1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Dështon takimi për Ukrainën

Hap pas në bisedimet e paqes: pas sukseseve të para raundi i ri i bisedimeve të Ukrainës ka ngecur. Ndërkohë Rusia shpall një doktrinë të re ushtarake ku e sheh zgjerimin e aftësive ushtarake të NATO-s si rrezik për të.

Madje edhe agjenda ishte e përcaktuar: në fakt do të zhvilloheshin negociata për një marrëveshje paqeje për rajonin e konfliktit Donbass në Ukrainën Lindore. Por pastaj, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme bjelloruse, Dmitri Mironcik tha se këtë të premte nuk do të zhvilloheshin në Minsk bisedime. Atje do të vazhdonin negociatat e nisura që natën e Krishtlindjeve të të ashtuquajturit Grup i Kontaktit.

Të mërkurën u takuan pas një kohe të gjatë për herë të parë përfaqësues të Ukrainës dhe të separatistëve prorusë. Në takim morën pjesë edhe të dërguar të Rusisë dhe të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, OSBE dhe synimi ishte gjendja e një rrugëdaljeje nga kriza. Të enjten bisedimet vazhduan me konferencë me video. Sipas të dhënave të të dy palëve u ra dakord për një shkëmbim të burgosurish: 225 kryengritës dhe 150 pjesëtarë të forcave ukrainase të sigurisë do të lirohen së shpejti.

Akuza të dyanshme

Që në shtator, Grupi i Kontaktit të Ukrainës ra dakord për hapa për vendosjen e paqes. Por këto hapa deri tani nuk janë ndërmarrë. Palët e konfliktit e akuzojnë reciprokisht njëra-tjetrën se e kanë shkelur armëpushimin. Ushtria e Ukrainës ka theksuar se tërheqja e teknikës së rëndë ushtarake, për të cilën u ra dakord në Minsk mund të fillojë vetëm atëherë kur armëpushimi të respektohet me të vërtetë.

Separatistët prorusë duan të arrijnë me negociata që udhëheqja e Ukrainës të heqë dorë nga bllokada e saj ekonomike në Donbass. Ndërsa udhëheqja e Kievit që kërkon ta anëtarësojë vendin në NATO kërkon të rivendosë kontrollin mbi rajonet që kërkojnë pavarësi Donjeck dhe Lugansk. Ukraina e akuzon Rusinë se i furnizon me armë dhe luftëtarë kryengritësit prorusë në Lindje të vendit. Të premten (26.12.2014) Ukraina tha se do të ndalojë të gjitha lëvizjet e trenave të pasagjerëve dhe të mallrave për në Gadishullin e Krimesë, për shkaqe sigurie të pasagjerëve.

Presidenti rus, Vladimir Putin

Presidenti rus, Vladimir Putin

Doktrinë e re ushtarake e Rusisë

Në një konferencë telefonike të Presidentëve të Francës, Rusisë dhe të Ukrainës, Francois Hollande, Vladimir Putin dhe Petro Poroshenko me kancelaren Angela Merkel u ra dakord për raundin më të ri të negociatave. Një datë e re për vazhdimin e negociatave nuk u caktua.

Ndërkohë të premten (26.12.2014) Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin nënshkroi një doktrinë të re ushtarake për vendin e tij. Sipas doktrinës së re, rreziqet kryesore të jashtme për Rusinë janë zgjerimi i aftësive ushtarake të NATO-s dhe destabilizimi në disa rajone, bën të ditur agjencia e lajmeve RIA

Sipas doktrinës, rreziqet e brendshme ushtarake janë aktivitetet për ta destabilizuar vendin dhe aktivitetet e terroristëve.