Dallime qëndrimesh midis Obamës dhe Netanjahut | Bota | DW | 19.05.2009
  1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Dallime qëndrimesh midis Obamës dhe Netanjahut

Pas takimit në SHBA të presidentit Barack Obama dhe kryeministrit të Izraelit Benjamin Netanjahu dolën në pah qëndrimet e ndryshme të tyre lidhur me zgjidhjen e konfliktit në Lindjen e Mesme.

Presidenti amerikan Barack Obama takon kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu në Zyrën Ovale në Uashington.

Presidenti amerikan Barack Obama takon kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu në Zyrën Ovale në Uashington.

Netanjahu theksoi, se është i gatshëm për rifillimin e bisedimeve të paqes me palestinezët, por sipas tij nuk mund të ketë paqe për sa kohë që palestinezët nuk e njohin Izraelin, si shtetin e hebrejve. Në unanimitet ishin të dy politikanët lidhur me politikën ndaj Iranit.


Takimi në Shtëpinë e Bardhë zgjati dy orë. Presidenti i SHBA-së Barack Obama theksoi kërkesën e tij për modelin e zgjidhjes së konfliktit me dy shtete në Lindjen e Mesme: "Unë besoj, se është në interesin jo vetëm të palestinezëve, por edhe të izraelitëve, të SHBA-së dhe të bashkësisë ndërkombëtare, që të arrijmë një zgjidhje me dy shtete, në të cilët iraelitët dhe palestinezët të jetojnë në paqe e siguri përkrah njëri-tjetrit."


Obama insistoi gjatë bisedës me kryeministrin e Izraelit Benjamin Netanjahu, për ndalimin e shtrirjes së vendbanimeve në territoret palestineze dhe tërheqjen nga Jordani Perëndimor, siç është parashikuar në planin ndërkombëtar road-map. Obama shprehimisht theksoi: "Duhet të ndërpritet ndërtimi i vendbanimeve, në mënyrë që të avancojë procesi i paqes."


SHBA-ja ndien detyrim për zgjidhjen me dy shtete në Lindjen e Mesme, nënvizoi Obama. Sipas tij, është e nevojshme të rifillojnë sa më shpejt bisedimet e paqes mes izraelitëve dhe palestinezëve. Për Obamën Izraeli ndodhet përpara "hapave të vështira" dhe SHBA-ja është e gatshme të angazhohet edhe më shumë në Lindjen e Mesme. Ka një "mundësi historike" për paqen, por është e nevojshme që si izraelitët ashtu edhe palestinezët, të realizojnë marrëveshjet e mëparshme, tha Obama.

Minister Benjamin Netanyahu, dhe e shoqja Sara, largohen nga Uashingtoni.

Minister Benjamin Netanyahu, dhe e shoqja Sara, largohen nga Uashingtoni.


Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanjahu theksoi, se është i gatshëm të nisë menjëherë bisedimet e paqes me palestinezët. Por sipas tij, nuk mund të ketë paqe, për aq kohë sa palestinezët nuk e njohin Izraelin si shtet hebre. Netanjahu nuk përmendi me asnjë fjalë planet aktuale për zgjerimin e vendbanimeve hebreje në Jordanin Perëndimor. Këto pikëpamje të ndryshme të dy politikanëve lidhur me zgjidhjen e konfliktit të Lindjes së Mesme dolën në pah, si në deklaratat përfundimtare pas takimit edhe gjatë konferencës së shtypit, pas disa pyetjeve që shtruan gazetarët.


Megjithatë Obama dhe Netanjahu dëshmuan unanimitet sa i përket qëndrimit lidhur me politikën ndaj Iranit. Sipas tyre, Irani nuk duhet të bëhet kurrsesi fuqi bërthamore. Në këtë kontekst Obama tha, se nuk është në interesin e Teheranit të ndërtojë armë bërthamore. Ai theksoi shpresën, se bisedimet do të çojnë në një zgjidhje brenda këtij viti. Netanjahu bëri të qartë, se Irani si një fuqi bërthamore përbën kërcënim ekzistencial për Izraelin dhe se kjo nuk duhet të lejohet.


Autor: Vilma Filaj Ballvora

Redaktoi: Auron Dodi


  • Data 19.05.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/Htc4
  • Data 19.05.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/Htc4