1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Bursa studimi në Gjermani për studentët nga Kosova

Ajete Beqiraj19 Maj 2013

Ambasadori Blomayer: "Kosova dëshiron të jetë evropiane dhe asaj i duhen njerëz që njohin Evropën dhe e sjellin atë në Kosovë. Gjermania dëshiron ta ndihmojë Kosovën në këtë rrugëtim."

https://p.dw.com/p/18aQv
Fotografi: DAAD

Familja e DAAD-së, një institucion i shkollave të larta dhe universiteteve gjermane i shtrirë në botë, që nga themelimi me 1945 numëron mbi 7 milionë te financuar të cilëve iu ka mundësuar qëndrime studimi. Ndër ta ka edhe studentë dhe shkenctarë nga Kosova. 

Albanologu Rexhep Ismajli, që në vitin akademik 1976-1977 kishte fituar një bursë dhjetëmujore studimi në Gjermani."Duke falënderuar DAAD-në, e cila me kishte dhene mundësi studimi në Gjermani, dua te ritheksoj se për të rinjte dhe për zhvillimet akademike në Kosove zgjerimi i rrjetit te DAAD-së dhe institucioneve të ngjashme gjermane, kanë rëndësi të madhe. Sot Kosova mund të radhitet ndër vendet ku gjuha dhe kultura gjermane kanë një prani të gjerë dhe në këtë DAAD ka meritë të madhe"-, tha akademik Ismajli, duke kujtuar kujtuar iniciativën për themelimin e një gjimnazi gjerman në Kosovë, meqë interesimi për gjuhën dhe kulturën gjermane është në rritje.

DAAD: Në 2 vitet e fundit 110 bursa studimore Kosovë-Gjermani

Shërbimi Gjerman i Shkëmbimit Akademik vetëm vitin e kaluar ka financuar 75.000 studiues dhe shkencëtarë me një buxhet vjetor prej 411 milion eurosh. Në vitin 2011 janë financuar 110 studiues dhe të diplomuar, si edhe shkencëtarë dhe staf akademik: 96 nga Kosova dhe 14 nga Gjermania.

Në ceremoninë e ndarjes së certifikatave për fituesit e bursave të DAAD-së, 2013/2014 ambasadori gjerman në Kosovë dr. Peter Blomeyer tha: "E ardhmja e Kosovës është në BE. Kosova dëshiron dhe duhet të jetë evropiane, prandaj asaj i duhen njerëz të cilët shkojnë në Evrope, e njohin dhe e sjellin atë në Kosovë. Ata duhet të përfytyrojnë se si duhet të jetë dhe si duhet të bëhet Kosova, të cilin përfytyrim mund ta krijojnë duke shkuar në Evropë, duke parë dhe mësuar se si është Evropa. Gjermania dëshiron ta ndihmojë Kosovën në këtë rrugëtim të saj, ndaj ndan bursa studimi për të rinj."

Dr. Peter-Christof Blomeyer,
Dr. Peter-Christof BlomeyerFotografi: picture alliance/dpa

Mirënjohje për kontributin gjerman

Rektori i Universitetit të Prishtinës, prof. asoc. dr. Ibrahim Gashi, shprehu mirënjohje për kontributin e shtetit gjerman në ndërkombëtarizimin e Universitetit të Prishtinës. Rektori Gashi kujtoi se gjate dy viteve te fundit ka pasur nje mundësi të reja akademik prej 110 shkenctarësh dhe të diplomuarish ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë. Ai tha se ky bashkëpunim do të vazhdojë me qëllim të forcimit të partneritetit me universitetet gjermane.

Shembull për këtë partneritet janë të rinjtë si Vjosa Bilalli, e cila është financuar katër herë nga DAAD. Prej vitit 2012, Vjosa është bursiste në Universitetin e Jenës, ku po punon temën e doktoraturës.  Për suksesin gjatë studimeve dhe për angazhimin në fushën ndërkulturore më 2012 ajo është shpërbyler me çmimin e DAAD-së. "Në të sotmen e globalizuar, secili nga ne është ambasador i kulturës së tij, ndaj është e rëndësishme të jemi të hapur për mënyrat kuluturore të sjelljes dhe të të menduarit. Bursistëve të rinj do t'u thosha, shfrytëzoni të gjitha mundësitë që iu ofrohen dhe nxjerrni më të miren nga bursa e juaj. Kjo varet nga ju. Bursat e DAAD-së mua më kanë hapur të gjitha dyert dhe për këtë jam shumë mirënjohëse."

Mundësi të reja shkëmbimesh

DAAD ka ndarë sivjet për studentët nga Kosova 13 bursa: 6 bursa studimore nga të gjitha disiplinat shkencore; 2 bursa nga programi DAAD/Open Society Foundations (OSF); 3 bursa për kurset verore Universitare në Gjermani, si dhe 2 bursa të DAAD-së për absolventët e gjimnazit Loyola në Prizren, për studime themelore në Gjermani.

Një nga përfituesit është Durim Berishës, 24 vjecar nga Pristhina. Pas përfundimit të studimeve në Fakultetin Juridk në Universitetin e Prishtinës ai fitoi i një bursë 12-mujore për studime master në Unversitetin Kontancë në landin Baden-Vyrtenberg."Në Gjermani do t´kem rastin të njihem për së afërmi me të drejtën gjermane, me theks të veçantë me të drejtën publike gjermane, me të drejtën kushtetutese gjermane si dhe me arkitekturën e sistemit juridik gjerman. Kjo do t´më hap mundësi të reja që pas përfundimit të studimeve të na ipet rasti që t´i përcjellim ato në Kosovë. Ndërsa drejtimi për të cilin jam përcaktuar është kuadër deficitar në Universitetin e Prishtinës dhe synimi im është që në të ardhmen të jem një profesor i suksesshëm dhe të kem mundësinë të jap gjithë kontributin tim." - thotë Durimi.