1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Demalia: Në ambasadën gjermane ato ditë patëm dashuri dhe solidaritet të fortë me njëri-tjetrin

4 Korrik 2010

Ilir Demalia, jeton sot në SHBA. Këto ditë është kthyer në Tiranë, për të kujtuar me të tjerë 2 korrikun e 20 viteve më parë.

https://p.dw.com/p/OATf
Ilir DemaliaFotografi: privat

Deutsche Welle: Zoti Demalia, një nga ditët e korrikut të 20 viteve më parë ju u futët në ambasadën gjermane. Pse zgjodhët ambasadën gjermane?

Ilir Demalia: Unë kam qenë tifoz me anglezët dhe ëndërra ime ka qenë të shkoja në SHBA. Meqë në këtë kohë në Tiranë nuk kishte ambasadë angleze apo amerikane, unë zgjodha Gjermaninë. Përveç kësaj, kisha edhe bindjen se çfarëdo që të ndodhë ambasada gjermane nuk do të na dorëzojë.

Deutsche Welle: Domethënë e ndienit veten më të sigurt. Por, a keni ndonjë shpjegim, pse pjesa më e madhe e njerëzve që u futën nëpër ambasada zgjodhën atë gjermane?

Ilir Demalia: Mendoj se ata që hynë tek ambasada italiane donin të shkonin në Itali, ata që kishin afeksion për Gjermaninë, hynë në ambasadën gjermane. Por kur u bë shpërthimi i madh dhe kur ambasadat filluan herë të mbylleshin e herë të hapeshin, atëherë njerëzit nuk pyesnin më ku të hynin, por ku të gjenin rrugë që të hynin. Është fakt që ambasada gjermane me një territor shumë të vogël në krahasim me ambasadën italiane, e cila kishte 800 vetë dhe gjithë atë territor, mbajti 3200 vetë. Dhe me këtë rast dua ta falenderoj ambasadën gjermane nga ana ime. Shteti shqiptar është turp që nuk e ka bërë ende deri tani.

Unë dua të falenderoj të gjithë personelin e ambasadës gjermane për sakrificën dhe mundin dhe atë stoicitet që mbajtën. 12 vetë nga personeli i ambasadës mbajtën 3200 vetë në një kohë kur ndalua furnizimi me ushqime, nuk u lejua nga qeveria e Tiranës të uleshin avionët për të prurë ndihma, për të prurë çarçafë dhe krevatë portativë. Për 13 ditë rresht njerëzit kanë fjetur në tokë, territori i ambasadës gjermane u bë mender një banjo gjigande, ku aty urinohej, ku aty bëhej jashtëqitje. Domethënë humbi çdo nocion njerëzor. Por nuk ndodhi asnjë incident nga të 3200 vetët që ndodheshin aty. Të gjithë e trajtuan njeri-tjetrin me një dashuri dhe kishte një solidaritet shumë të fortë. Unë e di që në ambasadë ka pasur njerëz që jashtë kanë pasur probleme me njeri tjetrin, kurse aty përkundrazi, të gjithë u munduan të ndihmojnë njëri tjetrin dhe sigurisht personeli i ambasadës ka qenë i jashtëzakonshëm, i jashtëzakonshëm.

E përsëris, më vjen keq që shteti shqiptar nuk u ka dhënë asnjë dekorim moral të gjitha ambasadave për atë që bënë. Sepse paradoksi është se shteti shqiptar pranon rrëzimin e sistemit komunist, pranon këtë pranon atë, dhe nuk vlerëson ata njerëz që kontribuan në rrëzimin e sistemit komunist. Sepse kanë komplekse inferioriteti, sepse maxhoranca e kësaj klase politike ka qenë në shërbim të sistemit komunist me detyra ose si bashkëpunëtor të sigurimit të shtetit.

Ilir Demalia në korrik 1990 në Berlin. Muri i Berlinit kishte rënë para nëntë muajsh, por ende nuk ishte shembur në të gjitha zonat e qytetit.
Ilir Demalia në korrik 1990 në Berlin. Muri i Berlinit kishte rënë para nëntë muajsh, por ende nuk ishte shembur në të gjitha zonat e qytetit.Fotografi: privat

Deutsche Welle: Çfarë kujton njeriu 20 vjet pas kësaj ngjarjeje? Cilat momente Ju vijnë ndër mend?

Ilir Demalia: Në jetë njeriu ka shumë ngjarje, por ngjarja e ambasadave ngelet një ngjarje që nuk mund të shlyhet kurrë nga jeta ime. E para sepse është një ngjarja që i dha grushtin më të fuqishëm regjimit komunist të Tiranës. Kjo ngjarje ishte prirë nga ngjarje të tjera të mëparshme që ndodhen fill pas pushkatimit të Nikolae Çausheskut më 25 dhjetor të vitit 1989, filluan revoltat në Kavajë, në Shkodër, demostrata e heshtur në Tiranë, filluan hyrjet individuale ose në grupime të vogla nëpër ambasadat e ndryshme, Pra jo vetëm ngjarja e ambasadave është moment është i pashlyeshëm në jetën time, por e gjithë ajo periudhë që prej rrëzimit të Çausheksut e deri kur jam larguar nga Shqipëria, është një periudhë me një ngarkesë shumë të fortë emocionale dhe me një shpresë të madhe për të shkuar drejt lirisë. Dhe ajo që nuk mund të harroj kurrë në jetën time është që natën që jemi larguar nga Shqipëria, kur kemi hyrë në ujrat ndërkombëtare dhe shoqëroheshim nga anijet luftarake italiane dhe helikopterët e ushtrisë italiane me flamujtë e OKB-së, aty për herë të parë kam ndier erën e lirisë, frymëmarrje të madhe, m'u duk një hapësirë e madhe. Thashë më në fund jam i lirë.

