1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

De Mazière dhe Cazeneuve në Tiranë: Grup ekspertësh për luftën kundër kriminalitetit të organizuar

Ministri i Brendshëm i Republikës Federale të Gjermanisë, Thomas de Mazière dhe ai i Francës Bernard Cazeneuve njoftuan të martën në Tiranë ngritjen e një grupi pune të përbashkët të ekspertëve nga të tre shtetet.

Qëndrimi disa orësh në Tiranë i ministrave të brendshëm të Gjermanisë, Thomas de Mazière dhe atij të Francës Bernard Cazeneuve kishte një imapkt konkret. Brenda pak ditëve do të themelohet dhe do të nisë nga puna një grup i përbashkët ekspertësh të fushës së rendit dhe sigurisë nga të tre shtetet që do të fokusohet më shumë tek mbështetja për një nga strukturat më të reja të antikrimit dhe antikorrupsionit në Shqipëri, Byrosë Kombëtare të Hetimit.

Bernard Cazeneuve ka theksuar faktin se kriminaliteti është një fenomen që nuk njeh kufij dhe për t'i bërë ballë duhet që të gjtihë së bashku të bashkëpunojmë dhe të plotësojmë 2 kushtet e domosdoshme dhe komplementare njëri me tjetrin. "E para është një aksion në planin e brendshëm në luftën kundër kriminalitetit dhe krimit të organizuar, por dhe një bashkëpunim i ngushtë mes partnerëve ndërkombëtarë gjë e domosdoshme për ta fituar këtë luftë. Përsa i përket bashkëpunimit europian dhe ndërkombëtar ne kemi vendosur të bashkëpunojmë pikërisht në luftën kundër trafikut të drogës, i cili është një fenomen shumë i rrezikshëm dhe shumë shqetësues për vendet e Europës, i cili fillon në gjirin e vendeve europiane e përhapet më pas në të gjithë hapësirën e BE-së."

Ministri i Brendshëm i Francës ka përmendur përpjekjet e policisë shqiptare në luftën kundër drogës duke iu referuar rastit të javëve më parë të operacionit në shkallë të gjerë në fshatin Lazarat në jug të Shqipërisë, ku siç tha ai u tregua “vendosmëri nga qeveria shqiptare për ta luftuar këtë dukuri”.

Parandalim për trafikun e qenieve njerëzore dhe migrimin e paligjshëm

Një nga temat kryesore që është diskutuar mes ministrave të brendshëm është dhe lufta kundër trafikut të qenieve njerëzore dhe migrimin e paligjshëm në territorin e vendeve anëtare të BE-së. Minisri shqiptar, Saimir Tahiri, vuri në dukje konsideratat e raportit më të fundit vjetor të Departamentit të Shtetit të SHBA-së, ku nënvizohej fakti se Shqipëria ka dalë nga lista e zezë e vendeve me probleme serioze, në trafikimin e qenieve njerëzore. “Por edhe ky është një motiv i shtuar dhe nxitje më shumë për të punuar bashkë me kolegët për të pasur rezultate dhe hetime efektive në luftën kundër trafikimit të qenieve njerëzore dhe migrimit të paligjshëm”.

Duke folur për këtë argument, Thomas de Mazière, ilustroi situatën konkrete në Gjermani, ku siç tha ai në 4 muajt e parë të këtij viti, kërkesat për azilim që kanë bërë shqiptarët, kanë qenë gati dyfishi i atyre gjatë gjithë vitit të shkuar. “Sigurisht që këtu nuk ka ndonjë arsye objektive, madje do të thosha nuk ka arsye për ta kërkuar këtë, dhe në të gjitha rastet që shikohen kërkesat e azilkërkuesve, besoj se numri i atyre që mund të pranohen nuk mund të arrijë më shumë se 2%.”

Ministri i Brendshëm i Gjermanisë gjeti rastin që të apelonte nga Tirana për të gjithë qytetarët shqiptarë që tentojnë për azil, që “të mos ta ndjekin këtë rrugë, sepse kjo është një rrugë e vështirë, është ilegale dhe nuk ka asnjë shans për të qendruar nëpërmjet kësaj rruge në Gjermani.Sigurisht që mund të ketë dhe akuza se gjoja po cënohen të drejtat e njeriut, por dëshiroj të theksoj se këtu nuk bëhet fjalë për cënimin e të drejtave të njeriut”.

Albanien Innenminstertreffen Deutschland Frankreich

Gledis Gjipali, drejtor ekzekutiv i Lëvizjes Europiane në Shqipëri

Shqipëria të futet në listën e vendeve të sigurta

Gledis Gjipali, drejtor ekzekutiv i Lëvizjes Europiane në Shqipëri mendon se autoritetet zyrtare në Shqipëri duhet të kenë më shume vëmendje për problematikën e azilkërkimit. Ndonëse numri i tyre është i papërfillshëm, ata janë ende një problem për vendin, thotë Gjipali për DW. “Së pari, për sa i takon imazhit të Shqipërisë, tashmë një vend kandidat për anëtarësim në BE, s'mund të vazhdojë të shihet si një vend që u sjell probleme anëtarëve të BE-së. Së dyti, ndjeshmëria më e lartë në vitet e fundit tek disa vende anëtare si Gjermania, Franca, Hollanda, Belgjika, etj., ndaj flukseve migratore është reflektuar edhe në klasën politike të tyre, duke ndikuar drejtpërdrejtë tek vendimet që marrin në lidhje me ecjen përpara të Shqipërisë në rrugën e integrimit europian. Për të mos cënuar besueshmërinë e vendit autoritetet shtetërore duhet të tregojnë kujdes të veçantë ndaj fenomenit të gjakmarrjes si dhe problemeve me dokumentet e falsifikuara. Sa u përket arsyeve të tjera për kërkimin e azilit, në pjesën më të madhe ato kanë rezultuara të pabaza, ku rreth 99 % e kërkesave në të gjithë vendet e hapësirës Shengen janë refuzuar. Tashmë ka ardhur koha që Shqipëria të futet në listën e vendeve të sigurta, që do të thotë procedura të përshpejtuara për trajtimin e kërkesave në vendet e BE-së dhe si rrjedhojë ulje të numrit të aplikuesve pa arsye të fortë për azil”.

Ministri i Brendshëm i Republikës Federale të Gjermanisë, Thomas de Mazière dhe ai i Francës Bernard Cazeneuve pak përpara se të largoheshin nga Shqipëria kanë inspektuar komisariatin që mbulon aeroportin ndërkombëtar "Nënë Tereza" të Tiranës, porta më e madhe ajore e hyrje- daljes nga territori shqiptar.

DW.COM