1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Daçiq u bën thirrje serbëve të veriut për pjesmarrje në zgjedhje

Kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiq, qëndron në veri të Mitrovicës dy ditë para rivotimit në këtë pjesë të qytetit. Ai u tha serbëve se nëse duan një kryetar komune serb, atëherë të dalin masivisht në zgjedhje.

Kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiq, u bëri thirrje serbëve të veriut të Mitrovicës që të dalin në numër sa më të madh në rivotimet e ditës së diel me 17.11. që zhvillohen në tri qendra votimi në veri të Mitrovicës. Këtë thirrje, kryeministri i Serbisë, e bëri gjatë një tubimi të subjektit politik “Iniciativa Qytetare Serbe”, subjekt politik ky që e ka mbështetjen e qeverisë së Serbisë. Daçiq, po qëndron në Kosovë së bashku me dy ministra të qeverisë së tij, Zoran Mihajloviq dhe Aleksander Vulin.

Mediat lokale serbe, citojnë kryeministrin e Serbisë tu ketë thënë serbëve të veriut se “pjesmarrja në rivotimet e ditës së diel ka një rëndësi të veçantë nëse serbët duan që për kryetar të komunës së veriut të Mitrovicës të kenë një kryetar serb apo shqiptar”. “Serbia nuk do ta lëshoj kurrë dhe nuk do t'i harroj kurrë serbët e veriut të Kosovës. Po të mos ishte Serbia, nuk do të ishte edhe ky territor ku sot kemi katër komuna të mëdha e të rëndësishme serbe”, ka thënë Daçiq.

Ivica Daçiq, u apeloi serbëve që pavarësisht qëndrimeve të tyre partiake të dalin në numër sa më të madh në zgjedhjet e ditës së diel që mbahen në tri qendra votimi në veri të Mitrovicës.

Kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiq, ishte në Kosovë, në Graçanicë jo larg Prishtinës edhe me datën 01.11, dy ditë para mbajtjes së zgjedhjeve lokale të tre nëntorit. Vizita e tij u cilësua e karakterit religjioz, sepse vizitonte një kishë ortodokse serbe, mirëpo, nga aty ai u bëri thirrje serbëve që të dalin në zgjedhje. Këtë mesazh të kryemistrit Daçiq, e vlerësoi kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili tha se pjesëmarrja sa më e madhe e serbëve në zgjedhjet lokale është interes edhe i institucioneve të Kosovës.

Ndërsa, për vizitat në Kosovë të udhëheqësve të lartë shtetërorë të Serbisë, ka një dakordim edhe me marrëveshjen e 19 prillit për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi. Kështu pati thënë në një intervistë të mëhershme për DW, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi. “Ne jemi dakorduar në Bruksel që gjatë kësaj periudhe të ndodhin tri vizita të liderëve të Serbisë në Republikën e Kosovës, gjithmonë me kërkesën zyrtare drejtuar institucioneve të Republikës së Kosovës dhe pastaj institucionet të vlerësojnë se a janë të pranueshme këto kërkesa apo jo”, thotë kryeministri Hashim Thaçi.

Masa të shtuara të sigurisë janë planifikuar për të diëlën ku në tri qendra votimi, rivotohet për kryetar komune dhe këshilltar për asamble komunale për komunën e veriut të Mitrovicës. Plani i sigurisë kësaj radhe është hartuar bashkarisht ndërmjet policisë së Kosovës, misionit EULEX dhe forcave paqeruajtëse KFOR, në mënyrë që mos të përsëritet dhuna e tre nëntorit kur grupe serbësh shkatëruar tërë materialin zgjedhor.