1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

De Maizière: "Ndërhyjra ushtarake në Siri do të sillte humbje të mëdha."

Ministri gjerman i Mbrojtjes de Maizière shprehet me pesimizëm pas atentateve në Turqi. Ai paralajmëron ndaj një ndërhyrjeje ushtarake në Siri. Turqia e akuzon bashkësinë ndërkombëtare për mosveprim.

Pas atentatit më të rëndë me bomba në Turqi që prej fillimit të luftës civile, në vendin fqinj Siri konflikti kërcënon të zgjerohet. Sipas të dhënave të politikanëve qeveritarë turq, gjurmët çojnë në regjimin e presidentit sirian Bashar al-Assad. Opozita siriane gjithashtu bën përgjegjës Damaskun për sulmet terroriste në kufi.

Ministri gjerman i Mbrojtjes Thomas de Maizière u shpreh me pesimizëm të thellë për zhvillimet e mëtejshme. Në kanalin e parë televiziv gjerman ARD, politikani kristiandemokrat pranoi: "Jemi të dëshpëruar dhe sinqerisht edhe disi të pavendosur lidhur me mundësitë e ndikimit nga jashtë." Edhe përpjekja e SHBA-së dhe Rusisë për të organizuar së bashku një konferencë, është vetëm një fije shprese, "më shumë jo". De Maizière paralajmëroi sërish ndaj një ndërhyrjeje ushtarake në Siri. "Një ndërhyrje ushtarake do të ishte shumë, shumë e kushtueshme dhe me shumë humbje", tha ai. Veç kësaj "një mandat i Këshillit të Sigurimit të OKB-së është shumë larg".

OKB hesht

Për "aktin terrorist barbar" të së shtunës (11.5.) është përgjegjëse edhe bashkësia ndërkombëtare për shkak të mosveprimit, u ankua përballë kësaj situatë ministri i Jashtëm turk Ahmet Davutoglou gjatë vizitës së tij në Berlin. Atentati tregon "se si një shkëndijë mund të kthehet në zjarr masiv, kur bashkësia ndërkombëtare hesht dhe KS nuk vepron".

Si pasojë e shpërthimit të dy autobombave në qytetin kufitar Reyhanli u vranë të paktën 46 vetë, 140 të tjerë u plagosën.

Ekstremistët e majtë bëhen përgjegjës për atentatin

Policia në Turqi ka arrestuar deri tani nëntë të dyshuar. Bëhet fjalë për ekstremistë të majtë. Sipas të dhënave të medieve turke të dyshuarit janë anëtarë të "Frontit/partisë revolucionare të çlirimit të popullit" (DHKP-C) si dhe të një grupimi tjetër (THKP-C). Qeveria turke i akuzon ata se e kanë kryer atentatin në koordinim me shërbimin sekret sirian.

Të gjithë të arrestuarit janë shtetas turq, citohet nga mediet turke zv/kryeministri Besir Atalay. Sipas të dhënave të tij të akuzuarit e kanë pranuar pjesërisht fajin. Ministri i Brendshëm Muammer Güler tha se ndër të arrestuarit është edhe organizatori.

Turqia përkrah rebelët

Siria hodhi poshtë çdo lloj përgjegjësie. Agjencia shtetërore e lajmeve Sana citoi ministrin e Informacionit Omran al-Subi me fjalët: "qeveria turke ka lejuar që rajoni kufitar të kthehet në një qendër për terrorizmin ndërkombëtar. Për këtë arsye Ankaraja ka përgjegjësi direkte morale dhe politike për ato, që po ndodhin".

Turqia përkrah kryengritësit sirianë dhe ka pranuar një numër të madh refugjatësh nga Siria. Reyhanli, vendi i atentatit, nuk është larg pikëkalimit kufitar Cilvegëzü, nëpërmjet të cilit shumë refugjatë nga Siria hyjnë në Turqi.