1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Decentralizimi mundësi për përmirësimin e kushteve të jetës së komuniteteve në Kosovë

Në tryezën e organizuar në Prishtinë nga organizata "Projekti për Marrëdhënie Etnike" u tha, se forcimi i institucioneve në komunat e reja me shumicë serbe, do të ndihmojë në thellimin e dialogut dhe procesin e pajtimit.

Në foto: serbët votojnë në Graçanicë gjatë zgjedhjeve lokale 2009.

Zgjedhjet komunale në Kosovë krijuan një realitet të ri për komunitetet etnike.

Udhëheqës të institucioneve të Kosovës dhe përfaqësues të misioneve ndërkombëtare vlerësuan, se shoqëria e Kosovës ka bërë përparim të madh në zbatimin e standardeve demokratike për të drejtat e pjesëtarëve të pakicave. Tani është koha për t'i thelluar angazhimet, për të forcuar institucionet e reja lokale, sidomos ato në komunat me shumicë serbe, duke mbështetur edhe udhëheqësit e rinj serbë, të dalë nga zgjedhjet lokale të 15 nëntorit. Pjesëmarrja e një pjese të madhe të pjesëtarëve të komunitetit serb në këto zgjedhje lokale, dhe krijimi i komunave të reja, sipas autoriteteve, krijon hapësirë për mënjanimin e strukturave paralele dhe afrimin ndërmjet komuniteteve.

Ndihma për komunat e reja serbe duhet të vijë së pari nga qeveria e Kosovës

Petar Miletiq, nga Partia e Pavarur Liberale serbe, thotë se krijimi i komunave të reja do të krijojë mundësi më të mira për pjesëtarët e komunitetit serb. "Duke marrë parasysh që në komunat me shumicë serbe kemi siguruar udhëheqës serbë, që nuk kanë përvojë aq të madhe në qeverisje lokale, atyre pa dyshim që u duhet ndihma, por nuk duhet as t'i nënvlerësojmë njerëzit, të cilët kanë pasur një vizion të ndërtimit të kushteve cilësore për të gjithë qytetarët e Kosovës, posaçërisht për komunitetin serb. Mbështetja për këta njerëz që udhëheqin komunat, së pari duhet të vijë nga qeveria e Kosovës, pastaj nga përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare të pranishëm në Kosovë", thotë Petar Militiq.

Në foto: serbë në fshatin Koretiste.

Komunitetet kërkojnë tani kushte më të mira jetese.

Dell: Kosova nuk ka më kohë për të menduar për decentralizimin, tani ai duhet zbatuar në praktikë

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Christopher Dell, bëri thirrje për thellimin e dialogut ndëretnik dhe zbatimin e shpejtë të planit të kryenegociatorit Marti Ahtisaari. Sipas Dell, zgjedhjet për pushtetin lokal e thyen vendnumërimin 10-vjeçar në marrëdhëniet ndëretnike në Kosovë. “Tani është koha për të thelluar dhe zgjeruar angazhimin tonë për forcimin e institucioneve të reja, që do të çojnë përpara dialogun ndëretnik dhe ripajtimin. Duhen shtuar përpjekjet për përmbylljen e procesit të decentralizimit të pushtetit lokal, nëpërmjet të cilit edhe janë krijuar dhe do të krijohen komunat e reja në Kosovë”, tha ambasadori Dell. Ai shtoi më tej se: “Kosova nuk ka kohë të pushojë dhe të mendojë mbi decentralizimin. Tani është koha që decentralizimi të shndërrohet në një realitet pozitiv për të gjithë. Shtyrjet nuk do të hasin në mirëkuptimin e qytetarëve, që po e presin këtë prej dhjetë vjetësh. Nuk mund t'i zhgënjejmë qytetarët e komunave të reja, në të cilat tanimë janë zhvilluar zgjedhjet."

Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi, tha, se mbështetja e komunave të reja do të jetë përparësi e qeverisë së tij. Ajo ka partnerë brenda komunitetit serb, me të cilët do të punojë për kultivimin e frymës së tolerancës ndëretnike. “Duke u përpjekur për angazhim më të madh, koordinim dhe funksionim të institucioneve publike, shoqërisë civile dhe komuniteteve, ne mund të ndërtojmë një vend shumë më të zhvilluar për të gjithë ne. Në kuadër të kësaj është edhe strategjia integruese për veriun e Kosovës e bashkëhartuar nga qeveria dhe institucionet ndërkombëtare”, tha kryeministri Thaçi.

Dialogu alternativa e vetme për shuarjen e strukturave paralele dhe integrimin

Strategjia për veriun që parasheh shuarjen e strukturave paralele serbe konsiderohet si rruga më e mirë e integrimit të serbëve të kësaj pjese në jetën institucionale. Përfaqësuesja e organizatës "Projekti për Marrëdhënie Etnike", me seli në SHBA, Olivia Plaks, tha, se gjendja e përgjithshme në marrëdhëniet ndërmjet komuniteteve për momentin është e qëndrueshme, por nuk mund të përjashtohet një përkeqësim i situatës në pjesën veriore të vendit. “Besoj se veriu ende mund të jetë një problem dhe ai duhet të trajtohet me shumë kujdes nga autoritetet në Kosovë dhe nga bashkësia ndërkombëtare”, u shpreh Olivia Plaks. Ajo theksoi, se megjithë disa mosmarrëveshje politike dhe çështje të hapura në mes të shqiptarëve dhe serbëve në Kosovë, nuk ka alternativë tjetër përveç dialogut mbi bashkëjetesën dhe zhvillimin. Kjo sipas zonjës Plaks, mund të arrihet vetëm përmes zbatimit të projektit të decentralizimit ku komunitetet mund të vendosin direkt për jetën e tyre.

Autor: Bekim Shehu

Redaktoi: Eliana Xhani

  • Data 06.02.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/Luap
  • Data 06.02.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/Luap