1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Dekret i ri për ndalimin e udhëtimit në SHBA?

Martin Ganslmeier
13 Shkurt 2017

Presidenti i SHBA, Donald Trump kërkon ta zbatojë ndalimin e hyrjes në SHBA për shtetasit nga vende myslimane edhe pas një dështimi para një gjykate të apelit. Ai përfytyron një dekret të dytë.

https://p.dw.com/p/2XRH9
Bildkombo Trump Mexiko Demonstration

Që të shtunën në mëngjes, Presidenti i SHBA, Donald Trump dërgoi nga shtëpia e tij e fundjavës në Florida një mesazh me twitter: "Sistemi ynë i drejtësisë është i shkatërruar!", u ankua Trump. Sipas tij, 77 përqind e refugjatëve që hyjnë tani në SHBA vijnë nga shtatë shtetet e dyshuara. Dhe duke shkruar me gërma të mëdha dhe duke e shoqëruar me pikëçuditëse, Trump plotësoi: "SA E RREZIKSHME!"

Deklarata në Air Force One

 
Ndonëse ka dekada që nuk janë ndërmarrë atentate terroriste nga shtetasit e vendeve kryesisht myslimane në fjalë: Trumpi dëshiron që ta zbatojë patjetër ndalimin e hyrjes në SHBA. Në bordin e Air Force One ai u tha reporterëve se që të hënën ose të martën mund të pasojë një ndalim tjetër për të hyrë në SHBA. "Këtë betejë ne do ta fitojmë. Por ne kemi edhe shumë mundësi të tjera, midis tyre bën pjesë nxjerrja e një udhëzimi të ri. Sepse për arsye sigurie ne duhet ta shtojmë ritmin. Mund të rezultojë shumë e mirë, që e bëjmë këtë".

Një dekret i dytë për ndalimin e hyrjes mund të eleminojë gabimet e dekretit të parë. Ai mund të përmbajë përjashtime për njerëz me Green Card ose që kanë Viza. Kjo do të kishte përparësi, se qeveria e Trumpit nuk do të merrej me javë të tëra me grindje juridike. Po ky do të ishte një pranim se dekreti i parë i tij ishte i përshpejtuar dhe me difekte të mëdha në hartim. Edhe për këtë arsye Trumpi do ta mbajë të hapur rrugën e drejtësisë, deri në Gjykatën më të Lartë. Por ekspertët thuajse nuk shohin shanse që Supreme Court i përbërë me katër gjykatës konservatorë dhe katër liberalë do ta sjellë në fuqi sërish ndalimin e mëparshëm të udhëtimit. Meqenëse katër gjykatësit liberalë do të votonin në bllok kundër dekretit të Trumpit, ai do të mbetej jashtë fuqisë. Të gjitha këto flasin për një ndalesë të re për të udhëtuar javën e ardhshme.

Ndarja e pushtetit

Eksperti juridik që ka punuar më parë në Harvard, Alan Dershowitz i tha CNN: "Tani ai po e kupton më në fund, se ne kemi një sistem të ndarjes së pushteteve. Jo vetëm gjykatat, edhe shtetet federale kanë mundësi ta kontrollojnë qeverinë e SHBA".

Trumpi ndërkohë ka sinjalizuar për masa të tjera sigurie javën e ardhshme, por pa i sqaruar masat. Veç kësaj u bë e ditur se qeveria e Trumpit ka nisur me sa duket të veprojë më me ashpërsi kundër imigrantëve ilegalë. Sipas një informacioni të "Washington Post", autoritetet e imigrimit arrestuan dhe dëbuan javën e kaluar qindra imigrantë ilegalë pa dokumenta qendrimi. Midis tyre qenë edhe nëna e baballarë, fëmijët e të cilëve kanë lindur në SHBA. Qeveria foli për masa rutinë, kurse grupe të të drejtave të njeriut i kritikuan masat si aksione me intensitet të pazakontë.