1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Deklarata qeveritare: Merkeli sheh thuajse vetëm suksese

Marsel Fürstenau / Auron Dodi29 Janar 2014

Në deklaratën e saj qeveritare, kancelarja gjermane e lëvdon politikën e saj të vjetër dhe të re. Vendeve me vështirësi ekonomike, Merkeli u rekomandon modelin gjerman. Dhe dyshime parimore ndaj SHBA ajo nuk ka.

https://p.dw.com/p/1Az7h
Angela Merkel Regierungserklärung 29.01.2014
Fotografi: John Macdougall/AFP/Getty Images

Deklarata e parë për politikën e qeverisë e kancelares në koalicionin e me bazë të gjerë (CDU/CSU dhe SPD) filloi me një vështrim pas. Angela Merkeli kujtoi të mërkurën (29.01.2014) në Bundestagun Gjerman fillimin e mijëvjeçarit: "Atëherë Gjermania konsiderohej si i sëmuri i Evropës", tha kristjandemokratja. "Gati pesë milionë të papunë tregonte statistika atëherë, sot janë dy milionë më pak." Prandaj rendin e atëhershëm ekonomik e quajtën "model të vjetëruar". "Sot gjendja në Gjermani është kaq e mirë, sa nuk ka qenë prej kohësh."

Ekonomia shënon rritje, njerëzit e shikojnë të ardhmen me optimizëm, siç e kanë parë për herë të fundit kur ra Muri i Berlinit. Gjermania është "motori i rritjes" dhe "spiranca e stabilitetit" në Evropë, tha kryetarja e qeverisë, që u rizgjodh në dhjetor për herë të tretë në detyrë. Gjermania kontribuon që të kapërcehet kriza e borxheve shtetërore. Koalicioni i madh i përbërë nga konservatorët dhe socialdemokratët ka pretendimin "jo vetëm që të dalë në njëfarë mënyre nga kriza, por të dalë më i fortë se ka hyrë në të."

Rregullim i përshtatshëm i tregjeve financiare

Burime të politikës së saj janë liria, shteti juridik, fuqia ekonomike dhe drejtësia. Si objektiva, Merkeli përmendi financat e qendrueshme, investimet, forcimin e kohezionit social dhe aftësinë "për të marrë përgjegjësi në Evropë dhe në botë". Gjermania do të jetë mirë, vetëm kur të jetë mirë Evropa. Nën përshtypjen e krizës së borxheve shtetërore, Merkeli u shpreh "për një rregullim të përshtatshëm" të tregjeve financiare. Ai që i hyn një rreziku, ai mban përgjegjësi edhe për humbjet, jo taksapaguesi, tha ajo.

Bashkimi ekonomik dhe monetar duhet të thellohet. Tregu i brendshëm evropian, marrëdhëniet me botën e jashtme si dhe politika energjetike dhe e klimës duhet të koordinohen me njëra-tjetrën. Çdo vend duhet t'i bëjë detyrat e tij të shtëpisë në pikëpamje financiare. Në vitin 2015 Gjermania nuk do të marrë borxhe të reja, bëri të ditur Merkeli. Gjendjen e mirë të buxhetit, Gjermania ia dedikon ekonomisë që lulëzon. Kjo ka bërë që të ardhurat në taksa të arrijnë shumë rekord. Ngritjen e taksave Merkeli e përjashtoi.

Angela Merkel Regierungserklärung 29.01.2014 Plenum
Salla plenare e Bundestagut (parlamenti gjerman)Fotografi: picture-alliance/dpa

Korrigjime të "Agjendës 2010"

Në mënyrë të detajuar, Merkeli u ndal në masat e planifikuara të koalicionit me bazë të gjerë në politikën sociale dhe ekonomike. "Agjenda 2010", e kohës së kancelarit socialdemokrat Gerhard Schröder, të cilën Merkeli e lëvdoi në parim, ka sjellë sipas saj edhe shpërdorime. Si shembull Merkeli përmendi punonjësit e përkohshëm. Njëkohësisht, Merkeli i mbrojti përjashtimet për pagat minimale ligjore, prej 8,50 euro në orë, për të cilat ka rënë dakord koalicioni i përbërë nga CDU/CSU dhe SPD (kristiandemokratë / kristiansocialë dhe socialdemokratë). Në këtë drejtim, kancelarja bëri thirrje për përgjegjësinë e partnerëve të tarifave, të punëdhënësve dhe të sindikatave.

Mungesën e fuqisë së specializuar punëtorë në Gjermani, kancelarja synon ta luftojë me migrim të përcaktuar. Për këtë nuk do të lejohet "një migrim faktik në sistemet sociale", theksoi Merkeli. Dhe që prej vitit 2016, 30 përqind e posteve në këshillat mbikqyrëse të sipërmarrjeve të orientuara në bursë, duhet t'u jepen grave. "Puna bindëse shumëvjeçare nuk bëri efekt, prandaj ne duhet ta bëjmë këtë hap", e argumentoi kancelarja këtë vendim të koalicionit.

Në mënyrë të hollësishme u mor Merkeli në deklaratën njëorëshe për politikën e qeverisë me përgjimin e internetit nga shërbimi i fshehtë amerikan, NSA, i cili besohet që ka përgjuar edhe celularin e saj. Ajo foli për nevojën për ta mbrojtur internetin nga "shkatërrimi brenda, prej veprimeve kriminele dhe kontrolli jotransparent nga jashtë." Brenda këtij viti do të hartohet një "agjendë digjitale", tha Merkeli. Në rrafshin evropian, standardi gjerman i mbrojtjes së të dhënave nuk duhet të zbutet "në mënyrë joproporcionale", shpreson Merkeli. Puna e shërbimeve të fshehta mbetet gjithsesi e nevojshme për mbrojtjen e vendit dhe të bashkëpunimit ndërkombëtar.

Deklaratë pro angazhimit ndërkombëtar

Përmbledhtazi, lidhur me aferën e NSA-së, Merkeli tha se bëhet fjalë për proporcionet. Pa lënë mundësi keqkuptimi, ajo kritikoi përgjimin e shteteve partnere dhe të organizatave ndërkombëtare. "Jo, ky nuk mund të jetë veprim i drejtë", tha ajo. Midis aleatëve duhet të ekzistojë besim. Përndryshe, në fund nuk "rezulton më tepër siguri, por më pak siguri", tha kryetarja e qeverisë gjermane.

Së fundi, kancelarja premtoi që Gjermania do ta vazhdojë angazhimin e saj në Afganistan, por edhe në Ballkan dhe në Mali. Merkeli theksoi këtu se asnjë konflikt nuk mund të zgjidhet "thjesht ushtarakisht". Gjermania mbështet ndërthurrjen e mjeteve ushtarake me ato civile.

.