1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Deimel: Kosova para sfidave të mëdha

"Kosova ka arritur rezultate pozitive në gjashtë vjetët e kaluara, por ajo ka përpara edhe shumë sfida të mëdha", thekson në intervistë për DW, Johanna Deimel, zëvendësdrejtore e Shoqatës për Evropën Juglindore.

DW: Kosova po feston gjashtëvjetorin e pavarësisë së saj, por ajo ende po përballet me probleme të mëdha. Shumë politikanë dhe analistë flasin për një shtet të papërfunduar. Ç'është bërë dhe çfarë ka mbetur përfunduar në gjashtë vitet e kaluara?

Johanna Deimel: Sa i përket arritjeve pozitive, në këto gjashtë vjet është bërë një lloj konsolidimi i institucioneve të shtetit. Kosova si shtet i pavarur është etabluar në suazat ndërkombëtare, sepse gjithnjë e më shumë vende po e njohin pavarësisë e saj. Në dialogun mes Kosovës e Serbisë është dëshmuar se si mund të zgjidhen problemet. Në veri të Kosovës janë përcaktuar kufijtë e jashtëm dhe është siguruar tërësia territoriale e vendit. Këto janë gjërat pozitive, por për fat të keq, ka dhe anë negative. Pesë vende të Bashkimit Evropian ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Kjo sjell probleme të mëdha, ndaj më duhet të them se Kosova, ende nuk është një shtet i papërfunduar deri në fund.

DW: Çfarë duhet bërë për t'i bindur edhe këto pesë vende të BE-së për ta njohur Kosovën, pasi ky fakt është një problem shumë i madh jo vetëm për Kosovën por edhe për vet BE-në?

Dr. Johanna Deimel

Dr. Johanna Deimel

Johanna Deimel: Ky ëshë vërtetë një problem i madh. Rruga më e mirë është që Kosova të dëshmojë me vepra se është në gjendje t'i ndërtojë institucionet demokratike. Sfida e radhës janë zgjedhjet parlamentare. Nëse më kujtohet mirë: Kosova në zgjedhjet e fundit parlamentare nuk ka dhënë një shembull shumë të mirë të zgjedhjeve demokratike, sepse ka pasur dyshime për mashtrime masive. Kjo hap edhe çështjen e legjitimitetit të përfaqësuesve politikë. Në anën tjetër, disa prej këtyre vendeve kanë frikë ta njohin pavarësinë e Kosovës për shkak të problemve të brendshme, si për shembull Spanja, ku në nëntor do të mbahet referenduzmi i Katalonjës. Qiproja ka problemet e saj të pazgjidhura, të cilat prekin edhe Greqinë. Sllovakia ka shënuar me sa di unë disa lëvizje, por qëndrimi i saj nuk është i lidhur vetëm me çështjen e Kosovës. Por, po e përsëris edhe një herë, rruga më e mirë për Kosovën është konsolidimi i shtetit juridik dhe ndërtimi i institucioneve demokratike, e këtu ka ende nevojë për punë.

DW: Në cilët sektorë ka më së shumti nevojë që të punohet, ku janë mangësitë më të mëdha? Cilat janë prioritetet e tjera të Kosovës, përveç zgjedhjeve parlamentare?

Johanna Deimel: Mendoj se zgjedhjet parlamentare janë detyra kryesore, sepse e gjithë bashkësia ndërkombëtare është e interesuar që këto zgjedhje të kalojnë pa dhunë dhe në një frymë demokratike. Minoritetit serb duhet t'i bëhen oferta konkrete, sepse shumë gjëra po bëhen vetëm si pasojë e presioneve të jashtme. Problemi tjetër është sistemi juridik, ku edhe më tej ka ndërhyrje tepër të mëdha, gjë që natyrisht ndikon edhe në hezitimin e investorëve të huaj. Këtu kemi edhe problemin e mediave, privatizimin tepër të ngadalshëm. Trepça ende nuk është privatizuar. Nuk është zgjidhur problemi i privatzimit të telekomunikacionit, etj. Këto gjëra nuk janë bërë për shkaqe të ndryshme, por një prej shkaqeve më të mëdha është influenca politike në marrjen e vendimeve.

DW: Si pasojë e pakënaqësive të mëdha me zhvillimet në Universitetin e Prishtinës ka pasur kohët e fundit edhe protesta të studentëve dhe organizatave joqeveritare. Në anën tjetër ka mendime se këto protesta në fakt janë të influencuara dhe të udhëhequra nga subjektet politike. Si i shikoni ju këto protesta, a mund të jenë ato vetëm fillimi drejt protestave edhe më të mëdha sociale?

