1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Debati për ndërtimin e një xhamie në Prishtinë

Bashkësia Islame e Kosovës, vazhdon të këmbëngulë për ndërtimin e një Xhamie në qendër të Prishtinës. Organizata të tjera joqeveritare islamr, kanë të njejtën kërkesë dhe çdo të premte po zhvillojnë protesta në rrugë.

Xhami në Prishtinë

Xhami në Prishtinë

Bashkësia Islame e Kosovës dhe disa organizata joqeveritare të besimit islam, vazhdojnë të kërkojnë që në qendër të Prishtinës, komuna tu ndajë një lokacion për ndërtimin e një Xhamie të madhe, e cila do të përmbushte kërkesat e besimtarëve myslimanë për të kryer rite fetare. Kjo kërkesë thonë ata, është bërë vite më parë, por komuna akoma nuk ka gjetur një lokacion për ndërtimin e Xhamisë. Qindra besimtarë myslimanë çdo të premte po e bëjnë faljen e gjymasë në ambiente të hapura, si shenjë proteste dhe presioni për të realizuar kërkesën e tyre.

Njëri nga organizatorët e protestave, Fuad Ramiqi, nga organizata joqeveritare Bashkohu, thotë për DW. “Që 12 vjet ne bëjmë namaz jashtë, në temperatura ekstreme, në të ftohtë në të nxehtë në shi dhe në borë dhe në pritje të klasës politike qoftë të nivelit qëndrore dhe lokal që kërkesa jonë të realizohet. Me protestat tona si shoqëri civile, ne e kemi parë të arsyeshme që t'i japim një mbështetje edhe Bashkësisë Islame të Kosovës”, thotë Fuad Ramiqi.

Besimtarët myslimanë mbajnë lutjen jashtë

Besimtarët myslimanë mbajnë lutjen jashtë

Edhe Bashkësia Islame e Kosovës, kërkon ndërtimin e Xhamisë në qendër të Prishtinës, mirëpo nuk qëndron prapa protestave në rrugë të besimtarëve myslimanë, të cilët gjatë një proteste u përleshën me policinë e Kosovës. Kështu thotë për programin tonë , zëdhënësi i Bashkëisë Islame të Kosovës, Resul Rexhepi.

“Një pjesë e vogël e shoqërisë civile, organizata joqeveritare kanë ndërmarrë masa duke pretenduar se ata po mbështesin Bashkësinë Islame të Kosovës kërkesë të cilën ne e kemi paraqitur vite më parë në kuvendin komunal të Prishtinës. Pra ne nuk qëndrojmë prapa protestave,” thotë Resul Rexhepi.

Sidoqoftë, protestuesit e besimit myslimanë, vazhdojnë të këmbëngulin në mbajtjen e protestave, madje ata i kanë dhënë një afat një gushtin kuvendit komunal që të ndajë lokacionin për ndërtimin e Xhamisë në të kundërtën, protestat do të radikalizohen.

Zëdhënësi i komunës së Prishtinës, Muhamet Gashi, thotë se komuna është në kërkim të lokacionit për ndërtimin e Xhamisë, mirëpo komuna sipas tij nuk pranon afate kohore. “Komuna e Prishtinës do të përfillë të gjitha procedurat ligjore për caktimin e lokaicionit dhe nuk mund të jetë një gushti datë e saktë kur do të ndahet lokacioni, mirëpo procedurat tashmë kanë filluar dhe duhet përfillur të gjitha procedurat ligjore”, thotë Muhamet Gashi.

Kurban, Kosovë

Kurban, Kosovë

Shumë analistë, thonë se mosndarja e lokacionit për ndërtimin e Xhaminë e madhe dhe protestat në rrugë të besimtarëve myslimanë, mund të rezultojë me siç thonë ata, radikalizim të islamit në Kosovë. Mirëpo, ky konstatim hedhet poshtë nga Fuad Ramiqi, organizator i protestave. “Radikalizimi nuk mund të ndodhë sepse edhe toleranca fetare dhe tradita edhe kultura edhe shumë vlera tjera e kanë përcjellur gjithmonë kombin shqiptar”, thotë Fuad Ramiqi.

Sidoqoftë, megjithë këto deklarime ditë më parë në oborrin e Universitetit të Prishtinës, disa persona filluan të hapin siç thonë ata themelet e Xhamisë. Këto themele u vendosën përballë Katedralës së Prishtinës, e cila u ndërtua një vit më parë.

Autor: Bekim Shehu

Redaktoi: Aida Cama