1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Debat në parlamentin gjerman për integrimin e të huajve

7 Tetor 2010

Parlamenti gjerman debatoi sot (7.10.'10) për gjendjen e të huajve në Gjermani. Shkas për këtë ishte raporti i tetë i migracionit, prezantuar nga e ngarkuara e qeverisë gjermane Maria Boehmer.

https://p.dw.com/p/PYNy
E ngarkuara e qeverisë gjermane për integrimin Maria Böhmer gjatë debatit për të huajt në parlamentin gjerman. 07.10.2010
E ngarkuara e qeverisë gjermane për integrimin Maria Böhmer gjatë debatit për të huajt në parlamentin gjerman. 07.10.2010Fotografi: picture-alliance/dpa

Një e pesta (15,6 milionë) e banorëve të Gjermanisë është me prejardhje imigrimi. Kjo del në pah nga raporti i tetë i qeverisë gjermane për migracionin. Më shumë se gjysma e tyre janë me shtetësi gjermane (8,3 milionë), por siç vë në dukje raporti shtetësia nuk është etapa e fundit e integrimit. Prandaj edhe Maria Boehmer, gjatë prezantimit të raportit të tetë të qeverisë gjermane për gjendjen e imigrantëve në Gjermani e vuri theksin tek politika e integrimit:

“Kush vjen këtu, duhet ta ketë që qartë që në fillim, se duhet të respektojë kushtetutën dhe ligjet tona”.

Kush nuk respekton barazinë mes burrit dhe gruas, siç në rastin e islamizmit radikal nuk kanë vend këtu, theksoi politikanja demokristiane, duke e deklaruar të dështuar multikultin. Mbas kësaj fraze qendron politika e përqafuar kryesisht nga të gjelbrit gjatë periudhës së qeverisjes së tyre me socialdemokratët (1999-2005), për të respektuar kulturat e ndryshme të imigrantëve të ardhur.

Dossierbild 1 Integration
Mozaik i papërfunduar - Sa është arritur integrimi i të huajve në Gjermani?Fotografi: picture-alliance/dpa

Njohja e diplomave të huaja si masë për lehtësimin e integrimit

Boehmer theksoi masat që kishte marrë qeveria e saj pikërisht për të ndaluar fenomenet e padëshiruara të “multikultit”, si për shembull: kurset e gjuhës si parakusht për bashkim familjar me synim që të shmangen martesat e detyruara, kurset e integrimit për imigrantët e porsaardhur, ose provimi për Gjermaninë si kusht për marrjen e shtetësisë. Ajo gjithashtu paralajmëroi se së shpejti do të dalë edhe ligji për njohjen e diplomave të huaja. 'Kjo do të jetë ngjarja vendimtare në politikën e integrimit të kësaj periudhe legjislative”, tha Boehmer.

Kultura orientuese në Gjermani duhet të jenë demokracia dhe të drejtat e njeriut

Politikanët e opozitës e akuzuan qeverinë për fjalë të bukura, por pak vepra: “Vetëm të flasësh nuk mjafton", tha socialdemokrati Olaf Scholz dhe vuri në dukje se sa i përket politikës së integrimit ekziston një hendek i madh nga e thëna në të bërë. Edhe politikani i Të Gjelbërve, Mehmet Kiliç, vetë me prejardhje turke, e akuzoi qeverinë konservatore-liberale për mungesë koncepti.

Një e pesta e banorëve të Gjermanisë është me prejardhje imigrimi.
Një e pesta e banorëve të Gjermanisë është me prejardhje imigrimi.Fotografi: AP

Kritikë shkoi në adresë të Unionit Kristiandmeokrat e Kristiansocial (CDU/CSU) edhe për shkak të debatit që po zhvillohet se a është feja e islame pjesë e kulturës gjermane, apo jo? “Ky është një banalitet”, tha politikani i së Majtës Harald Wolf, duke pasur parasysh thënien e presidentit gjerman se feja islame është pjesë e Gjermanisë. “Unë po çuditem që në radhët e Unionit po zhvillohet sërish një debat për kulturën orientuese në Gjermani”, shtoi ai më tej. “Nëse imigrantëve myslimanë u thuhet se feja islame nuk është pjesë e kulturës tonë orientuese, atëherë zëre se u ke thënë se ju nuk keni vend tek ne", tha ndër të tjera senatori i Berlinit. "Unë jam i mendimit, se kultura orientuese tek ne duhet të jenë demokracia dhe të drejtat e njeriut, e jo botëkuptimet apo ideologjitë fetare”, tha politikani i majtë.

Rrënjë kristiano-hebraike

E ngarkuara e qeverisë gjermane për të huajt, Maria Boehmer, në fjalën e saj më parë i kishte dhënë të drejtë presidentit Wulff, por njëkohësisht kishte theksuar se kultura gjermane i ka rrënjët në traditën kristiane-hebraike. Politikanë socialdemokratë dhe të gjelbër kanë kërkuar me këtë rast që afro 4 milionë myslimanët që jetojnë në Gjermani të pranohen zyrtarisht si komunitet fetar, ashtu si edhe të krishterët dhe hebrenjtë, por kishat nuk e pranojnë këtë kërkesë.


Autor: Anila Shuka
Redaktoi: Eliana Xhani