1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

De Maizière kërkon t'i shpërndajë më drejt refugjatët

Në intervistë me DW ministri i Brendshëm gjerman flet për një ndarje më të drejtë të refugjatëve dhe ndihmë për shtetet e Mesdheut. Veç kësaj ai e vlerëson njësoj të lartë rrezikun e atentateve terroriste në Gjermani.

Ministri i Brendshëm gjerman Thomas de Maizière (CDU) kërkon të angazhohet për një ndarje më të barazpeshuar të refugjatëve mes shteteve të BE-së. "Kur një vend është i mbingarkuar, atëherë shtetet e tjera duhet të ndihmojnë", tha ai në intervistë me DW të martën (25.11.2014). Në të njëjën kohë de Maizière përjashtoi një ndryshim themelor të kritereve të Dublinit. "Dublini është në rregull, një ndryshim do të zgjaste vite me radhë", theksoi de Maizière.

Trysni ndaj vendeve anëtare

Marrëveshjet e Dubinit përcaktojnë që refugjatët duhet të paraqesin kërkesën për azil në vendin ku shkelin për herë të parë tokën e BE-së. Veçanërisht vendet buzë Mesdheut, ku mbërrojnë shumë refugjatë, e shohin veten në disfavor nga ky sistem. Përpjekjet për të ndryshuar këto marrëveshje, kanë dështuar megjithatë në Këshillin e ministrave të brendshëm të BE-së. Disa vende anëtare për këtë arsye kanë rënë dakord që të ngrenë një sistem vullnetar shpërndarjeje. Por vetëm dhjetë vende anëtare janë shprehur deri tani të gatshëm të marrin pjesë, ndër to edhe Gjermania. "Ne duhet të ushtrojmë pak trysni në mënyrë të që kemi një shpërndarje të drejtë", tha de Maizière.

Flüchtlinge in Rosenheim

Refugjatë në Rosenheim, Gjermani

Ministri i Brendshëm mendon se numri i refugjatëve që do të vijnë në Gjermani vitet e ardhshme, nuk do të reduktohet në mënyrë të ndjeshme. "Përballë realitetit të 50 milionë refugjatëve në botë, na duhet të pregatitemi për një kohë të gjatë për shifra të larta refugjatësh", tha ai.

"Më shumë rrezikues se kurrë ndonjëherë"

Ashtu si dhe më parë ministri i Brendshëm e konsideron njësoj të lartë rrezikun e atentateve terroriste në Gjermani. "Ne kemi më shumë rrezikues se kurrë ndonjëherë", tha ministri i Brendshëm. Javët e kaluara shërbimet sekrete kanë paralajmëruar disa herë për numër në rritje të islamistëve radikalë. Kështu në Siri përkrah IS luftojnë rreth 550 gjermanë. Megjithatë autoritetet gjermane nuk kanë të dhëna për plane konkrete për atentate. "Janë para së gjithash aktet e veçuara që na shqetësojnë."

De Maizière theksoi edhe planet për të mos lejuar daljen nga Gjermania të islamistëve të gatshëm për dhunë. Gjermania nuk mund t'ia lejojë vetes të eksportojë terror. Deri tani qeveria gjermane megjithatë nuk ka thuajse asnjë mundësi për të ndaluar daljen jashtë vendit të shtetasve të saj. Vërtet autoritetet mund të shpallin të pavlefshme pasaportat, por për të udhëtuar drejt Turqisë, vendi më i rëndësishëm tranzit për luftën civile në Siri, mjafton një letërnjoftim. Ministria e tij për këtë arsye po punon për një ligj, i cili mundëson që të shpallen të pavlefshme edhe letërnjoftimet, tha ministri i Brendshëm. De Maizière nënvizoi megjithatë se radikalizimi i të rinjve myslimanë nuk është vetëm një problem i autoriteteve të sigurisë. "Ata janë rritur dhe radikalizuar në shoqërinë tonë. Eshtë një detyrë e gjithë shoqërisë të zbulohet radikalizimi dhe t'i kundërvihemi atij."

Intervista e plotë me ministrin e Brendshëm Thomas de Maizière jepet të dielën, 30.11.2014 në 10:15 UTC në DW Europe, në 13:15 UTC në DW Amerika dhe në 14:15 UTC në DW Asien.