1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Debat në Parlamentin Evropian për marrëdhëniet BE- SHBA

Javën e ardhshme, përfaqësues të BE dhe SHBA do të takohen në një takim të nivelit të lartë në kuadër të takimit të NATO-s në Lisbonë. Të mërkurën, në Parlamentin Evropian u zhvillua debat për marrëdhëniet transatlantike

Flamuri i SHBA dhe ai i BE para Këshillit Evropian në Bruksel

Flamuri i SHBA dhe ai i BE para Këshillit Evropian në Bruksel

Një gjë ishte e padiskutueshme për pjesëmarrësit e debatit që zgjati rreth një orë: BE dhe SHBA janë përmes vlerave bazë të përbashkëta aleatë të natyrshëm, dhe janë të varur nga njeri-tjetri, ndoshta sot më tepër se kurrë, në një kohë kur në të gjithë botën pushteti po spostohet drejt Azisë. Këtë e theksoi edhe Komisari për Çështjet e Tregtisë, Karel de Gucht:

"BE dhe SHBA janë ekonomitë popullore të ndërthurrura më ngushtë në botë. Ne jemi për njëri-tjetrit partnerët më të mëdhenj tregtarë dhe në investime. Ne ndajmë vlera të përbashkëta dhe mbajmë përgjegjësi të përbashkët për zgjidhjen e problemeve globale. Edhe nëse pikëpamjet tona ndahen në disa fusha, mbrojtja e konsumatorëve dhe e të dhënave e tregojnë këtë, mua më ngushëllon aftësia jonë e konfirmuar për bashkëpunim, kur kohët bëhen të vështira".

De Gucht kërkoi për shembull që të veprohet së bashku kundër proteksionizmit, i cili në fund të fundit i dëmton të gjithë. Por shumë eurodeputetë janë të zhgënjyer, sepse besojnë që SHBA i mbështesin vetëm me gjysmë zemre disa projekte transatlantike. Socialisti austriak, Hannes Swoboda përmendi para së gjithash politikën ambjentaliste dhe atë të energjisë:

"Ne duhet edhe që t'i themi Amerikës: ne kemi edhe partnerë të tjerë. Ne mund të përpiqemi të bashkëpunojmë edhe me Kinën, me Brazilin, të zhvillojmë gjëra të ngjashme. Me një fjalë, amerikanët duhet të kenë ndiesinë, se ne nuk varemi patjetër nga bashkëpunimi me ta. Ne duam të bashkëpunojmë me dëshirë me ta, por ata nuk janë partneri i vetëm, para së gjithash në çështjet e klimës."

Mundësi të reja në politikën e BE

Disa oratorë, si politikani i të Gjelbërve, Reinhard Bütikofer shohin edhe mundësi të reja në politikën e jashtme për BE, para së gjithash që prej zhvendosjeve të pushtetit në dobi të republikanëve në kongresin amerikan.

"Në fund të fundit, unë besoj përballë një presidenti të dobësuar dhe përballë tendencave të reja izolacioniste në SHBA, që për Evropën do të jetë e rëndësishme që të marrë në mënyrë të pavarur inisiativa ndërkombëtare, për shembull në Lindjen e Mesme, me palestinezët, në Siri ose në Liban dhe besoj se duhet t'u themi qartë amerikanëve se jemi të gatshëm për këtë dhe duam ta mbajmë këtë përgjegjësi."

Debati tregoi edhe shqetësimin, se në kohë të vështira, SHBA mund të tërhiqen në vete, por edhe një besim të rritur te vetja të evropianëve, që nuk ndihen më si partneri më i vogël.

Autor: Christoph Hasselbach/ Auron Dodi

Redaktoi: Eliana Xhani

  • Data 11.11.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/Q5dY
  • Data 11.11.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/Q5dY