Mbërritja më 13 korrik 1990 në Brindizi e rreth 5000 shqiptarëve të ambasadave.
Mbërritja më 13 korrik 1990 në Brindizi e rreth 5000 shqiptarëve të ambasadave.Fotografi: Ilir Demalia

Deutsche Welle: A ju kujtohet kur zbritët në Brindizi, çfarë ndodhi?

Ilir Demalia: Dua të kthehem pak më përpara zbritjes në Brindizi. Mua më kujtohet nata që jemi larguar, unë jam larguar i fundit nga ambasada gjermane. Unë i kam thënë ambasadorit Daun që unë nuk dua të largohem, që dua të qëndroj në vend sepse dua të bëj rezistencë. Kam pasur shumë shumë dëshirë në atë kohë që brenda ambasadës të lidhesha me Zërin e Amerikës. Por siç më sqaroi personeli i ambasadës nuk ishte e mundur sepse "ne ju kemi strehuar por nuk mund të përdorim territorin e Ambasadës për propagandë kundër shtetit". Një apo dy netë përpara se të largoheshim ne, ishte momenti kur do të largoheshin njerëzit që kishin hyrë në ambasadën çeke. Ambasada çeke ishte përballë ambasadës gjermane. Kudo zotëronte një heshtje varri. E keni parasysh e rrethuar me ushtri, me polici, i gjithë territori i ambasadave. Kur erdhën autobusët për të marrë ata 40 vetë që do t'i çonin me avion në Pragë, një djalë ka dalë i pari dhe kishte një fotografi të madhe të Vaslav Havelit. Në këtë kohë e gjithë ambasada gjermane, 3 mijë vetë filluan të bërtisnin Havel, Havel, Havel. Sigurimi, policia ushtria nuk dinin ç`të bënin, U tund Tirana duke bërtitur Havel Havel. Unë edhe sot kur e kujtoj ndiej emocione të jashtëzakonshme. Janë momentet më të bukura dhe më të trishtueshme, më të rrezikshmet dhe më të bukurat njëkohësisht.

Dhe pas kësaj erdhën autobusat në rrugën e ambasadave, filluan të ngarkohen. Siç thashë kam dalë i fundit.

Kur dolëm nga ambasada dolëm në Rrugën e Kavajës, dhe në të dy anët e rrugës kishte qytetarë të Tiranës. Më është dukur si një ceremoni mortore, jo si dalje drejt lirisë. Pastaj shkuam në Durrës. Atje para se të hipja në traget kisha përplasje me njerëzit e sigurimit sepse më shanin. Pastaj patëm një moment i cili është filmuar dhe shfaqur disa herë në televizion. Kam thënë "mirupafshim atdhe, kur të vijmë me Shqipëri të lirë." Kemi hipur në traget, kam qenë i tronditur, i lodhur, më zuri gjumi në një kabinë. Duke gdhirë mëngjesi, kishim hyrë në ujrat ndërkombëtare, kur dëgjova thirrje të llahtarshme "liberta, liberta". Në moment u çova i tronditur, dola në bordin e anijes, dhe pashë që ishim të shoqëruar nga ushtria italiane me flamujtë e OKB-së. Ishte një moment shumë më i madh, ndoshta mund të them momenti më i madh në jetën time...

Deutsche Welle: Zoti Demalia, keni pasur mundësi ta tregoni këtë histori siç keni dashur vetë ta tregoni?

Ilir Demalia: Po, në vitin 1995 kam shkruar një libër, e kam shkruar me shpejtësi, është shkruar bruto, pa zbukurime pa ndonjë përpunim letrar, thjesht gjithë kujtimet e mia. E kam bërë për të lënë një dokument historik. Po të kem kohë do t'i kthehem sërish asaj ngjarjeje sepse ka shumë për të folur. Njerëz që më kanë ´takuar më thonë se janë emocionuar kur e kanë lexuar. Fakt është se vetë ngjarja të emocionon.

Deutsche Welle: Ju duket sikur keni parë një film kur kujtoni atë kohë, apo ju duket se keni qenë aktori kryesor i atij filmi?

Ilir Demalia: Është krijuar opinioni se unë kam qenë protagonisti kryesor që kam organizuar ambasadat. Nuk është e vërtetë, unë nuk kam organizuar njeri. Madje as tim vëllai nuk i kam thënë kur kam hyrë. Kam hyrë vetëm, pastaj ka ardhur im vëlla. Por ajo për të cilën unë u bëra protagionist dhe Tirana, vendi ku unë kam lindur dhe jam rritur më njeh, është që kam qenë njeri i protestës, më njeh që kam qenë njeri i rebeluar, nuk isha pjesë e formatit të asaj shoqërie. Në ambasadë unë u bëra protagonist për qëndrimin që mbajta, për atë që u mundova të flas brenda ambasadës, për gjithshka që kam bërë brenda në ambsadë. Ajo që është pas ambasadave, është se do të doja shumë më tepër njerëz të ishin marrë me këtë ngjarje, sepse në ambasada ka pasur 5800 vetë, ka pasur shumë njerëz të edukuar, të zgjuar, njerëz që dinë të shkruajnë dhe më habit fakti që nuk janë marrë me këtë ngjarje. Do të kishte qënë më mirë që të ishin marrë më shumë njerëz me këtë ngjarje për t`i dhënë vendin e duhur kësaj ngjarjeje në historinë e shkatërrimit të komunizmit në Shqipëri. Jo për t`i bërë heronj këta njerëz, por ngjarja ka qenë grushti që goditi regjimin komunist në Shqipëri dhe i tregoi botës çfarë po ndodh në këtë vend.

Intervistoi: Aida Cama

Redaktoi: Pandeli Pani