1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Deimel: Gjykata Kushtetuese duhet përshëndetur për rolin e verifikimit

Zëvendësdrejtoresha e Shoqatës së Evropës Juglindore, Dr. Johana Deimel analizon për DW situatën pas shpalljes antikushtetuese të mënyrës së zgjedhjes së Presidentit të Kosovës, Pacolli

Behxhet Pacolli në parlament, 22.02.2011

Behxhet Pacolli në parlament, 22.02.2011

DW: Gjykata Kushtetuese e Kosovës e shpalli zgjedhjen e presidentit Pacollit antikushtetuese. Çfarë pasojash do të ketë ky vendim për zhvillimet e brendshme politike në Kosovë?

Deimel: Më lini fillimisht të them që është për t'u përshëndetur që Gjykata Kushtetuese luan rolin e saj për të parë edhe konformitetin e procedurës së zgjedhjes së presidentit. Kjo është për t'u parë pozitivisht. Sigurisht Pacolli duhet të japë dorëheqjen nëse zgjedhja e tij përcaktohet si antikushtetuese, ai nuk mund të vazhdojë më punën si president. Kjo do të sjellë implikime të tjera. Gjë që do të thotë së duhet të zhvillohet një votim i ri për presidentin. Çështja që shtrohet tani është nëse Thaçi tani mund të bashkojë të gjithë kolegët e partisë së tij, në atë mënyrë që e gjithë PDK-ja të krijojë një mazhorancë.

DW: Ka rrezik për zgjedhje të përgjithshme të parakohshme nëse rivotimi dështon?

Deimel: Fillimisht duhet të zhvillohet një zgjedhje e re për presidentin. Gjykata Kushtetuese nuk i vlerësoi zgjedhjet parlamentare si jolegjitime, por vetëm zgjedhjen e presidentit se nuk ishte konform kushtetutës. Sigurisht nëse nuk ia dilet të zgjidhet një president i ri jo vetëm për shkak të kundërshtimeve të opozitës, por edhe për shkak të përbërjes së vështirë të koalicionit dhe kundërshtimeve edhe nga radhët e partisë së Thaçit, - pra nëse nuk zgjidhet një president dhe unë këtu shoh se Thaçi nuk ka rrugë tjetër veç të qëndrojë tek kandidatura e Pacollit,- gjë që do të thotë që Pacolli duhet t'i dalë ballë një rivotimi. Por mund të ndodhë që të ketë edhe një kandidat tjetër, një kandidat për të cilin gjendet mazhoranca. Kjo është njëra anë, që nuk do të rezultojë në zgjedhje të parakohshme. Kjo do të vendoset në javët e ardhshme. Po qe se Thaçi dështon, e nuk zgjidhet dot presidenti i ri atëherë do të ketë zgjedhje të reja.

DW: Politika kosovare ka qenë në vitet e fundit e orientuar drejt kompromisit, tashmë duket se po konturohet një zhvillim i ri, ai i konfrontimit. Është ky një lajm i mirë apo i keq për Kosovën?

Deimel: Nuk do thoja se ka pasur ndonjë gatishmëri të madhe për kompromis. Sigurisht gjithçka orientohej drejt një qëllimi të përbashkët. Por në thelb është një zhvillim pozitiv që partitë në qeveri, në opozitë në parlament e theksojnë profilin e tyre, sigurisht që mbetet edhe çështja se si e luaj unë rolin e opozitës, apo të qeverisjes, pra në drejtim të kulturës politike ka shumë për të bërë. Por në thelb gjërat po shkojnë në drejtimin e duhur. Por konfrontimi nuk duhet të kalojë në një bllokadë totale, por duhet të mbetet brenda diskursit, brenda dialogut dhe në kërkim të mundësisë më të mirë. Por aktualisht kam mendimin se parlamenti ndodhet ende në pelena.

DW: Pas disa vitesh trajtimi të Kosovës, le të themi me një dozë të veçantë përkujdesjeje nga bashkësia ndërkombëtare, tani shteti i ri duhet të përballet me goditje. Raporti i Dick Martit, zgjedhje të parakoshme, kontestimi i Pacollit tani. A e humbet kështu orientimin Kosova, dhe me këtë edhe përkrahjen?

Deimel: Shpresoj që orientimin të mos e humbasë. Sepse ai duhet të jetë i qartë, konsolidimi i shtetit, demokratizimi i mëtejshëm, rritja ekonomike dhe vështrimi drejt BE-së. Krizat që ju përmendni edhe këto janë brenda normales, por ju jap të drejtë në një gjë, që imazhi i Kosovës ka pësuar dëmtime.

Autor: Lindita Arapi

Redaktoi: Auron Dodi

  • Data 29.03.2011
  • Fjalët kyç rivotim
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/10jfK
  • Data 29.03.2011
  • Fjalët kyç rivotim
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/10jfK