1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Shqipëria 1990

Daum: Refugjatët do të nxisnin ndryshime politike

Werner Daum, ish-ambasadori ad interim i RFGJ-së (1987-1990) në Shqipëri në intervistë për DW.

Werner Daum, ambasadori i RFGJ në Shqipëri në vitet 1987-1990

Werner Daum, ambasadori i RFGJ në Shqipëri në vitet 1987-1990

DW: Zoti Daum, Ju keni qenë i ngarkuari i parë ad interim i Republikës Federale të Gjermanisë në Shqipërinë komuniste. Cilat kanë qenë sfidat profesionale të një diplomati në një vend komunist? 

Daum: Unë do të doja të filloja me kushtet jo politike, unë atëhere u njoftova brenda një afati shumë të shkurtër, mësova nga Zoti Gensher (ish-Ministër i Jashtëm) se ai kishte vendosur të më dërgonte mua si përfaqësuesin e parë të Republikës Federale të Gjermanisë në Tiranë. Në sfond dua të them se ne kishim marrëdhënie diplomatike me të gjitha vendet e Evropës. Evropa sot ashtu si edhe atëhere është fusha kryesore diplomatike e politikës së fqinjësisë dhe vendi i vetëm, ku ne nuk ishim të përfqësuar ishte Shqipëria. Kjo ishte arësyeja. Ne donim ta tërhiqnim Shqipërinë në rrjetin e marrëdhënieve politike të ndërsjella, të përgjegjësive të ndërsjella dhe unë dua ta theksoj hapur të varësive të ndërsjella, duke e nxjerrë kështu Shqipërinë nga një izolim të zgjedhur pjesërisht vetë apo edhe të imponuar. Genscher-i kishte të drejtë kur mendonte se zyrtarizimi i marrdhënieve nxit informacionet dhe se njerëzve u krijohet kështu mundësia të afrohen me njëri- tjetrin dhe së fundmi kjo do të duhet  të çojë në ndryshime politike edhe pse ne këtë të fundit nuk e thamë kaq shkoqur. Dhe këtë ai ma tha mua. Kjo kishte të bënte me faktin se unë isha një diplomat jo tipik, i cili nuk kishte menduar për një karrierë ministeriale, por që kishte eksperiencë në detyra të vështira, në vende të vështira dhe që ishte përpjekur me forcat e veta të arrinte rezulate në terren pa pasur një ndihmë direkte nga qendra, për të ndërtuar një koncept politik apo financiar dhe së dyti unë kisha një bagazh intensiv kulturor, unë kisha shkruar disa libra dhe Genscher-i mendonte se ai që shkruan libra ka interes të angazhohet në një veprimtari të re. Ishin këto dy argumentat e tij: aftësia ime praktike të shkoja diku dhe që isha në gjendje të ndërtoja diçka të re si dhe aftësia e prezantimit intelektual.

DW: Si nisi puna Juaj në Shqipëri? A e njihnit Ju Shqipërinë, çfarë dinit Ju për Shqipërinë kur filluat detyrën Tuaj në Tiranë?

Daum: Unë pata më pak se një muaj kohë përpara se  të filloja punën në Tiranë. Ditën e nesërme (pasi ministri i jashtëm më ngarkoi me këtë detyrë) unë fluturova për në Paris, ku bëra një kurs intensiv të gjuhës shqipe me një mësuese private dhe përpara se të nisesha për një udhëtim aventuresk për në Tiranë isha në gjendje të kuptoja shqip. Në atë kohë nuk kishte fluturime direkte, madje dëshira ime ishte të qëndroja edhe një muaj në Gjermani përpara se të filloja detyrën e re,  por më duhej të nisesha menjëherë pasi “konkurrenti politik”, kryeministri i Landit të Bavarisë, Franz Josef Strauss kishte planifikuar një fluturim me avionin e tij për në Tiranë. Qeveria federale sigurisht që donte që përfaqësuesi i saj të ishte në Tiranë dhe kjo së fundmi funksionoi. Për udhëtimin nga Boni në Tiranë m'u deshën tri ditë, pjesërisht me tren, pjesërisht me avion dhe një pjesë të mirë duke pritur në aeroportin e Beogradit.

'Shqipen e mësova në një kurs në Paris'

Unë nuk dija asgjë për Shqipërinë, kisha dëgjuar për Enver Hoxhën, unë sigurisht e dija se ku ndodhej Shqipëria gjeografikisht, vetëkuptohet që unë kisha dëgjuar në shkollë për Skënderbeun, dhe kjo ishte e gjitha sa dija. Në kursin 14 ditor të gjuhës që zhvillohej nga ora 9 e mëngjezit deri në 8 të darkës në Paris kam dëgjuar shumë mbi Shqipërinë, por është një gjë krejt tjetër nëse një vend dhe njerëzit i përjeton drejtpërdrejt, nëse e shikon horizontin me sytë e tu, krahasuar me atë që dëgjon nga larg apo lexon nëpër libra.