1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

De Maizière në Beograd dhe Tiranë: Më shumë përpjekje për kufizimin e azilkërkuesve

Ministri gjerman i Punëve të Brendshme Thomas de Maizière pas Beogradit viziton Tiranën. Në axhendën e bisedimeve ajnë përpjekejt për pakësimin e numrit të azilkërkuesve nga këto vende të Ballkanit.

Ministri gjerman i Punëve të Brendshme Thomas de Maizière i kërkoi qeverisë së Serbisë të bëjë gjithçka të mundshme për pakësimin e numrit të azilkërkuesve nga ky vend i Ballkanit. «Shanset për pranimin e azilkërkuesve janë pothuajse zero», tha ministri të martën (15.07) pas një takimi me kryeministrin serb Aleksandër Vuçiç në Beograd.

Por pavarësisht këtij fakti kërkesat par azilim nga nën 1.000 që kanë qenë në vitin 2009 janë rritur në mënyrë masive duke arritur vitin e kaluar në mbi 18.000. Edhe gjatë pesë muajve të parë të këtij viti numri i kërkesave për azilim nga të ardhurve prej Serbisë është i dyti krahasuar me rreth 7.800 refugjatë, që vijnë nga Siria e përfshirë prej luftës civile. Shqipëria, ku ndërkohë po qëndron të martën (15.07) për një vizitë ministri de Maizière, renditet për nga numri i azilkërkuesve në vendin e katërt me rreth 3.000 kërkesa pas Afganistanit.

De Maizière zhvillon vizitë në këto vende të Ballkanit bashkë me homologun e tij francez Bernard Cazeneuve. Në Serbi është rënë dakord për krijimin e një grupi ekspertësh për luftën kundër kriminalitetit të organizuar, komunikoi qeveria serbe. Serbia konsiderohet si një vend i rëndësishëm tranziti përgjatë të ashtuquajturit itinerari ballkanik për drogën, prostitucionin dhe refugjatët.

Ministri i Brendshëm Thomas de Maizière (partia kristiandemokrate)i bën thirrje Serbisë dhe Shqipërisë për një qendrim më të mirë në raport me minoritetin rom. Të dyja këto vende duhet të kujdesen për një «integrim më të mirë», që pjestarët e kësaj pakice të mos vazhdojnë si deri më sot të paraqesin kërkesa gjithnjë në rritje për azilim në Gjermani, deklaroi de Maizière në kuadër të vizitës në Beograd. «Gjendja e romëve në Shqipëri dhe në Serbi do të vlerësohet me kujdes në Gjermani», theksoi ministri i Brendshëm. Krahas integrimit të romëve de Maizière i bën thirrje Shqipërisë dhe Serbisë për «veprime më konsekuente kundër bandave të trafikimit me njerëz». Ministri de Maizière tërheq vëmendjen, se kjo «duhet të jetë efikase përmes masave konkrete». Pas Beogradit Ministri i Brendshëm qëndron edhe në Tiranë.

Rregulla për të rrepta ligjore për procedurat e azilimit

Bundestagu (parlamenti i Gjermanisë) së fundi miratoi një ligj, që parashikon kufizimin e fluksit të azilkërkuesve nga vendet e Ballkanit. Shkas për këtë vendim është rritja e numrit të azilkërkuesve prej njerëzve, që vijnë nga vendet e Ballkanit Perëndimor. Kërkesat për azil të këtij grupi njerëzish nuk kanë sukses, sepse sipas vlerësimit të autoriteteve gjermane në këto vende nuk ka persekutim politik. Argumenti i persekutimit politik merret parasysh në këkresat për azilim, por nuk pranohet si argument varfëria ekonomike. Organizatat e të drejtave të njeriut dhe ato për refugjatët në të kundërt argumentojnë, se veçanërisht romët në këto vende përballen me diskrimimin dhe përndjekjen. Me ligjin e miratuar nga Bundestag-u vendet si Serbia, Bosnje-Hercegovina dhe Maqedonia klasifikohen si vende të sigurta origjine. Kërkesat për azilim nga njerëzit që vijnë prej këtyre vendeve përpunohen shumë shpejt dhe refuzohen. Fillimisht ministri de Maizière donte të përfshinte në këtë listë edhe Shqipërinë e Malin e Zi. Por me këtë ai hasi në rezistencën e partisë socialdemokrate në koalicionin qeverisës. Ky ligj duhet të miratohet tani edhe nga Bundesrati (Këshilli Federal), në dhomën e përfaqësuesve të landeve shumica e nevojshme për miratimin e ligjit është e paqartë.