1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Daka: Jemi të gatshëm për zgjedhjet në Mitrovicën Veriore

Intervistë me Valdete Daka, kryetare e Komisionit Qendror Zgjedhor në prag të zgjedhjeve për kryetar bashkie në Mitrovicën Veriore.

Valdete Daka

DW: Zonja kryetare, a kanë përfunduar të gjitha përgatitjet për zgjedhjen e kryetarit të bashkisë në Mitrovicën Veriore?

Valdete Daka: Me përgjegjësi të plotë mund të them se të gjitha përgatitjet kanë përfunduar me sukses. Sipas planit operacional nuk ka mbetur asnjë veprim pa u kryer, përveç shpërndarjes së materialit sensitiv dhe atij josensitiv për ditën e votimi. Kjo do të bëhet një ditë para votimit, pra të shtunën. Natyrisht që të gjitha janë bërë në afatin e parashikuar ligjor dhe presim qe edhe dita zgjedhore të kalojë mirë.

DW: Këto zgjedhje nuk janë të zakonshme, sepse ato do të mbahen, pasi që një kryetar i zgjedhur serb, Krstimir Pantiq ka refuzuar të nënshkruajë betimin e kryetarit të bashkisë, sipas ligjeve të Kosovës. E veçanta tjetër e këtyre zgjedhjeve është që në listën e kandidatëve ndër katër kandidatët është edhe një person i akuzuar për krime lufte, Oliver Ivanoviq. Nuk ka pengesa ligjore për votimin e tij?

Valdete Daka: Ne këtë rast duhet ta trajtojmë ashtu siç e trajton ligji zgjedhor, i cili parashikon se një person nuk mund të kandidojë në zgjedhje, nëse është i dënuar plotfuqishëm për një vepër penale. Në rastin e Ivanoviqit nuk kemi ndonjë aktgjykim të plotëfuqishëm dhe ne nuk mund të paragjykojmë se a do të shpallet fajtor një person apo jo. Andaj edhe nuk kemi bazë ligjore që ta refuzojmë kandidaturën e tij. Eshtë një çështje tjetër pastaj sa është morale që një kandidat i akuzuar për krime lufte të kandidojë në zgjedhje. Por për këtë duhet të vendosë vetë kandidati.

DW: Numërimi i votave do të duhej të bëhej në vendin, ku është votuar, pra në këtë rast në Mitrovicën Veriore. Por pas dhunës së shkaktuar në zgjedhjet e kaluara, atje ka pasur probleme serioze me rregullsinë e zgjedhjeve. Si dhe ku do të bëhet numrimi i votave?

Valdete Daka: Në votimin e fundit, në balotazh, ne kemi pasur numërimin e votave në veri dhe nuk janë bartur fletvotimet në Prishtinë. Edhe kësaj radhe numrimi i votave do të bëhet atje, ku është votuar, pra në veri.

DW: A keni pasur probleme gjatë përgatitjes së zgjedhjeve dhe a do ta keni mbështetjen e duhur të OSBE, Policisë së Kosovës dhe asaj ndërkombëtare për të realizuar këto zgjedhje, pasi që atje sërish ka forca, që kërkojnë bojkotimin e zgjedhjeve dhe mund të ketë edhe dhunë?

Valdete Daka: Po ne e kemi mbështetjen e OSBE-së, por nuk ka indicie se do të ketë ndonjë parregullsi, eventualisht ndonjë incident dhe dhunë. Megithatë ka vëzhgues vendor dhe ndërkombëtar, të cilët do të kenë mundësinë që nga afër të njoftohem me ecurinë e votimeve.

DW: Domethënë, ju nuk ka pasur paralajmërime dhe kërcënime për përdorimin e dhunës?

Valdete Daka: Jo nuk kemi pasur dhe me këto cështje po merren organet e rendit dhe sigurisë, të cilat kujdesen që cdogjë të jetë në rregull në ditën e zgjedhjeve. Forcat e sigurisë gjatë procesit të votimit: Policia e Kosovës, Eulexi dhe Kfori kanë ndërmarrë të gjitha masat e duhura për sigurinë dhe do të jenë në gatishmëri të plotë që cdogjë në ditën e zgjedhjeve të kalojë ashtu sic parashikohet me ligj.

DW: Me 16 mars serbët e Kosovës do të mund të votojnë edhe në zgjedhjet parlamentare të Serbisë. A jeni konsultuar ju në ndonjë element për këto zgjedhje?

Valdete Daka: Ne nuk do të kemi në këto zgjedhje kurrfarë roli dhe nuk na ka konsultuar kush. Ne kujdesemi vetëm për zgjedhjet, që i organizon shteti i Kosovës. Ndërsa sa i përket zgjedhjeve të Serbisë, kjo është një çështje politike, për të cilën duhet të merrni opinione nga qeveria dhe ata, që janë në pushtet.

DW: Por në një element tjetër me siguri, që kërkohet mendimi juaj: në reformën zgjedhore për zgjedhjet e ardhshme parlamentare, të cilat do të mbahen këtë vit në Kosovë. Çfarë jeni duke punuar në këtë drejtim dhe a do të mbahen zgjedhjet e ardhshme me apo pa reformën zgjedhore?

Valdete Daka: Po, ne sot kemi pasur një takim të komisionit për legjislacion, në të cilin është shikuar drafti i ligjit për zgjedhjet e përgjithshme. Ne e kemi përfunduar punën, ndërsa i mbetet komisionit për legjislacion, që t'i votojë amandamentet dha ta dërgojë këtë draft në parlament për leximin e parë. Ndërsa KQZ-ja do t'i jep rekomandimet e veta.

DW: Cilat janë këto rekomandime, sepse ju me siguri që e dini se cilat janë mangësitë kryesore në procesin zgjedhor, siç janë: listat me emrat e personave të vdekur, problemet me listat në veri të Kosovës, ku një numër i madh i serbëve ka votuar me kusht, sepse nuk figuron fare në lista etj?

Valdete Daka: Rekomandimet tona janë më shumë çështje teknike. Ndërsa me çështjet politike do të merren subjektet politike dhe organet e vendimit.

DW: A kanë qenë zgjedhjet e lokale në rregull, sa i përket listave zgjedhore, apo ka nevojë për ndërhyrje?

Valdete Daka: Teknikisht zgjedhjet kanë qenë në rregull, ndonëse ka hapësirë për përmirësime. Ne do t'i japim rekomandimet tona për këto përmirësime, ndërsa deputetët janë ata, të cilët marrin vendime.

DW: Domethënë KQZ-ja është e gatshme për zgjedhjet parlamentare edhe nëse ato mbahen në qershor?

Valdete Daka: Ne jemi të gatshëm, por unë e kam thënë disa herë se neve na duhet një kohë e duhur për harmonizimin e të gjitha këtyre ndryshimeve, si dhe për përgatitjen e stafit dhe njoftimin e votuesve me këto ndryshime.