1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Debate për zgjidhjet për Eurozonën në Davos

Pak para samitit tjetër të BE komisioni pret që të arrihet një marrëveshje për prerjen e borxhit të Greqisë. Në Davos menaxhuesit e krizës shprehin bindjen se do të kenë sukses.

Ministri gjerman i Financave Wolfgang Schäuble dhe homologu i tij francez Francois Baroin në Davos

Ministri gjerman i Financave Wolfgang Schäuble dhe homologu i tij francez Francois Baroin në Davos

Falimentimi i Greqisë mund të evitohet. Edhe zhvillimet në vendet me borxhe të larta si Italia dhe Spanja janë pozitive. Këtë e tha ministri gjerman i Financave Wolfgang Schäuble (CDU) të premten (27.01.2012) në forumin ekonomik botëror në Davos të Zvicrës. Kreditorët privatë janë duke diskutuar ndërkohë me Greqinë për një ulje të borxhit, por bisedimet ngecin herë pas here. Megjithatë komisioneri i BE për Çështjet Monetare Olli Rehn është i bindur: "Ne jemi para arritjes së një marrëveshjeje." Në qoftë se kjo nuk arrihet këtë të premte, do të arrihet ndoshta në fundjavë, tha ai në një panel diskutimi në Davos, ku në qendër ishte "E ardhmja e Eurozonës".

Baroin ishte optimist

Baroin ishte optimist

Shumë optimist për menaxhimin e krizës në BE u shpreh edhe ministri francez i Financave, Francois Baroin. Por në një çështje mendimet janë të ndryshme: Baroin ashtu si dhe komisioneri Olli Rehn ishin për rritjen e mëtejshme të fondit të planifikuar shpëtues ESM: "Ne kemi nevojë për mure të fortë mbrojtës në Evropë", tha ai. Për mekanizmin e përhershëm të shpëtimit ESM është planifikuar të vihen në dispozicion 500 miliardë euro. Rreth 250 miliardë euro ndodhen ndërkohë në fondin e përkohshëm EFSF. "Pyetja është: A mund t'i bashkojmë të dyja?" I këtij mendimi është edhe ministri francez i Financave: "Sa më i lartë muri mbrojtës, aq më i pakët rreziku, që të jetë e nevojshme ndërhyrja e ESM.

Schäuble: Muret më të larta nuk e zgjidhin problemin

Sipas ministrit gjerman të Financave Schäuble një mur mbrojtës nuk do të funksionojë, në qoftë se problemet bazë nuk zgjidhen. Lidhur me diskutimin për rritjen e ndihmave për Greqinë Schäuble thotë: Greqia nuk duhet të bëjë vetëm premtime, "Greqia duhet edhe të sjellë diçka."

Schäuble: Greqia nuk duhet të bëjë sikur

Schäuble: Greqia nuk duhet të bëjë sikur

Nuk duhet bërë sikur, tha ministri gjerman i Financave. Edhe eurobondet krijojnë përshtypje të gabuara. "Kur shpenzon para në rrezik të të tjerëve, ky është një tundim, të cilit askush nuk i reziston dot." Komisioneri Rehn kishte deklaruar të enjten, se heqja dorë e kreditorëve privatë nuk do të mjaftonte si zgjidhje në Athinë. Ndihma të tjera shtetërore janë të pashmangshme. Në Berlin qeveria gjermane akuzoi Rehn-in, se me këto deklarata po krijon konfuzion të panevojshëm. Spekullime të këtij lloji nuk kanë momentalisht kuptim.

Ministri amerikan i Financave Geithner: Të stimulohet zhvillimi

Si shumë të njëanshëm e kritikoi ministri amerikan i Financave Timothy Geithner menaxhimin europian të krizës. "Kush beson se vetëm me masa kursimi do të ketë sukses, e ka zakonisht gabim", tha Geithner në Davos. Përderisa nuk bëhen përpjekje më të forta për të stimuluar rritjen ekonomike, problemet nuk kanë zgjidhje. Ministri amerikan i Financave theksoi megjithatë se kohët e fundit janë bërë përparime në Evropë, me qeveritë e reja në Itali, Spanjë dhe Greqi dhe deri me hapat drejt bashkimit fiskal. Në SHBA kriza e borxheve evropiane konsiderohet si rreziku më i madh për ekonominë amerikane.

Shefi i BQE Mario Draghi nuk pret një fund të shpejtë të krizës së borxhit. "Garancitë, që shtetet evropiane në krizë paguajnë për obligacionet shtetërore, do të mbeten për një kohë të gjatë në nivel të lartë", tha presidenti i BQE në forumin ekonomik në Davos. Përveç kësaj ai paralajmëroi nga pasojat e një kursi strikt kursimesh në Eurozonë. Konsolidimi i buxhetit çon në procese tkurrrjeje. "Shumë nga vendet e prekura nuk pësojnë rritje ekonomike."

Draghi lavdëroi përparimet në stabilizimin e sektorit bankar europian. "Bankat janë sot të kapitalizuara më mirë dhe janë më imune ndaj perversiteteve që ka shkaktuar kriza,"tha presidenti i BQE. Masat kundër rrezikut janë sot shumë më të efektshme. "Dy vitet e fundit nuk kanë qenë aspak të qeta, por sistemi financiar e ka dëshmuar vetën si të qëndrueshëm."

Autor: Monika Lohmüller (mit rtr, dpa, dapd)/ A Verbica

Redaktoi: Esat Ahmeti