1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Dekada e parë rome 2005 - 2015

Nexho Osman / Aida Cama4 Gusht 2010

Dekada e parë rome, u shpall në vitin 2003 në konferencën rajonale të Budapestit, nga një nismë e tetë vendeve evropiano- juglindore. Ajo përfshin periudhën kohore nga 2005 deri në 2015.

https://p.dw.com/p/Mp0b
Fotografi: picture-alliance/Christian Für

Dekada e parë rome detyron vendet që marrin pjesë në të, që të përpilojnë programe dhe të bëjnë reforma për përmirësimin e gjendjes së romëve. Vendet pjesëmarrëse janë Bullgaria, Kroacia, Çekia, Hungaria, Maqedonia, Rumania, Serbia, Mali i Zi dhe Sllovakia.

Partnerët ndërkombëtarë janë Fondi për Shoqëri të Hapur, Banka Botërore, Komisioni Evropian, Programi për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara (UNDP), OEBS, Këshilli i Evropës, Banka për zhvillim e Këshillit të Evropës. Deklarata u nënshkrua në Sofje më 2 shkurt 2005 nga kryeministrat e të gjitha vendeve anëtare.

Pjesë të deklaratës

Lidhur me stimujt që u dhanë në konferencën "Romët në Evropën e zgjeruar - Thirrje për të ardhmen", ne premtojmë se qeveria jonë do të punojë për heqjen e diskriminimit dhe mënjanimin e konfliktit midis romëve dhe pjesës tjetër të shoqërisë.

Në zbatimin e programit "Dekada e romëve" nuk do të bëhet asgjë pa pjesëmarrjen e përfaqësuesve të komunitetit rom dhe organizatave joqeveritare të romëve. Ata duhet të marrin pjesë në vendosjen e objektivave të dekadës, dhe duhet të luajnë një rol kryesor në vëzhgimin e objektivave të arritura.

Dekada e romëve kërkon të nxisë vlerat e antidiskriminimit, ajo lufton për pjesëmarrjen e romëve në shoqëri, stimulon barazinë dhe ka si synim t'i japë fund segregacionit të komunitetit rom.

Prioritetet e dekadës janë arsimi, shëndetësia, punësimi dhe banimi. Tri prioritetet shoqëruese varfëria, barazia gjinore dhe diskriminimi.

Gjendja e romëve në Evropë

Protestë e sinti dhe roma në Itali kundër marrjes së shenjave të gishtërinjve.
Protestë e sinti dhe roma në Itali kundër marrjes së shenjave të gishtërinjve.Fotografi: picture-alliance/dpa

Në Evropë jetojnë nga 8 deri 12 milionë romë. Kjo përbën 2 përqind të 450 milionë banorëve të Bashkimit Evvropian. Rreth 10 milionë romë jetojnë në Evropën Qendrore dhe Juglindore, prej tyre 5 në vendet kandidate të Bashkimit Evropian. Për shkak të zgjerimit të BE-së, romët janë kthyer në pakicën më të madhe dhe të më varfër etnike. Varfëria, diskriminimi dhe segregacioni shihen si arsyet kryesore të zhvillimit të keq të romëve.

Në disa vende romët janë madje dhjetë herë më të varfër se pjesëtarët e tjerë të shoqërisë. Në procesin e tranzicionit romët janë të parët që mbeten pa punë. Rreth 90 përqind e romëve nuk kanë përfunduar shkollën, 50 deri 85 përqind të fëmijëve romë shkojnë në shkolla speciale. Shumica e romëve jetojnë në pjesë të qyteteve ku infrastruktura nuk është e mjaftueshme.

Jetëgjatësia mesatare e romëve është 10 deri 15 vjet më e shkurtër se ajo e pjesës tjetër të shoqërisë.

Burimi: Shërbimi për të drejtat e njeriut dhe të drejtat e pakicave