1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Debate të nxehta - Parlamenti krijon Komisionin hetimor për Gorleben

Parlamenti gjerman krijoi ditën e premte një Komision hetimor për rishikimin e vendimit për ngritjen e një stacioni përfundimtar për hedhjen e mbeturinave atomike në Gorleben. Vendimi është marrë në vitet 80-të.

Gorleben, 2009

Gorleben, 2009

Ngjarjet kanë ndodhur 27 vjet më parë, por partitë opozitare mendojnë se ato janë shumë të rëndësishme, prandaj krijuan ditën e premte (26 mars) në parlament një Komision hetimor. Bëhet fjalë për stacionin e depozitimit përfundimtar të mbeturinave atomike në Gorleben të Saksonisë veriore. Pse nuk u kërkuan në atë kohë opsione të tjera dhe pse qeveria e Helmut Kohlit shqyrtoi me prioritet nëse miniera e atjeshme ishte e përshtatshme për tu shndërruar në depozitues përfundimtar të mbeturinave atomike? Në Bundestag u zhvilluan debate të ashpra për pyetjet e mbetura për përgjigje dhe për detyrën që duhet të ketë Komisioni i ri hetimor.

Mbeturinat radioaktive si faktor ekonomik

Wendland-i ka qenë dikur një rajon pak i njohur, me dobësi strukturore i ndodhur në lindje të Landit federal të Saksonisë veriore. Në vitet 80-të ai ndryshoi krejtësisht. Sepse atje ndodhet miniera e kripës së gurit të Gorlebenit, një vend ku Gjermania duhet të depozitojë mbeturinat radioaktive. Për ish kryeministrin e atëhershëm të landit Ernst Albrecht ofrohej një shanc për zonën, mbeturina radioaktive si faktor ekonomik. Ai thoshte: „Ne ishim të mendimit se kjo zonë në Saksoninë veriore kishte patur shumë vështirësi në 30 vitet e fundit, prandaj duhet të përfitonte prej ngritjes së këtij stacioni."

Gorleben

Gorleben

Në territorin e ish minierës së Gorlebenit ndodhet sot një qendër për eliminimin e mbeturinave nukleare, me një depozitues të përkohshëm për mbeturinat me radioaktivitet të lartë që dalin nga ripërpunimi, një sallë tjetër me mbeturina me radioaktivitet të ulët dhe një stacion për rimbushjen e mbeturinave atomike. Ajo që mungon këtu është një stacion për depozitimin përfundimtar të mbeturinave radioaktive të Gjermanisë. Sipas një vendimi të qeverisë gjermane të vitit 1983 për ngritjen e një stacioni të tillë nuk u kërkua asnjë vend tjetër i Gjermanisë, përveç Gorlebenit. Opozita e përbërë nga Të majtët, socialdemokratët dhe ekologjistët mendon se kjo është e çuditshme, prandaj luftoi për ngritjen e një komisioni hetimor.

Vendim shkencor apo politik?

Deputetja e socialdemokratëve, Ute Vogt dëshiron të dijë: „Nëse vendimi për zgjedhjen e Gorlebenit si vend për ndërtimin e stacionit është bazuar në kriteret shkencore apo më shumë në ato politike –ose më keq, nëse dyshimet shkencore nuk janë marrë parasysh për shkak të arsyeve politike.“

Opozita dyshon se ekspertizat janë manipuluar, në mënyrë që Gorlebeni të mbetej qendra e vetme dhe të mos bëhen kërkime të tjera. Në vende të tjera kundërshtimi politik dhe shoqëror për ngritjen e një stacioni të tillë do të kishte qenë shumë i madh.

Gorlebeni simbol i qëndresës

Edhe për ngritjen e stacionit në Gorleben pati në vitet 80-të rezistencë të madhe. Vendi u kthye në simbol të luftës kundër prodhimit të energjisë atomike në Gjermani. Në vitin 2000, kur në Berlin qeveriste Partia Socialdemokrate dhe Partia Ekologjike, hetimet u ndërprenë. Por pak kohë më parë, ministri i ri i ambientit Norbert Röttgen i rifilloi ato sërish. Ai do të dijë nëse Gorleben është i përshtatshëm si stacion për depozitimin përfundimtar të mbeturinave atomike.

Miniera e Gorlebenit

Miniera e Gorlebenit

Politikania e Unionit, Maria Flachsbarth mendon se kjo është e drejtë dhe akuzon partitë opozitare se kërkojnë të shtyjnë ngritjen e një stacioni përfundimtar : „Ne duam të gjejmë një zgjidhje për mbeturinat e shkaktuara nga brezi ynë, një stacion përfundimtar për Gjermaninë, dhe të mos ia lëmë këtë problem brezave të ardhshëm."

Diskutimet në parlament ishin të zjarrta si gjithnjë kur bëhet fjalë për temën e energjisë atomike dhe mënjanimit të mbeturinave. Deputeti i Demokratëve të Lirë, Marco Buschmann foli për luftën e besimit që zhvillojnë socialdemokratët, Të majtët dhe ekologjistët.

Kommisioni hetimor i përbërë nga 15 anëtarë do të prezantojë rezultatet në fund të viti 2011. Kërkimi i një stacioni përfundimtar është urgjent edhe sepse qeveria gjermane duhet të rishikojë mundësinë e maturimit të centraleve atomike deri në 60 vjet. Prandaj ka mundësi që në Gjermani të prodhohen më shumë mbeturina atomike, për të cilat duhet një stacion përfundimtar depozitimi.

Autor: Heiner Kiesel / Aida Cama

Redaktoi: Esat Ahmeti

  • Data 27.03.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/Mflr
  • Data 27.03.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/Mflr