1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Politika

Debati për klimën në Davos

Pas dështimit të konferencës së klimës në Kopenhagë, shumë pak janë ata që shpresojnë në suksesin e konferencës në Cancun. Por ekspertët e ekonomisë u përpoqën të mbrojnë në Davos tezën se këtë ata s'kanë të drejtë.

default

Kur ekspertët flasin në Davos për Kopenhagën, në sallën e konferencës ngrihet temperatura e ambjentit. Sepse edhe gati dy muaj pas konferencës së madhe për klimën, të gjithë vazhdojnë të jenë të zemëruar për rezultatin minimal: një deklaratë e butë si pambuku, të cilën bashkësia ndërkombëtare "e mori në konsideratë". Dhe kjo megjithëse konferenca qe përgatitur për muaj, madje për vite të tëra.

Shpresat se në takimin e ardhshëm të nivelit të lartë për klimën në fund të vitit në Cancun të Meksikës do të arrihet më shumë, janë përkatësisht të vogla. Por kësaj i bën derman vetëm një gjë, thotë mbrojtësi më i lartë i klimës, Yvo de Boer, shef i Komisariatit të OKB-së për klimën:

"Mjeti më i mirë kundër përzierjes së stomakut është një pije tjetër."

Dhe këtë kundërpije tashmë e pinë politikanët më të rëndësishëm për klimën në Davos. Me këmbëngulje, de Boeri dhe kolegët e tij theksojnë: nuk ishin të gjitha keq në Kopenhagë.

"Një pjesë e kaosit në Kopenhagë kishte të bënte me faktin se atje u mblodhën 120 kombe. Që ato shprehën frikërat e tyre për ndryshimin e klimës. Veç kësaj, një grup qendror politikanësh miratoi atje një deklaratë, në të cilin përcaktohet një ngritje maksimale e temperaturës dhe bëhen premtime financiare."

Por synimi në Kopenhagë ishte fare tjetër: hartimi i një deklarate të detyrueshme juridike, e cila të përcaktonte për çdo vend kuota të caktuara reduktimi.

Shpirtin e bashkëpunimit ka për detyrë tani ta rigjallërojë presidenti i Meksikës, Felipe Calderon. Në Davos atij i japin lëvdata paraprake të gjitha palët - gjë që mund ta shohësh edhe si goditje rrëshqanthi ndaj negociatorëve në Kopenhagë. Menaxhimi prej tyre i konferencës u vlerësua prej shumë vetëve si krejtësisht kaotik.

Presidenti i Meksikës i ka vënë vetes si qëllim që së pari të rivendosë besimin midis palëve, të cilat u ndanë nga njëra-tjetra në Kopenhagë thuajse në gjendje grindjeje.

"Ne duhet të mësojmë nga gabimet e Kopenhagës, ne duhet të rivendosim besimin midis palëve -për këtë unë dua të dëgjoj të gjitha mendimet dhe të sjell në tryezë të gjitha vendet. Ne duhet ta kuptojmë se ka interesa shumë të ndryshme, interesa legjitime."

Për këtë Calderoni do të nisë javët e ardhshme videokonferenca të rregullta me kryetarët e qeverive dhe negociatorët, për të hetuar në këtë mënyrë interesat e ndryshme. Calderoni e ka bërë të qartë edhe njëherë, se përse bëhet fjalë në konferenca të tilla: për interesa të forta ekonomike. Sepse masat për klimën në radhë të parë kushtojnë para, edhe sikur dikur shpenzimi ta shlyejë ekonomikisht veten.

Autor: Manfred Götzke/Auron Dodi
Redaktor: Elert Ajazaj

  • Data 01.02.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/LoJP
  • Data 01.02.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/LoJP