1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Debati gjerman mbi Sirinë

Berlini është i lumtur që goditja ushtarake amerikane u shmang dhe tani po vepron sërish diplomacia.

Shumica e qytetarëve të Republikës Federale Gjermane janë skeptikë ndaj një ndërhyrje ushtarake kundër Sirisë. Pjesëmarrja e Bundeswehr-it në një mision të tillë jashtë vendit ndesh në refuzim që nga angazhimi gjerman në Afganistan ku kanë gjetur vdekjen 54 ushtarë gjermanë. Këtë e di natyrisht edhe kancelarja gjermane Angela Merkel, dhe ajo e bëri të qartë që nga fillimi: "Gjermania nuk do të marrë pjesë në ndonjë veprim ushtarak kundër Sirisë." Megjithatë, ajo bëri thirrje për pasoja të ashpra, nëse rezulton se diktatori i Sirisë Bashar al-Assad është përgjegjës për përdorimin e armëve kimike kundër popullsisë civile.

Ruprecht Polenz CDU

Ruprecht Polenz CDU

Ruprecht Polenz (CDU), kryetar i deritanishëm i Komitetit të Punëve të Jashtme të Bundestagut, mendon se nuk ka "asnjë dyshim të arsyeshëm" se pas sulmeve me gaz helmues, prej të cilave kanë rënë viktimë ndoshta më shumë se një mijë vetë, është udhëheqësi sirian. Por ai është i lumtur që goditja ushtarake amerikane u shmang dhe tani po vepron sërish diplomacia. "Sulmi me gaz helmues nuk duhet të përsëritet," tha ai në një intervistë me DW. Nëse kjo arrihet me mjete diplomatike dhe më mirë. "Midis asgjësë dhe një sulmi ushtarak, ka edhe mënyra të tjera për të parandaluar sulmet me gaz helmues dhe për të ndëshkuar ata që janë përgjegjës", tha Polenz.

Shkelja e së drejtës ndërkombëtare

Prof. Dr. Werner Ruf,

Prof. Dr. Werner Ruf

Edhe eksperti për Lindjen e Mesme, Werner Ruf, profesor emeritus i marrëdhënieve ndërkombëtare, e mirëpriti propozimin për t'i vënë armët kimike siriane nën mbikqyrjen ndërkombëtare dhe për t'i shkatërruar ato. Ky ishte një "hap i madh drejt një zgjidhje paqësore të arsyeshme," tha ai në një intervistë me DW. Me këtë propozim mund të bjerë gjithashtu dakord edhe Këshilli i Sigurimit të OKB-së duke zbatuar përsëri të drejtën ndërkombëtare. Për Werner Rufin një ndërhyrje ushtarake në Siri nuk është opsion. "Kjo do të ishte një shkelje e qartë e nenit 2, paragrafi 7 të Kartës së Kombeve të Bashkuara", theksoi ai. OKB e ndalon kategorikisht ndërhyrjen ushtarake në punët e brendshme të shteteve të tjera.

Kujtim i luftës në Kosovë

Ludger Volmer,

Ludger Volmer

Në debatin e Berlinit në lidhje me ndërhyrjet ushtarake po merr pjesë ditët e fundit edhe ish-politikani i Partisë së Gjelbër Ludger Volmer. Ish-ministri i Shtetit në Ministrinë e Jashtme dhe ekspert i politikës së jashtme tek të Gjelbrit, ai jep aktualisht mësim në Universitetin Humboldt në Berlin. Ai sapo ka botuar një libër me kujtime të mandatit të funksionit të tij, që mbart titullin "Kithmat e luftës dhe rreziqet e politikës së jashtme gjermane."

Debati në lidhje me ndërhyrjen në Siri i kujton atij vitin 1999, kur Gjermania mori pjesë në luftën e NATO-s për Kosovën. Asokohe të Gjelbërit pacifistë ishin partneri i vogël në koalicion me socialdemokratët dhe e pranuan sulmin kundër ish-Republikës Federale të Jugosllavisë pa mandat të OKB-së. "Ai ishte një proces vetë-torturues, i cili gati na ka shqyer," thotë Volmer në retrospektivë. "Lufta në Kosovë ishte me të vërtetë e para me pjesëmarrjen gjermane pas Luftës së Dytë Botërore. Kjo ishte një temë tabu dhe pikërisht SPD dhe të Gjelbërit, dy partitë që ishin më shumë për përmbajtje ushtarake, u detyruan ta thyenin këtë tabu."

Volmer është i bindur se që nga ribashkimi i Gjermania nuk mund t'i shmanget përgjegjësisë së saj ndërkombëtare si një vend i fortë ekonomikisht dhe politikisht.

Thirrje lufte në media

Pra, në mesin e politikanëve gjermanë nuk duket të ketë mosmarrëveshje të mëdha: një zgjidhje diplomatike për krizën siriane preferohet më është se një ndërhyrje ushtarake. Krejt ndryshe e shohin këtë shumë gazetarë gjermanë. Në editorialet e shumta dhe komentet javën e kaluar flitej për një sulm amerikan mbi Sirinë. Në gazetat e njohura gjermane, autorët kërkuan që diktatori sirian të ndëshkohet me sulme ajrore dhe krijijimin e një zone ndalim-fluturimi për të mbrojtur popullin e Sirisë.