1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Deklarata e kancelares Merkel për shpëtimin e euros

Një javë para samitit të BE-së në Bruksel (8.-9.12.2012), kancelarja gjermane Angela Merkel dha një deklaratë qeveritare në debatin për borxhet. Merkel kërkon ndryshimin e marrëveshjeve të BE-së për kapërcimin e krizës.

Kancelarja gjermane Angela Merkel në Bundestag, 02.12.2011

Kancelarja gjermane Angela Merkel në Bundestag, 02.12.2011

BE gjendet në krizën më të rëndë që prej futjes së euros, ndoshta që prej fillimit të bashkimit evropian. Kjo është diagnoza e kancelares Angela Merkel, një javë para samitit të BE-së në Bruksel. Shkak për këtë krizë janë borxhet tej kufijve të lejuar dhe mungesa e aftësisë konkurruese të shteteve.

Zgjidhja e krizës është proces dhe kërkon kohë

Për këtë tashmë të gjithë janë të një mendje në Evropë. Gjithashtu të një mendje janë të gjithë edhe se duhen luftuar shkaqet që të zgjidhet kriza aktuale dhe të shmangen kriza të reja. Por kjo nuk mund të ndodhë brenda natës: "Qeveria gjermane ka bërë gjithnjë të qartë se kriza evropiane e borxheve nuk mund të zgjidhjet brenda natës me një lëvizje çliruese. Zgjidhja e krizës së borxheve është një proces dhe ky proces do të zgjasë me vite", - deklaroi Merkel.

Në përpjekjet për zgjidhjen e krizës janë bërë megjithatë mjaft përparime. Kështu është ecur përpara drejt krijimit të një unioni fiskal, një kusht i rëndësishëm për forcimin e unionit të përbashkët ekonomik dhe monetar.

Nuk ka përpjekje gjermane për dominancë në Evropë

Kjo kërkon edhe ndryshimin e marrëveshjeve evropiane dhe sanksione automatike ndaj atyre vendeve që shkelin rregullat për kufijtë e borxhit. Gjermania dhe Franca të hënën (5.12.) do të hartojnë propozime të përbashkëta, të cilat do t'i prezantojnë në samitin e BE-së. Akuzat ndaj Gjermanisë për dominancë në Evropë, janë megjithatë krejt pavend, tha Merkel: "Ne angazhohemi për një kulturë të caktuar stabiliteti dhe rritjeje ekonomike, por e bëjmë këtë në frymën evropiane të Konrad Adenauer-it dhe Helmut Kohl-it. Bashkimi gjerman dhe ai evropian ishin dhe janë dy anë të së njëjtës medalje dhe këtë ne nuk do ta harrojmë kurrë." Merkel nënvizoi edhe njëherë se nuk mund të ketë përgjegjësi të përbashkët për mëkatarët e borxheve.

Kritika të ashpra të opozitës

Kancelarja i dha kështu fund edhe diskutimit për eurobondet. Me këtë pozicion kancelarja Merkel ngjalli kundërshtim të fortë në radhët e opozitës. Kryetari i grupit parlamentar të të gjelbërve Jürgen Trittin tha, se borxhet që tani po mbahen në supe të përbashkëta. Trittin kërkoi një fond evropian për shlyerjen e borxheve dhe një licencë bankare për fondin për shpëtimin e euros. Kryetari i grupit parlamentar të socialdemokratëve Frank Walter Steinmeier e akuzoi Merkelin se me pavendosmërinë e saj ka kontribuar në ashpërsimin e krizës së euros.

Kryetari i grupit parlamentar të socialdemokratëve Frank Walter Steinmeier

Kryetari i grupit parlamentar të socialdemokratëve Frank Walter Steinmeier

"Kriza e Evropës është thelluar në mënyrë dramatike. Dhe ju Zonja Merkel, ju dhe kjo qeveri, nuk jeni shkaku i saj por me pavendosmërinë tuaj, mungesën e vendimeve keni kontribuar në të. Sjellja juaj nuk kontribuon në stabilitetin e situatës në Evropë. Përkundrazi: ky koalicion konservatoro-liberal, i cili nuk është në një mendje për asgjë, rrezikon stabilitetin në Evropë. Kjo është e vërteta", - deklaroi Steinmeier.

Më thelbësore ishte kritika e të majtëve. Shkaku i krizës nuk janë borxhet e shteteve, por pushteti i bankave, shoqërive të sigurimit dhe fondeve të investimit, tha Gregor Gysi, kryetari i grupit parlamentar të partisë "E Majta". Ai kërkoi që bankat e mëdha private të kthehen në institute publike. Vetëm kështu mund të luftohet kriza. Masat e marra deri tani nga politika sjellin vetëm reduktim të sektorit social, varfërim dhe kufizim të të drejtave demokratike:

Gregor Gysi, kryetari i grupit parlamentar të partisë E Majta

Gregor Gysi, kryetari i grupit parlamentar të partisë "E Majta".

"Kjo është e papranueshme. Në Itali, në Greqi angazhohen teknokratë në drejtimin e vendit, pa zgjedhje, pa ndryshim. Thjesht dërgohen në shtëpi qeveritë që nuk i duan më dhe angazhohen njerëz, të cilët i pëlqejnë BE-së. Kështu po përjetojmë një reduktim dramatik të demokracisë."

Kritika e opozitës ndaj politikës së qeverisë ishte e ashpër. Por tregjet financiare reaguan pozitivisht. Kurset në bursën e Frankfurtit shënuan rritje, pas deklaratës qeveritare të kancelares Merkel.

Autor: Bettina Marx / E. Xhani

Redaktoi: Aida Cama