1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Decentralizimi i pushtetit lokal - Kafshatë e vështirë për serbët e Kosovës

Përfaqësues të serbëve të Kosovës, thonë se decentralizimi i pushtetit lokal është shumë i rëndësishëm, por jo në formën që është menduar në planin e Marti Ahtisarit.

default

Ura e Mitrovicës - simbol i mospajtimit mes serbëve dhe shqiptarëve të Kosovës

Disa përfaqësues të serbëve thonë se decentralizimi duhet të rinegociohet me Prishtinën zyrtare. Mirëpo qeveria e Kosovës thotë se kërkesat e serbëve për rinegocim të procesit të decentralizimit janë të pamundura.

Që kur është hartuar plani i decentralizimit të pushtetit lokal, serbët e Kosovës nuk kanë pranuar të përfshihen në këtë proces, sepse sipas tyre zbatimi tij legjitimon pavarësinë e Kosovës e cila për ta është e papranueshme. Mirëpo në anën tjetër qeveria e Kosovës pavarësisht mospërfshirjes së serbëve në këtë proces, po vazhdon përpjekjet që decentralizimi i pushtetit lokal të funksionalizohet, por vetëm në vendbanimet shqipare dhe jo në ato serbe për shkak se ky proces kundërshtohet nga këta të fundit. Kohët e fundit disa përfaqësues të serbëve të Kosovës qendrore, kanë hedhur idenë që cështja e decentralizimit të rinegociohet me Prishtinën zyrtare në kuadër të pakos së Marti Ahtisarit. Ata thonë se është i kotë kundërshtimi i serbëve për decentralizimin nëse anashkalohet Prishtina zyrtare. Rangjel Nojkiq, një përfaqësues i serbëve të Kosovës qëndrore, thotë se bisedimet e tilla do të duhej të zhvillohen me garancën e bashkësisë ndërkombëtare.

"Është çmenduri që Prishtina, si faktor, të përjashtohet nga ky rrëfim, çfarë është procesi i decentralizimit. Në bisedime duhet të përfshihet bashkësia ndërkombëtare, sepse ajo është garantuese e realizimit dhe zbatimit të decentralizmit", thotë Rangjel Nojkiq.

Bashkombësi i zotit Nojkiq, Milan Ivanoviq, lider i serbëve të veriut të Kosovës, thotë se as që mund mund të bëhet fjalë për kurrfarë procesi të decentralizimit, i cili do të menaxhohej nga Prishtina zyrtare.

"Decentralizimi në kuadër të pavarësisë së Kosovës, e cila është shpallur njëanshëm dhe jashtëligjshëm, e papranuar nga Serbia dhe pa pjesëmarrjen e serbëve dhe këtu mos të harrojmë e papranuar nga shumica e bashkësisë ndërkombëtare, gjithsesi që nuk mund të jetë i pranueshëm për serbët", thotë Milan Ivanoviq.

Ai vazhdon se serbët i kanë përfaqësuesit e tyre legjitimë të zgjedhur në maj të vitit të shkuar në zgjedhjet e Serbisë të cilat u organizuan edhe në Kosovë. Milan Ivanoviq, i cili akuzohet nga policia e Kosovës për thirrjet e tij publike për djegjen e dy pikave kufitare të Kosovës me Serbinë, thotë se serbët e Kosovës tashmë kanë strukturat e tyre institucionale në Kosovë dhe përmes tyre duhet t’i realizojnë të drejtat e veta. Shumica e përfaqësuesve të serbëve të Kosovës thonë se për ta decentralizimi është shumë i rëndësishëm, por jo në formën që është propozuar nga kryendërmjetësi Marti Ahtisari. Mirëpo, zyrtarë të qeverisë së Kosovës, thonë se kërkesat e serbëve për rinegocim të procesit të decentralizimit janë të pamundura.

Ministri i Pushtetit Lokal, Sadri Ferati, thotë se "në përgjithësi, Pakoja e Ahtisaarit është një vendim përfundimtar dhe institucionet e Kosovës kanë marrë vendim për ta implementuar të tillë. Ka palë të ndryshme që kanë shikime të ndryshme e komente të ndryshme dhe pikërisht aty është rreziku. Çdo hapje e Pakos së Ahtisaarit është vite të humbura."

Analisti i pavarur, Ramush Tahiri, thotë se bisedime të brendshme me serbët e Kosovës duhet të ketë por jo, bisedime me ndërmjetësim ndërkombëtar:

"Në institucionet e Kosovës mund të bisedohet për modalitete. Mirëpo, decentralizimi është rezultat i bisedimeve të Vjenës dhe i bisedimeve ndërkombëtare. Nëse përfaqësuesit serbë mendojnë se i gjithë procesi mund të rinegociohet edhe Pakoja e Ahtisaarit mund të rinegociohet - kjo është e pamundur, sepse duhet palët për bisedime të përcaktohen dhe duhet të jetëedhe ndërmjetësi ndërkombëtar."

Sidoqoftë, Ministria e Pushtetit Lokal dhe Zyra Civile Ndërkombëtare tashmë janë në fazën finale me aktivitet e tyre për vënë në jetë procesin e decentralizimit. Ata pranojnë që në vendbanimet serbe do të ketë vështirësi, mirëpo shpresojnë që komuniteti serbë gradualisht do të integrohet në shoqërinë kosovare dhe do ta kuptojnë që decentralizimi i pushtetit lokal është vetëm në të mirë të tyre.

Autor Bekim Shehu

Redaktoi: Sonila Harasani

  • Data 13.06.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/I8eh
  • Data 13.06.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/I8eh