1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Debat i përgjithshëm në Bundestag

Pas vendimit për ESM të Gjykatës Kushtetuese gjermane, në Bundestagun Gjerman rishpërtheu plotësisht mosmarrëveshja parimore për politikën ndaj krizës. Shkas ishte debati i përgjithshëm për buxhetin e federatës.

Bundestagu debaton pas vendimit të Karlsruhes

Bundestagu debaton pas vendimit të Karlsruhes

Megjithë gëzimin për vendimin e gjykatësve: politikën evropiane të qeverisë gjermane, politikani opozitar Frank Walter Steinmeier nuk e vlerëson aspak më të mirë. "Tri vjet keni që po punoni dhe kriza shkallëzohet nga viti në vit." Kështu e akuzoi kryetari i Grupit Parlamentar të Socialdemokratëve në Bundestag kancelaren gjermane. Angela Merkel gjithmonë i ka bllokuar hapat e nevojshëm në Evropë, për t'i lejuar megjithatë shumë më vonë.

Për vendimin problematik edhe për të të BQE, që në rast nevoje të blejë pa kufizim obligacione shtetërore të shteteve në krizë, Steinmeieri tha: "Në fund ishit edhe ju, kjo qeveri gjermane, që e shtyu gradualisht BQE në këtë drejtim." Mënyra e veprimit të qeverisë federale është "varianti më i shtrenjtë i politikës antikrizë."

Merkel: meritë e qeverisë gjendja e mirë në Gjermani

Kancelarja Angela Merkel nga ana e saj, e quajti meritë të qeverisë së saj që është kujdesur që Gjermania të paraqitet me rezultate të mira, megjithë eurokrizën. Rritja ekonomike është e zhdërvjellët, papunësia në nivelin më të ulët që prej ribashkimit të Gjermanisë, tha ajo. Por ajo shtoi edhe se "Gjermania mund të jetë mirë, kur është mirë edhe Evropa". Kriza nuk është kapërcyer, por hapat e parë për kapërcimin e saj janë ndërmarrë. Megjithatë, vështirësitë aktuale janë krijuar "në një masë vendimtare në shtetet e veçanta anëtare". Prandaj ato duhet të zgjidhen "në mënyrë shumë parësore" edhe në këto vende të veçanta.

Merkeli e përshëndeti shprehimisht që BQE do ta lidhë në të ardhmen blerjen e huave shtetërore me kushte të rrepta. "Ne e ndiejmë këtë një mbështetje të kursit tonë," tha Merkeli. Tani duhet të vazhdojë me shpejtësi integrimi evropian. Ai duhet të legjitimohet në mënyrë demokratike, prandaj ne "duhet të flasim për rolin e Parlamentit Evropian", tha Merkeli.

Merkel mbron politikën e qeverisë

Merkel mbron politikën e qeverisë

Ritheksohet plani për taksën mbi transaksionet

Përsa i përket rregullimit të nevojshëm të tregjeve financiare ndërkombëtare janë arritur përparimet e para, tha Merkeli, por: "Ka tendenca, që të tjerët nuk janë kaq të interesuar dhe këtë ne do ta kundërshtojmë me të gjitha fuqitë." Edhe synimit për të futur një taksë të transaksioneve në tregjet financiare, ministri i Financave, Wolfgang Schäuble do t'i përmbahet, megjithë disa rezistenca tek kolegët e tij evropianë, bëri të ditur kryeministrja kristjandemokrate.

Po kjo nuk i mjaftoi kryetares së Grupit Parlamentar të të Gjelbërve, Renate Künast. Ajo i kërkoi qeverisë federale që të krijojë në eurozonë një fond për eleminimin e borxheve të vjetra për shtetet e mbytura në borxhe. Këtë fond e pati kërkuar vitin e kaluar këshilli i ekspertëve të qeverisë gjermane. Sipas këtij modeli, shtetet anëtare do të duhet të përballojnë borxhe në nivelin deri 60 përqind të produktit kombëtar bruto, gjithçka tjetër mbi këtë duhet të përballohet bashkërisht nga shtetet e BE.

Autor: Peter Stützle/ Auron Dodi

Redaktoi: Angjelina Verbica