1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Dallime por edhe përparim: Përfundon raundi i katërt i bisedimeve Kosovë- Serbi

Në Bruksel përfundoi të mërkurën pasdite raundi i katërt i bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë. Megjithë dallimet e shfaqura, palët shprehen se ky ishte raundi më i sukseshëm deri tani.

Borko Stefanovic kryeson delegacionin serb

Borko Stefanovic kryeson delegacionin serb

Sipas mendimit të delegacioni serb, raundi i katërt i bisedimeve në mes të Beogradit dhe Prishtinës në Bruksel, ishte më produktivi deri më tash. Në hollësi është diskutuar për funksionmin e kompanive serbe të telekomunikacionit dhe firmave për prodhimin e energjisë elektrike në Kosovë si dhe për librat e kadastrës.

Shefi i delegacionit serb Borislav Stefanoviq për Deutsche Wellen deklaroi: "Kur të shihni se në mbi 80 për qind ne jemi afër zgjidhjes. Dhe kur të shihni se kjo zgjidhje e ruan pozitën tonë dhe realizon të drejtat tona dhe rregullon raportet vetëm në Kosovë dhe Metohi, pa e fshirë Serbinë nga Kosova dhe Metohia, atëherë e kam të qartë se është normale që të ekzistojë rezistencë".

Stefanoviq, thekson se pala serbe është e armatosur me durim dhe propozime, të cilat janë në përputhje me standardet evropiane por po ashtu thotë se dialogu është proces dykahësh. "Nëse kërkohet secili rast që të bllokohet marrëveshja për katadastrën, atëherë mund ta paramendoni se sa i komplikuar do të jetë procesi kur të arrijmë tek çështja e veriut apo rregullimi i marrëdhënieve të përhershme mes Serbisë dhe Kosovës."

Edita Tahiri kryeson delegacionin shqiptar

Edita Tahiri kryeson delegacionin shqiptar

E lutur të komentojë këto deklarata të kryengociatorit serb, shefja e delegacionit kosovar Edita Tahiri theksoi, se kur janë në pyetje procese serioze dhe në momentin kur jemi afër një marrëveshje nuk do të duhej të dilet me vlerësime të tilla. Komentet e tilla sipas Edita Tahirit, nuk e ndihmojnë një proves kaq kompleks. Megjithatë edhe për kryenegociatoren kosovare, takimi dyditor në Bruksel ishte produktiv para së gjithash sa i përket çështjes së lëvizjes së lirë, tregtisë së lirë, telekomunikacionit dhe energjisë elektrike. "Dy ditët kanë qenë emocionuese, të vështira por ekziston një përparim i vërtetë dhe shpresoj që kur të takohemi herën tjetër do të kemi mundësinë të bisedojmë për një marrëveshje kornizë, e cila do të kalojë për miratim përfundimtar nëpër qeveritë e Kosovës dhe Serbisë".

Tahiri thotë se ka ende dallime në qëndrimet mes dy delegacioneve, por shumë prej tyre kanë arritur të tejkalohen. Por për zgjidhjen e çështjeve të cilat nuk janë të lehta nevojitet guxim i ri.

Autor: Marina Maksimoviq/ Esat Ahmeti

Redaktoi: Aida Cama