1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

De Maizière në shënjestër të kritikave

Debati në Bundestag ishte shumë i nxehtë për çështjen e projektit Euro Hawk. Opozita kritikoi ministrin e Mbrojtjes dhe qeverinë për dështime, ndërsa partitë në pushtet ishin të mendimit se gabimet janë bërë kaherë.

Me fjalë të ashpra kanë kritikuar përfaqësuesit e SPD-së, ekologjistëve dhe të Majtës ministrin e Mbrojtjes Thomas de Maizière, për shkak të dështimit të projektit të avionit pa pilotë "Euro Hawk".

Në foto, Rainer Arnold

Në foto, Rainer Arnold

"Ky ministër ka dashur ta manipulojë opinionin", tha përfaqësuesi i SPD-së në Komisionin parlamentar për Mbrojtje, Rainer Arnold. Sipas tij, ky është edhe rezultati i punës së Komisionit parlamentar për hetimin e rastit, i cili është themeluar në qershor të këtij viti. Gjatë pushimeve verore deputetët kanë studjuar 1500 dokumente me mijëra faqe dhe kanë biseduar me 18 dëshmitarë, ndër të cilët edhe ministrin e Mbrojtjes de Maizière dhe paraardhësit e tij Rudolf Scharping (SPD) dhe Franz-Josef Jung (CDU).

Arnold kritikoi ministrin de Maizière për gënjimin e opinionit dhe Parlamentit dhe kërkoi dorëheqjen e tij. "Ai nuk e ka dhënë përgjegjësinë në momentin e duhur", mendon politikani socialdemokrat dhe shton: "Ne kemi nevojë për një ministër të Mbrotjes i cili e ka besimin e ushtarëve".

Kritikat e opozitës

Në foto, Omid Nouripour

Në foto, Omid Nouripour

Me fjalë të ngjashme shprehet edhe deputeti i ekologjistëve Omid Nouripour. Ministria e Mbrojtjes nuk po drejtohet si duhet. De Maizière e ka shndërruar ndryshimin e sistemit të furnizimit në esencën e reformave të ushtrisë dhe me këtë ka dështuar. Lajmi i mirë është që e gjitha do të përfundojë brenda tre javësh. "Atëherë do të kemi një ministër të ri, i cili do të kujdeset për trupat ushtarake", tha Nouripour.

Eksperti për çështje të mbrojtjes nga e Majta Jan van Aken tha se partia e tij është deklaruar kundër avionëve pa pilotë që në fillim. E këtij mendimi është edhe më tej. "Ne jemi kundër aksioneve luftarake të Bundeswehrit ndaj jemi edhe kundër avionëve pa pilotë, që mund të shërbejnë për zbulime", tha ai. Euro Hawk ka mundur të spiunojë edhe të dhënat e qytetarëve. Ka qenë e planifikuar që ai t'u shërbejë edhe policisë dhe organeve për mbrojtje kushtetuese.

Pamje simbolike, avioni pa pilot, Euro Hawk

Pamje simbolike: avioni pa pilot, Euro Hawk

Koalicioni mbron ministrin

Në anën tjetër, përfaqësuesit e partive në pushtet e mbrojnë ministrin de Maizière dhe kritikojnë opozitën për kepqërdorimin e dështimit të këtij projekti për fushatë elektorale. "SPD, ekologjistët dhe e Majta duan ta skandalizojnë çështjen", tha përfaqësuesi i CDU-së në Komision Markus Grübel.

Sipas tij, kjo nuk është një temë që i përket fushatës elektorale, sepse koalicioni i socialdemokratëve dhe ekologjistëve ishte ai i cili e ka dhënë pëlqimin për fillimin e projektit Euro Hawk. Probleme ka pasur prej fillimit dhe për këtë e mban përgjegjësinë ish-ministri i Mbrotjes Rudolf Scharping nga SPD-ja, mendon përfaqësuesi i CDU-së.

Në foto, Joachim Spatz

Në foto, Joachim Spatz

Ndërsa deputeti liberal i partisë FDP Joachim Spatz thotë se de Maizière ka pasur shumë pak hapësirë për të vepruar. "Kur u bën të qarta problemet, 90 % e parave ishin shpenzuar. Ministri i Mbrojtjes ka vepruar mirë kur e ka ndërprerë projektin për sistemet e zbulimeve. Në të ardhmen mund të fusim në përdorim sisteme të tjera", mendon ai.

Projekti i avionit pa pilot për qëllime zbulimesh Euro Hawk është nisur para 10 vitesh nga ministri i atëhershëm i Mbrojtjes Rudolf Scharping. Në maj të këtij viti ministri de Maizière e ka ndërprerë projektin, për shkak të problemeve me lejen për fluturimin e avionit në hapsirën gjermane. Projekti kishte kushtuar deri në atë moment 668 milionë euro.