Johanna Deimel: Mbetet të shihet se çfarë jehone do të kenë këto protesta në shoqëri, dhe a do të jenë ato si për shembull në Bosnje-Hercegovinë. Titujt doktorë të shkencave tregojnë se sa e paturpshme është influenca politike dhe klientelizmi politik në Kosovë. Rasti i Ibrahim Gashit tregon se politikanët e atjeshëm kanë siguruar tituj doktor dhe poste edhe në institucionet akademike, vetëm për të realizuar qëllimet e tyre. Edhe ne në Gjermani kemi pasur disa raste të plagjiaturave, që kanë shkaktuar dorëheqjen e ministrave dhe tërheqjen e njohjes së diplomave. Por ajo që ka ndodhur në Kosovë është një paturpshmëri tepër e madhe që flet edhe për sistemin e arsimimit në Kosovë. Në këtë mënyrë këta gjoja doktorë i marrin shansin edhe gjeneratave të reja që të konkurrojnë në nivelin kombëtar dhe ndërkombëtar. Kombinimi i studentëve dhe organizatave joqeveritare dëshmon se kjo mënyrë e protestave për t'i demaskuar veprimet e politikanëve është shumë e mirë. Me këto protesta u befasuan edhe krerët politikë. Unë ende nuk mund ta kuptoj se përse presidentja e Kosovës e ka mbështetur Ibrahim Gashin. Ka mundur të paktën të heshtë.

DW: Mendoni se protestat si në Bosnje-Hercegovinë mund të përsëriten në Kosovë?

Johanna Deimel: Mendoj se vendimtare do të jenë zgjedhjet dhe ecuria e tyre. Në rast se sërish shfaqen mashtrime masive, besoj se elita politike duhet të përgatitet mirë, sepse mendoj se njerëzit nuk do të pajtohen me këtë.

DW: Kur jemi tek zgjedhjet: sivjet zgjedhje do të ketë jo vetëm në Kosovë, por edhe në Serbi. Sa mund të ndikojnë këto zgjedhje në dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit, pasi në të dyja shtetet ka forca që janë kundër dialogut?

Johanna Deimel: Natyrisht që ka në të dy vendet forca të tilla, por nëse mund t'i besojmë kryeministrit të mundshëm të ardhshëm serb Aleksandar Vuçiq, Beogradi është i gatshëm ta vazhdojë dialogun me Prishtinën. Vullneti për vazhdimin e dialogut ekziston. Kosova nuk është më tema më e rëndësishme në Serbi, sepse atje ka probleme të mëdha ekonomike. Serbët duan të kenë një ardhmëri dhe një prosperitet më të mirë. Kosova do të luajë një rol në fushatë, por me siguri jo si në zgjedhjet e mëparshme.

DW: Zonja Deimel, kundërshtarë të dialogut ka jo vetëm në Beograd por edhe në Prishtinë.

Johanna Deimel: Dialogu edhe më tej ka vështirësi të mëdha, sepse marrëveshjet e arritura nuk janë zbatuar sa duhet. Gjermania është angazhuar vazhdimisht në Beograd dhe në Prishtinë për zbatimin e marrëveshjeve të arritura në Bruksel. Një problem i madh janë kompetencat që u sigurohen bashkësisë së komunave serbe, sepse ato i tejkalojnë edhe të drejtat e parashikuara në Planin e Ahtisarit. Ky është një problem i madh dhe unë nuk kam ndonjë përgjigje konkrete se si mund të zgjidhet ky problem.

DW: Mendoni se kjo mund të çojë tek ndarja e Kosovës, apo është vetëm problemi i kompetencave tepër të mëdha të bashkësisë së komunave me shumicë serbe?

Johanna Deimel: Jo, unë nuk po flas për ndarjen e Kosovës. Po flas për problemet që mund të ndodhin mes nivelit të pushtetit komunal dhe atij qendror. Komunat kanë kompetencat e veta, të cilat tani forcohen edhe me mekanizmin e bashkësisë së komunave serbe, që do të thotë se do të kenë më shumë kompetenca se sa parashikohet me Planin e Ahtisarit. E gjitha kjo mund të sjellë vështirësi të shumta në raportet mes pushtetit lokal dhe nacional.