1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Dalai Lama nuk tërhiqet - Tibetianët në emigracion konfirmojnë „rrugën e mesme“

Vilma Filaj-Ballvora24 Nëntor 2008

Dalai Lama nuk tërhiqet dhe rruga e ashtuquajtur e mesme konfirmohet. Ky është rezultati kryesor i konferencës së posaçme gjashtë ditore të tibetianëve në emigracion. Konferenca i mbylli punimet të dielën në Nju Deli.

https://p.dw.com/p/G0c2
Tibetian në ekzil duke pritur Dalai Lamën në tempullin Tsuglakhang në Dharmsala, Indi, 23 shtator, 2008
Tibetianë në ekzil duke pritur Dalai Lamën në tempullin Tsuglakhang në Dharmsala, Indi, 23 shtator, 2008Fotografi: AP

Të paktën një shqetësim Dalai Lama mundi t´ua heqë tibetianëve në emigracion: "Është një detyrim moral, që deri në vdekje të angazhohem për çështjen tibetiane, " deklaroi ai duke i hedhur poshtë në këtë mënyrë spekulimet, se së shpejti do të tërhiqet në rrëzë të Himalajeve në Daramsala, në Veri të Indisë. Megjithatë Dala Lama tha edhe se: „Pozicioni im është ai i një gjysmë pensionisti. Unë e konsideroj veten normalisht si një këshilltar të nivelit të lartë."

Dalai Lama në tempullin Tsuglakhang në Dharmsala, Indi, 23 shtator, 2008
Dalai Lama në tempullin Tsuglakhang në Dharmsala, Indi, 23 shtator, 2008Fotografi: AP

Sipas disa vëzhguesve, Dalai Lama thirri konferencën e tibetianëve në emigracion, në mënyrë që gradualisht 73 vjeçari t´ua kalojë përgjegjësinë politike të tjerëve. Ndonëse zyrtarisht ai asnjëherë nuk ka mbuluar asnjë post në qeverinë e emigracionit në Daransala. Asambleja e posaçme e tibetianëve në emigracion vendosi që të mbështesë kreun shpirtëror dhe të ashtuquajturën "rruga e mesme" e tij në marrëdhëniet me Kinën: „Nisur nga respekti dhe devotshmëria ndaj Dala Lamës, shumica e tibetianëve mbështesin nismën e tij të rrugës së mesme. Por jo të gjithë besojnë në këtë rrugë, pavarërisht se e mbështesin atë."

Rruga e mesme do të thotë, se kërkesa për pavarësinë e Tibetit është shumë dhe se me Kinën një gjë e tillë është e pamundur. Si rrjedhojë kërkohet më shumë autonomi si pjesë teritoriale e shtetit kinez. Në konferencë doli qartë në pah, se pikërisht shumë të rinj tibetianë në emigracion nuk janë më të gatshëm që të ndjekin këtë shteg të mesëm dhe ata përdorin një gjuhë tjetër: „Deri tani ne kemi ndjekur politikën e përshtatjes. Ne duhet të jemi më ofensivë kundrejt qeverisë kineze." Një tjetër delegat thotë: „Duhet të ndryshojë diçka. Ne kemi 30 vjet që ndjekim këtë shteg dhe asgjë nuk ka ndodhur.“

Edhe tek vet Dalai Lama përpara kësaj konference kuptohej një shkallë e lartë zhgënjimi. Për vite me radhë ka qenë ai, që nga këndvështrimi i tibetianëve, me përpjekjet për bisedime në thelb është ndeshur me muret kineze. Edhe ai sërish deklaroi, që besimi tek qeveria kineze po humbet. Megjithatë ai tërhoqi vëmendjen për kujdes, por jo për të hequr dorë: „Një ditë ne do të rikthehemi në vendin tonë.“ Këtë e tha njeriu, që gati një gjysmë shekulli jeton në emigracion në Veri të Indisë. Ai nuk donte t´i shuante të gjitha shpresat bashkë me spekulimet për pensionimin e tij.