1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Debati gjerman mbi ndërhyrjen ndërkombëtare në Libi

Me gjithë qëndrimin e rezervuar në Këshillin e Sigurimit të KB, Gjermania do të angazhohet ushtarakisht në Libi, pavarësisht se jo në luftime. Këtë e tha ministri i Jashtëm Guido Westerwelle në Berlin.

default

Vajzë në Libi

Të premten në mëngjes, parlamenti gjerman, Bundestag debatoi për raportin e çarmatimit të përpiluar nga qeveria gjermane. I pari që e mori fjalën ishte ministri i Jashtëm, Guido Westerwelle. Ai foli për çarmatimin konvencional dhe atë atomik, kurse për Libinë nuk tha asnjë fjalë. Për Libinë ai foli papritur, pa njoftuar më parë për konferencë shtypi. Në prani të pak gazetarëve ai tha: "Nëse Kombet e Bashkuara i kërkojnë Bashkimit Evropian që të zbusin pasojat e kësaj krize me ndihmë humanitare, mjekësore ose duke ndihmuar refugjatët, atëherë ne vetëkuptohet do të marrim përgjegjësinë tonë".

Guido Westerwelle Rücktritt

Guido Westerwelle, Gjermania do të angazhohet në Libi

Kjo nuk ka të bëjë me një qëndrim të ri ndaj Libisë, thuhet në deklaratën e ministrit të Jashtëm, por me një pozicion përkatës, për të cilin kanë marrë vendim 27 ministrat e jashtëm të BE-së më datën 21 mars, së bashku me aprovimin gjerman.

Por pozicioni i Gjermanisë është krejt ndryshe. Socialdemokrati Michael Groschek kërkon të dijë nga ministri, mbi bazën e cilit mandat duhet të diskutojë Bundestagu dhe nëse Kombet e Bashkuara i kanë drejtuar tashmë një kërkesë Bashkimit Evropian. "Çfarë do të thotë, mbrojtje po, luftime jo? Çfarë do të thotë mbrojtje e civilëve dhe vënie e Gaddafit para përgjegjësisë? Çfarë do të thotë deklarata juaj, “Ne jemi të gatshëm për ndihmë humanitare”, duke patur parasysh pohimin tuaj, “pa ushtarë gjermanë”?

Deputetja e Partisë ekologjike, Agnes Malczak e quajti politikën e Westerwelle ndaj Libisë, "kurs zik-zaku".

Ndryshe nga socialdemokratët dhe Të gjelbrit, Partia e Majta e përshëndeti qëndrimin e Gjermanisë në votimin në Këshillin e Sigurimit për misionin në Libi, megjithëse ata do të kishin preferuar më mirë një "jo".

Aprovim të pakufizuar për kursin e tij ministri i Jashtëm mori nga partnerët e koalicionit, nga konservatorët CDU/ CSU.

Nëse duhet një ndërhyrje e shpejtë e trupave, atëherë ajo do të ishte kryesisht për sigurimin e porteve, në mënyrë që ndihmat humanitare të mbërrijnë tek popullsia. Ushtarët do të kujdesen edhe për sigurinë e të dëbuarve. Ushtria gjermane, Bundeswehr, duhet të vendosë ndër të tjera në dispozicion infermierë, policë ushtarakë dhe forca xheniere për të ashtuquajturat Battle-Groups.

Ministrat e jashtëm të BE-së do të vendosin ditën e martë dhe të mërkurë në Bruksel për veprimet e mëtejshme në Libi.

Autor: Marcel Fürstenau/ Aida Cama

Redaktoi: Elert Ajazaj