1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

De Maizière në Kosovë: Nëse funksionon kompromisi për kufirin, ky është përparim i madh

Ministri gjerman i Mbrojtjes Thomas de Maizière vlerëson përparimet e bëra nga Beogradi dhe Prishtina në zgjidhjen e konfliktit, por ai e konsideron ende si delikate gjendjen e sigurisë.

Ministri gjerman i Mbrojtjes Thomas de Maizière në kuadër të vizitës që zhvilloi të enjten (20.12.2012) në kuartierin e trupave gjermane të KFOR-it në Kosovë, i vlerësoi përparimet e bëra në procesin e zgjidhjes së konfliktit të Kosovës mes Beogradit dhe Prishtinës duke kërkuar njëkohësisht që të bëhen hapa konkrete të mëtejshme. Me rëndësi kyç është së pari zbatimi konstruktiv i kompromisit të arritur, theksoi politikani kristiandemokrat: "Kjo është provë për besueshmërinë e bisedimeve politike." Nismën e fundit të Beogradit për zgjidhjen e konfliktit përmes një autonomie të zgjeruar për veriun e Kosovës të dominuar nga serbët de Maizière e vlerësoi me rezerva. Fakti, që ka një propozim, sjell lëvizje në konfliktin e mbetur në vend. "Të gjitha shkojnë në drejtimin e duhur, ndonëse zgjidhja e konfliktit mund të zgjasë." Ministri theksoi: "Konflikti nuk mund të zgjidhet ushtarakisht. Por as pa KFOR-in nuk mund të ketë përparime politike."

Gjendja e sigurisë

Kompromisin për sigurimin e kufirit ministri gjerman i Mbrojtjes e quajti si "një rezultat të parë të vogël" të bisedimeve mes Beogradit dhe Prishtinës. "Nëse ai do të funksionojë, atëherë ky është një përparim i madh."

Gjendja e sigurisë "në përgjithësi është e qëndrueshme, por ajo mbështet mbi nja bazë delikate". KFOR-i edhe në të ardhmen do të kujdeset për të mos lejuar që të cënohet procesi politik, nënvizoi de Maizière.

Ministri i Mbrojtjes vizitoi trupat gjermane në Kosovë në kuadër të festës së Krishtlindjeve si dhe për t'u njohur me situatën. Gjatë kësaj vizite ai shoqërohej nga kryeministrja e landit të Turingjisë, kristiandemokratja Christine Lieberknecht dhe i ngarkuari i Bundestagut (parlamentit gjerman) për mbrojtjen liberali Helmut Königshaus. Ministri u shprehu mirënjohjen ushtarëve për angazhimin e tyre.

De Maizière: T'u krijohen më shumë lehtësi njerëzve

Gjermania ka aktualisht 1250 ushtarë në përbërje të KFOR-it duke pasur kështu kontigjentin më të madh në trupën ndërkombëtare me një kapacitet të përgjithshëm prej gati 5600 ushtarësh. De Maizière i kërkoi bashkësisë ndërkombëtare që të ushtrojë presion ndaj të dyja palëve për arritjen e një zgjidhjeje: "Ne do të bënim mirë, që përpara zgjidhjes së çështjeve që kanë të bëjnë me statusin të krijojmë sa më shumë lehtësi të jetë e mundur për njerëzit." Atje ku ka dështuar misioni ligjor i BE-së, EULEX, shpesh herë duhet të ndërhyjë KFOR-i. "Ne përpiqemi, që ta bëjmë EULEX-in më efikas." Në këtë drejtim përparimet janë të ngadalta.

Pasdite de Maizière vizitoi Mitrovicën, ku serbët mbajnë bllokadën e fundit në urën mbi lumin Ibër. KFOR-i nuk do të ndërhyjë për heqjen e kësaj barrikade, sepse druan se ndërhyrja mund të çojë në destablizimin e gjendjes.