1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Dallimet mes Veriut dhe Jugut të Evropës

Letonia mori më 1 janar presidencën e BE-së, Lituania u anëtarësua në eurozonë. Vendet balltike po bëjnë progres. Rindizet me këtë sërish debati Veri-Jug? Çfarë mund të mësojë jugu i Evropës nga vendet baltike?

Në aspektin e politikës ekonomike Italia ka rënë në sy në gjashtë muajt e Presidencës së BE-së kryesisht pör ankime, mosveprim dhe fajësime. Qeveria e kryeministrit socialdemokrat Matteo Renzi nuk ka ndërmarrë thuajse asnjë nga reformat e nevojshme strukturore. Në vend të kësaj, ajo e ka akuzuar Gjermaninë dhe vendet e tjera të BE-së të orientuara nga stabiliteti që po e mbytin ekonominë evropiane me kursime të ekzagjeruara. Nëse ne mund të investonim pa marrë parasysh kriteret penguese të stabilitetit - që do të thotë thjesht të shpenzojmë para, më mirë paratë e të tjerëve - e gjithë Evropa do t'i kishte punët më mirë, duket se është motoja e Renzit. Sikur të mos ishte pikërisht politika e shpenzimeve pa llogari dhe në kurriz të brezave të ardhshëm që ka ndjekur Italia për shumë dekada me radhë shkaku për problemet e sotme. Itali ka sot, krahas Greqisë që kryeson, borxhin më të lartë kombëtar.

Ndalje, apo regres

Dhe në një pikë tjetër ka paralele me Greqinë: në Athinë ekziston rreziku që pas dështimit të zgjedhjes së presidentit në zgjedhjet parlamentare të fitojë qeveria e krahut të majtë dhe Aleksis Tsipras i cili ka njoftuar që tani fundin e masave të kursimit në rast të një fitoreje të zgjedhjeve. Fitorja e tij konsiderohet sipas sondazheve si e mundshme. Çfarë do të ndodhë me politikën ndërkombëtare të shpëtimit, e cila i siguroi Greqisë mbijetesën financiare me 240 miliardë euro, këtë nuk e di askush. Në Itali, gjërat nuk janë aq dramatike, sepse për fat të mirë Italia deri tani nuk ka pasur nevojë për ndihma nga jashtë. Por edhe Italia kërcënohet pas dorëheqjes së shpallur të Presidenti Xhorxho Napolitano për shkak të moshës, të paktën nga një ngërç i gjatë politik në një vend plot me bllokada politike. Italia, e cila vuan nga lodhja prej reformave nuk mund ta përballojë një gjë të tillë.

Christoph Hasselbach

Christoph Hasselbach

Masa drastike vullnetarisht

Krejt të ndryshme është gjendja në dy vende të Evropës veriore, të cilat janë këto ditë në titujt e gazetave: Letonia mori më 1 janar presidencën e BE-së. Dhe fqinji i saj Lituania është futur në eurozonë. Bashkë me Estoninë, që të tre vendet baltike janë bashkuar me eurozonën, e cila gjendet tashmë në kulmin e krizës së borxhit. Futja e euros u bë e mundur vetëm përmes të dhënave të mira buxhetore dhe ekonomike për një periudhë më të gjatë kohore. Anëtarësimi në eurozonë nuk qe ndonjë dhuratë për vendet baltike, për këtë ishte e domosdoshme një politikë e ashpër konsolidimi, e cila u zbatua me iniciativën e tyre dhe pa paketa shpëtimi nga BE-ja. Sot, të tre vendet janë ekonomikisht shumë më të shëndetshme se sa para krizës. Sakrificat ia vlejtën.

Paralajmërimet nga Berlini gjithmonë shami e kuqe

Prioriteti më i lartë i Letonisë si kryesuese e BE-së, janë vendet e punës dhe rritja ekonomike në Evropë. Megjithatë, ndryshe nga recetat italiane Letonia e sheh bazën e tyre veçanërisht tek aftësia më e madhe konkurruese. Këtë kurë drastike Letonia e vendosi vetë. Kurse në rastin e Italisë, Greqisë apo Francës ke gjithmonë përshtypjen se e konsiderojnë edhe shenjën më të vogël nga jashtë për disiplinë fiskale, reforma strukturore dhe konkurrencë më të madhe, si ndërhyrje të paarsyeshme dhe të panevojshme. Sidomos në qoftë se paralajmërimet vijnë nga Berlini, qeveritë e këtyre vendeve shpesh reagojnë shumë të inatosura. Vendet baltike janë shumë të vogla për të ngjallur dyshime për dominim. Ato ndikojnë vetëm nëpërmjet shembullit të tyre. Dhe pikërisht për këtë ato janë kaq të rëndësishme për Evropën.