1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Daçiçi dhe Nikoliçi te Ashtoni në Bruksel

11 Mars 2013

Vazhdojnë përpjekjet për ta bindur BE për propozimin serb. Brukseli deri tani refuzon. Shanset që Serbia të nisë negociatat e anëtarësimit me BE duken të pakta.

https://p.dw.com/p/17uub
Tomislav Nikolic
Tomislav NikolicFotografi: Reuters

Krerët më të lartë të shtetit serb janë takuar sot sërish në Bruksel me të Ngarkuarën për Politikën e Jashtme të BE, Catherine Ashton. Presidenti i Serbisë, Tomislav Nikoliç, kryeministri Ivica Daçiç dhe personin me influencë të madhe në politikën serbe Aleksandar Vuçiç do të përpiqen sot ta bindin Ashtonin që BE t'u lejojë serbëve të Kosovës që të kenë "bashkësinë" e tyre, me parlamentin të vetin, qeveri të veçantë, drejtësi dhe polici. Si një shtet brenda shtetit, kjo bashkësi duhet të jetë sipas Serbisë në një masë të madhe e pavarur nga Prishtina. Këtë e kundërshtojnë qeveria e Kosovës, si dhe SHBA e BE.

Në intervista dhënë mediave serbe në prag të takimit të ri në Bruksel, Daçiç deklaroi se qeveria e Kosovës nuk ka ndikim në Veriun e vendit, ndaj duhet të lëshojë pe. "Unë i thashë Thaçit se në Veri ai mund të vijë vetëm me armë," tha drejtuesi i delegacionit serb në gjashtë raundet e deritashme të bisedimeve në Bruksel.

Jo datë negociatash - vetëm përgatitje

Ashtoni do të udhëtojë më 14 mars në Kosovë, për të shqyrtuar aty mundësinë e kompromiseve. Në 20 mars do të zhvillohet në Bruksel një raund përfundimtar negociatash midis kryeministrave të Kosovës dhe të Serbisë.

Dakordimi është parakusht që Serbia të nisë negociatat e shumëdëshiruara me BE. Gazeta e afërt me qeverinë serbe "Novosti" informoi të shtunën se Serbia me sa duket nuk do të marrë një datë konkrete për fillimin e negociatave. Në vend të kësaj do të ketë vetëm përgatitje zyrtare për negociatat e anëtarësimit. Një hap të tillë të ndërmjetëm nuk ka pasur deri tani për asnjë kandidat tjetër të BE.

Autor: Auron Dodi (dpa, afp)

Redaktoi: Esat Ahmeti