje me qytetarët dhe po ashtu të zhvillohet debat parlamentar, në mënyrë që njerëzit të njihen me faktet. “Kjo është një çështje bilaterale mes Kosovës dhe Malit të Zi dhe paraqet kusht për liberalizimin e vizave. Qeveria e Kosovës mund të shqyrtojë opsionin e hapjes së një debati publik, për t'i furnizuar qytetarët me fakte”, thotë ambasadori O'Connell.

Edhe rrjeti i organizatave joqeveritare dhe shoqërisë civile, (KDI) kërkojnë që marrëveshja e demarkacionit me Malin e Zi, para se të dërgohet për ratifikim në parlament të debatohet gjerë e gjatë në qeveri e Kuvend.

“Tashmë kur po bëhet gati një vit që nga koha e nënshkrimit të marrëveshjes për shënjimin e vijës kufitare ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi, nevoja për një debat të hapur parlamentar lidhur me këtë çështje të hapur është e domosdoshme. Shenjimi i kufijve në mes Malit të Zi dhe Kosovës, është shumë i rëndësishëm për të ardhmen politike si dhe për rritjen e nivelit të sigurisë në tërësi”, thuhet në njoftimin publik të KDI-së.

Kundërshtimet e opozitës

Partitë politike opozitare tash e gati një vit që nga nënshkrimi i marrëveshjes me Malin e Zi e kundërshtojnë atë. Sipas tyre Kosova po humb mbi 8000 mijë hektarë tokë. Ato janë të vendosura që të përdorin çdo mjet për ta kundërshtuar ratifikimin e marrëveshjes në Kuvend dhe me protesta në rrugë. Ambasadori i Britanisë së Madhe Ruari O'Connell u kërkon maturi politike partive opozitare duke u rikujtuar atyre se çfarë ndodhi gjatë protestave të dhunshme të këtij fillimviti. Mesazhet e ambasadorit britanik pasojnë porositë e ndihmëssekretares amerikane të Shtetit, Victoria Nuland, që ishte për vizitë të dielën në Prishtinë. Ajo tha se Kosova duhet t'i bëjë hapat e nevojshëm para vjeshtës dhe kështu të ruajë dinamikën e zhvillimeve pozitive.

Ndërkohë, lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) në opozitë Ramush Haradinaj, i cili është më i zëshmi kundër versionit aktual të demarkacionit me Malin e Zi, u bëri thirrje deputetëve që mos ta votojnë marrëveshjen. “Kosova është përcaktuar fuqishëm për rrugën e saj euroatlantike. Votimi kundër ratifikimit të versionit aktual të demarkacionit me Malin e Zi, veç sa e forcon këtë përcaktim tonin. Prandaj u kam bërë thirrje të gjithë deputetëve dhe faktorëve vendimmarrës që të jemi të bashkuar në votën kundër këtij versioni të demarkacionit, në mënyrë që t'i hapim rrugë zgjidhjes së kësaj çështjeje të rëndësishme për vendin”, shprehet në thirrjen e tij Ramush Haradinaj.

Opozita kosovare kërkon që marrëveshja për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi të rinegociohet, ose në rastin e fundit për këtë çështje të vendosë gjykata e arbitrazhit ndërkombëtar, sepse opozita është e bindur se Kosova po humb mbi tetë mijë hektar tokë. Qeveria nga ana e saj është e bindur që komisioni qeveritar që shënjoi vijën kufitare me Malin e Zi ka qenë korrekt në punën e tij. Këtë sipas qeverisë e vërtetoi edhe një komision ndërkombëtar që u thirr nga ish-presidentja Atifete Jahjaga.

Hoxhaj: Demarkim i kufirit me Malin e Zi e shndërron atë në kufi ndërkombëtar

Ministri i punëve të jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj, përmbylljen e çështjes së demarkacionit të kufirit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi e sheh si shumë të rëndësishme për pozicionin e Kosovës në arenën ndërkombëtare. “Kosova ende nuk është shtet anëtar i OKB-së dhe unë e di se çka nënkupton kjo. Çdo demarkim i kufirit me Malin e Zi e shndërron atë në kufi ndërkombëtar dhe e dimë peshën se sa ia vlen të përmbyllet një proces i tillë”, thotë shefi i diplomacisë kosovare Enver Hoxhaj.

Por pse erdhi deri të kjo situatë kur pozita dhe opozita kanë pikëpamje të ndryshme për një pjesë të kufirit të vendit? Naim Rashiti, nga Instituti për Politika Ballkanike i tha DW se për çështje nacionale çfarëdo qofshin ato, duhet një përfshirje më e gjerë e gjithë spektrit politik, intelektual dhe shkencor.

“Demarkacioni dhe çështje të tjera, siç janë dialogu me Serbinë, transformimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) dhe çështje të tjera që do të vijnë në të ardhmen, janë çështje të interesit nacional. Në veçanti në rastin e Kosovës këto procese janë të reja dhe Kosova nuk ka përvojë, prandaj për këto zhvillime duhet një proces me përfshirje të gjerë, ashtu që të krijohet një klimë më e përshtatshme për përmbylljen e këtyre proceseve. Kjo nuk ka ndodhur”, thotë Naim Rashiti. Sipas tij, kundërshtimet e ashpra ndërmjet partive në pushtet dhe partive në opozitë kanë krijuar perceptimin që diçka nuk është në rregull më këtë proces.

“Dhe në kuadër të një konflikti politik mes qeverisë e opozitës, marrëveshja e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi ka shkaktuar ndasi të mëdha në shoqëri. Shumë njerëz mendojnë se diçka nuk është në rregull. Ndoshta edhe është në rregull, por procesi politik është kyç për përmbylljen dhe përfundimin e demarkacionit. Prandaj krejt çka ka ndodhur është mungesa e një procesi gjithëpërfshirës dhe dialogut politik në mes partive parlamentare për procesin e demarkacionit”, thotë Naim Rashiti.

Marrëveshja e demarkacionit të kufirit të Kosovës më Malin e Zi, u nënshkrua në 26 gusht të vitit 2015. Pas kundërshtimeve të opozitës se me këtë marrëveshje Kosova po humb mbi tetë mijë hektarë tokë, me kërkesë të ish-presidentes Atifete Jahjaga, u thirr një komision ndërkombëtar me ekspertë amerikanë, britanikë dhe gjermanë, që verifikoi punën e komisionit shtetëror të Kosovës. Komisioni ndërkombëtar konstatoi se përcaktimi i vijës kufitare me Malin e Zi është bërë në mënyrë të rregullt, mirëpo, nuk ka qenë transparent sa duhet. Opozita kosovare nga ana e saj, thotë se komisioni ndërkombëtar vetëm ka verifikuar punën dhe metodologjinë e përdorur nga komisioni shtetëror i Kosovës, ndërsa, nuk ka trajtuar fakte dhe metodologji të tjera që sipas tyre e vërtetojnë që Kosova po humb territor.