1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Debat për pasojat prej mbizotërimit të eksporteve gjermane

Ekonomia gjermane e orientuar nga eksportet dëmton vendet e tjera evropiane. Me këtë akuzë të lëshuar në fillim të kësaj jave, ministrja franceze e ekonomisë Christine Lagarde i dha jetë sërish një debati në prapaskenë.

default

A u zënë eksportet gjermane frymën të tjerëve?

Këto akuza shfaqen rregullisht me ndërprerje të herë pas hershme: Eksportet gjermane u zenë frymën të tjerëve. Në këtë mënyrë shtohen mungesat e balancimeve në tregtinë botërore dhe brenda Bashkimit Evropian. Fakt është se Gjermania bën pjesë ndër vendet me diferencë të madhe midis eksporteve dhe importeve, që do të thotë se firmat gjermane eksportojnë shumë më tepër se sa marrin nga vendet e tjera prodhime dhe shërbime. Vitin e fundit eksportet gjermane patën rënie të madhe për shkak të krizës dhe e humbën titullin kampion eksportesh, të cilin e mori Kina. Megjithatë eksportet gjermane ua kaluan importeve me 136 miliardë euro.

Konsumi privat në Gjermani është i ulët e nuk tërheq importe

Kjo diferencë e madhe "u bën presion partnerëve tregtarë", thotë ekonomisti Gustav Horn, një specialist i afërt me sindikatat. Ekonomisti i Lidhjes së sindikatave gjermane, Dierk Hirschel, mendon se problemi qëndron tek tregu i brendshëm gjerman:

"Ne kemi një problem në zhvillimin e tregut të brendshëm. Që prej fillimit të bashkimit monetar evropian (në vitin 1999) tregu i brendshëm nuk ka patur hov zhvillimi. Konsumi privat është shumë i ulët. Kjo lidhet me zhvillimin e të ardhurave. Dhe ky është një problem edhe i shteteve fqinjë në jug të Evropës. Sepse sa më pak të zhvillohet tregu i brendshëm gjerman, aq më pak eksporte mund të vijnë në Gjermani nga këto vende. Prandaj njëra është e lidhur me tjetrën."

"Është shenjë e forcës sonë që nxjerrim prodhime që kërkohen nga tregu botëror"

Në këtë mënyrë, Gjermania mban përgjegjësi për krizën greke, thotë Hirschel. Në fakt Gjermania e ka rritur aftësinë konkuruese në tregun ndërkombëtar, në kurriz të tregut të brendshëm. Me shtesat zero të rrogave, për shembull. Por që për këtë arsye Gjermania tani të dënohet, kjo nuk është e drejtë mendon presidenti i Shoqatës gjermane të tregtisë me shumicë dhe tregtitë me jashtë, Anton Börner, :

"Natyrisht që kjo nuk ka kuptim. Kjo kritikë duhet ushtruar ndaj të gjitha vendeve që kanë deficite dhe që nuk kanë rritur aftësinë e tyre konkuruese, siç e ka rritur Gjermania. Ky është rezultat i një pune të madhe me punonjësit tanë të ndërmarrjeve. Është shenjë e forcës sonë që nxjerrim prodhime që kërkohen nga tregu botëror. Dhe kjo është baza e mirëqënies sonë. Pa marrë porositë sot, ne nuk mund të rrisim nesër rrogat dhe as mund të përmirësojmë sistemet e sigurimit social. Kështu që i gjithë ky diskutim është pa bazë."

Shuarja e sektorëve me rroga të ulta mund të sillte rritjen e rrogave në Gjermani

Megjithatë debati u shkon për shtat kërkesave të sindikatave gjermane. Prej kohësh sindikatat qortojnë rënien e nivelit të rrogave në Gjermani. Me rrogat e larta janë lidhur taksat e ulta të konsumit privat. Qeveria gjermane planifikon uljen e taksave, kurse rritjen e rrogave nuk mund ta vendosë me ligj. Kjo në Gjermani është një çështje e palëve që merren me vendosjen e tarifave. Përveç kësaj sindikatat kërkojnë më shumë investime publike dhe nivel më të lartë të rrogave:

"Ajo që mund të bëhet është shuarja e sektorëve me rroga të ulta. Propozimet përkatëse janë dhënë. Ato merren me çështjen e rrogave minimale, me çështjen e rrogave të njëjta për të njëjtën punë në punët e përkohshme, me kufizimin e punësimeve të vogla, të ashtuquajturat mini - jobs apo job për një euro në orë. Kjo do të ishte një strategji që në persektivë mund të sillte rritjen e rrogave në Gjermani, siç ka qenë në të kaluarën."

Obama kërkoi së fundi nivelimin e diferencave në tregtinë botërore

Dhe në këtë mënyrë mund të forcohej tregu i brendshëm. Por diskutimet nuk do të kishin marrë fund me kaq . Edhe presidenti amerikan Barak Obama kërkoi së fundi nivelimin e diferencave në tregtinë botërore. Njëkohësisht ai kërkon të rrisë eksportet amerikane. Mungesa e balancimeve duhet të mënjanohet, mendon edhe Anton Börner. Por propozimet e tij kanë të bëjnë me vendet që kanë deficite:

"Ka vende me të cilat ne kemi një bilan të pabalancuar tregtar, vende në të cilat secili bën atë që di të bëjë më mirë. Që do të thotë se vendet me deficite duhet të fuqizohen. Puna nuk është se ne zhvillojmë biznese të mira, sepse të tjerët kanë deficite. Por, nëse ne do të bënim biznese edhe më të mira, dhe do të kishim një pozicion më të mirë, atëherë do të balanconim edhe më mirë bilancin tregtar. Kjo është çështja vendimtare. Jo të ulim aftësinë tonë konkuruese, e cila ka të bëjë me sigurimin e të ardhmes sonë, por të tërheqim të tjerët me vete, sepse ata duhet të bëjnë detyrat e tyre të shtëpisë, dhe të bëhen më të mirë."

Ekonomia gjermane të ulë varësinë nga eksportet

Megjithatë ekonomia popullore gjermane duhet të ulë varësinë e madhe nga eksportet, sepse rënia e madhe e zhvillimit ekonomik me pesë përqind vitin e kaluar, kishte të bënte edhe me fokusimin e madh tek eksportet. Dhe rreziku tjetër që ekziston është se nëse eksportet bien, atëherë preken shumë vende pune, sepse një në tre vende pune në Gjermani është i varur nga eksportet, në shifra kjo është do të thotë 13 milionë vende pune.

Autor: Henrik Böhme/ Aida Cama

Redaktoi: Auron Dodi

  • Data 17.03.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/MVBo
  • Data 17.03.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/MVBo