1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Dalja e Kosovös nga euforia nacionale

Nën presion Prishtina hapi rrugën për formimin e Gjykatës Speciale. Është ky një hap drejt krijimit të shtetit ligjor dhe fillimi i pajtimit mes Beogradit e Prishtinës? E, ndoshta më e rëndësishmja, kush do të gjykohet?

Votimi i ndryshimeve të kushtetutës, të cilat hapën rrugën për formimin e Gjykatës Speciale për krimet e luftës në Kosovë, has në reagime të kujdesshme në Beograd. Drejtori i Zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriç, tha se formimi i këtij gjyqi është hapi i parë dhe se pjesa më e madhe e punës është në të ardhmen. Serbia nuk mund të jetë e kënaqur, derisa të mos dënohen ata që kanë kryer krime, tha Gjuriç. Zëvendëskryeministri dhe ministri i Tregtisë Rasim Ljajić mendon se miratimi i amendamenteve kushtetuese për formimin e Gjykatës Speciale për krimet e luftës së UÇK-së përbën një hap të rëndësishëm për procesin e pajtimit, i cili nuk mund të kryhet, nëse të gjithë nuk përballen me krimet, që janë bërë në hapësirën e ish-Jugosllavisë. Në Beograd transmetohen edhe supozimet se akuzat e para do të ngrihen në fillim të vitit të ardhshëm dhe se në bankën e të akuzuarve do të jenë ndër të tjerë edhe ish- kryeministri i Kosovës Agim Çeku, zëvendëskryeministri aktual i Kosovës Hashim Thaçi, si dhe kryetari aktual i parlamentit të Kosovës Kadri Veseli.

Dalja e Kosovës nga euforia nacionale

Historia këtu përsëritet, thekson për DW komentatori i politikës së jashtme, Boshko Jakshiç. "Ashtu siç e kundërshtoi Serbia formimin e tribunalit, që do të merrej me krimet që kanë kryer serbët, sepse e interpretonte si gjykatë antiserbe, edhe në Prishtinë në të njëjtën mënyrë është refuzuar ideja e Gjykatës Speciale. Ne mund të mendojmë çfarë të duam për tribunale të tilla, por roli i tyre në pajtimin e rajonit është i rëndësishëm, mendon Jakshiç. Sepse përballja me të vërtetat është parakusht për normalizimin e marrëdhënieve, edhe sikur të jenë të imponuara nga selia e Bashkimit Evropian. Mendoj se formimi i gjykatës do të çojë në forcimin e bashkëpunimit ndërmjet Beogradit e Prishtinës, do të kontribuojë për relaksimin e tensioneve në raportet e tyre dhe do t'u shërbejë shqiptarëve të Kosovës, nga të cilët pritet që të dalin nga periudha e euforisë nacionale e hapur me çështjen e pavarësisë shtatë vjet më parë, dhe të ndërtojnë në mënyrë më efikase shtetin e tyre ligjor."



Procese rreptësisht të kontrolluara

Çështja e Gjykatës Speciale ka zgjatur shumë, thotë për DW Dushan Prorokoviç, drejtor ekzekutiv i Qendrës për Alternativa Strategjike dhe se është e qartë se rruga për formimin e gjykatës është hapur me presionin e madh të SHBA-së dhe në një farë mase të BE-së. "Për këtë arsye edhe fati i kësaj gjykate dhe i të gjithë proceseve, që zhvillohen në të, është në duar të Perëndimit dhe jo të shqiptarëve të Kosovës.

Mendoj se për këtë arsye do të ketë shumë drejtësi selektive, se proceset do të jenë të kontrolluara rreptësisht dhe do të synojnë individë, të cilët nuk kanë pasur shumë kontakte me shërbimet perëndimore dhe politikanët gjatë luftës. Do të jenë pjesëtarë të rangut të mesëm të së ashtuquajturës UÇK dhe për këtë arsye mendoj se nuk bëhet fjalë që para kësaj gjykate t'i bëhet procesi Hashim Thaçit apo Ramush Haradinajt."

Dushan Prorokoviç mendon se Perëndimi ka bërë presion që të formohet gjykata, sepse pas procesit, që udhëhoqi Dick Marty në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, u bë e pamundur të mbuloheshin të gjitha provat, që kishin dalë. "Perëndimi thjesht duhej të reagonte në lidhje me to, sepse është fakt se në kampet e vdekjes në veri të Shqipërisë dhe në Kosovë kanë kaluar jo vetëm qytetarë të Serbisë, por edhe qytetarë të huaj. Njëfarë përgjigje është dashur të jepet. Për vendet perëndimore do të kishte qenë e papërshtatshme, që Gjykata Speciale të formohej nga Këshilli i Sigurimit të OKB-së, sepse do të ishte nën lupën e Rusisë, Kinës dhe disa vendeve të tjera, dhe në këtë mënyrë kjo është evituar."

E ndryshme nga Tribunali i Hagës?

Përvoja e Tribunalit të Hagës tregon se proceset kundër shqiptarëve të akuzuar për krime lufte kryesisht kanë përfunduar me lënien të lirë të të pandehurve, dhe janë pasuar me frikësimin apo likuidimin e dëshmitarëve. Tani shtrohet pyetja, çfarë do të ishte e ndryshme në këtë Gjykatë Speciale nga ajo që ka ndodhur në tribunalin e Hagës. Boshko Jakshiç thotë se shumë gjëra ndoshta nuk kanë për të qenë ndryshe. "Por përvojat e shumta negative, që kanë ndodhur në Hagë, mund t'i shërbejnë kësaj gjykate të re. E vërtetë është se edhe kjo gjykatë ka një dimension politik, si të gjitha paraardhëset, por duhet të nisesh nga arsyet se përse ajo themelohet. Motivi është që shumë gjëra të sqarohen, që nga normalizimi i marrëdhënieve, tek marrëdhëniet e brendshme në Kosovë, deri te vendosja e shtetit ligjor dhe demokratizimit dhe krijimit të shtetit funksionues. Në këtë mënyrë do të lehtësohet jo vetëm procesi i integrimeve evropiane të Kosovës, por edhe i të gjithë rajonit."

Kontribut i vogël drejt pajtimit?

Pajtimi në rajon, që bëhet një pikë e përbashkët e reagimeve me rastin e kësaj ngjarjeje dhe të tjerave të ngjashme, duhet të jetë rezultati i punës së kësaj gjykate. Dushan Prorokoviç mendon se gjykata e re do t'i shërbejë pajtimit po aq sa ka shërbyer edhe tribunali i Hagës. "Unë mendoj se ky është një absurditet, me të cilën gënjehet opinioni ynë. Procesi i pajtimit mund të kryhet si është kryer në Afrikën e Jugut, pra si një proces origjinal, që vjen nga njerëzit dhe institucionet, që ato përfaqësojnë. Çdo gjë që bëhet nën presionin e huaj, kjo është dëshmuar në 15 vitet e fundit, jo vetëm që nuk mund të kontribuojë për pajtimin, por mund të bëjë shumë më tepër probleme se sa kanë qenë."

Edhe Boshko Jakshiç mendon se formimi i Gjykatës Speciale për krimet e luftës së UÇK-së nuk do të japë ndonjë kontribut spektakolar për pajtimin e rajonit. Madje është e mundur që të ndodhë lirimi i ndonjë drejtuesi të UÇK-së, nëse i bëhet përsëri procesi para kësaj gjykate. Por nuk ka dyshim se në situata të caktuara megjithatë, do të shpallen dënime, dhe çdo shqiptim i dënimit është pak a shumë afrim me drejtësinë dhe të vërtetën. Këto janë ndoshta disa hapa të vegjël, por në këtë rajon edhe këto hapa të vegjël duhet të jenë të mirëpritur", thotë Jakshiç.